Seksualiteti dhe intimiteti nuk zbehen domosdoshmërisht me kalimin e viteve. Përkundrazi, shumë të moshuar beqarë e konsiderojnë “lidhjen fizike” si element thelbësor të një marrëdhënieje romantike, sipas një studimi të ri nga University of New Hampshire.
Studimi, i publikuar në Journal of Sex Research, u bazua në intervista të thelluara me 100 burra dhe gra beqarë, të moshës 60 deri në 83 vjeç, të gjithë përdorues aktivë të platformave online të njohjeve. Rezultatet sfidojnë stereotipet e përhapura mbi plakjen dhe seksualitetin.
Një përqindje dërrmuese – 97% – theksuan se seksi është i rëndësishëm në një lidhje romantike, ndërsa 72% deklaruan se nuk do të hynin në një marrëdhënie pa aktivitet seksual. Sipas autores së studimit, Lauren Harris, shumë pjesëmarrës e shihnin një lidhje pa seks më tepër si miqësi sesa si partneritet romantik. Ata kërkonin romancë dhe afërsi fizike, duke e konsideruar intimitetin seksual pjesë thelbësore të jetës në çift.

Studimi rrëzon gjithashtu idenë se ndryshimet fizike të lidhura me moshën – si rënia e dëshirës seksuale apo problemet me ereksionin – përbëjnë pengesa të pakapërcyeshme. Pjesëmarrësit shprehën gatishmëri për t’u përshtatur: përmes mbështetjes mjekësore, ripërcaktimit të intimitetit apo rregullimit të pritshmërive mbi shpeshtësinë dhe intensitetin e marrëdhënieve seksuale. Si burrat ashtu edhe gratë e pranuan ndikimin e moshës, por nuk e panë atë si fund të jetës intime.
Një prej të intervistuarve, Jeff, 61 vjeç, e përshkroi me humor këtë ndryshim, duke bërë krahasimin me Michael Jordan: kur luante me Chicago Bulls ishte në kulm, ndërsa me Washington Wizards ishte më i madh në moshë dhe më pak energjik. “Mund të ofroj momente të shkëlqyera, por jo të gjithë ndeshjen”, tha ai me shaka – një mënyrë për të pranuar se performanca ndryshon, por kënaqësia mbetet e mundur.
Studiuesit theksuan se sot njerëzit jetojnë më gjatë se kurrë më parë. Kjo do të thotë se ka më shumë të rritur të moshuar beqarë sesa në brezat e mëparshëm. Dikur, një person i ve apo i divorcuar mund të qëndronte beqar për pesë apo dhjetë vjet; sot kjo periudhë mund të zgjasë dekada, duke ndryshuar mënyrën se si konceptohen partneritetet në moshë të vonë.
Megjithatë, sfidat ekzistojnë. Mundësitë për të gjetur partnerë janë më të kufizuara, sidomos për gratë, të cilat statistikisht janë më të shumta se burrat në grupmoshat e larta. Për më tepër, ekspertët paralajmërojnë për rritje të rasteve të infeksioneve seksualisht të transmetueshme tek të moshuarit, ndërkohë që diskutimet për shëndetin seksual shpesh shmangen. Studiuesit sugjerojnë që mjekët ta përfshijnë më shpesh këtë temë në vizitat rutinë dhe të trajnohen për të trajtuar seksualitetin në moshë të thyer.
Në përfundim, studiuesit theksojnë se figura e vejushës pa interes për dashurinë apo e gjyshit aseksual nuk përfaqëson realitetin e të gjithë të moshuarve. Dëshira për romancë dhe intimitet mund të mbetet pjesë e rëndësishme e jetës, pavarësisht moshës – dhe shoqëria duhet të heqë dorë nga paragjykimet që e mohojnë këtë fakt. /GazetaExpress/