Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) dhe Drejtoria e Shëndetësisë e Komunës së Prishtinës e kanë përuruar të hënën një mural në kryeqytetin e Kosovës, që ka të bëjë me rëndësinë e gjidhënies.
Murali është punuar nga Ermira Murati, e njohur si “Orange Girl” para Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.
“Nuk është vetëm një mural, është një akt ose njëkohësisht është një homazh i forcës, sfidës, i dashurisë që vetëm nëna dinë me e dhënë këtë më së miri”, ka thënë Murati.
Murali është quajtur, “Gjidhënia: Dashuri që ushqen, fuqi që rrit!”
Organizatorët kanë thënë se në kuadër të Javës Botërore të Gjidhënies, që shënohet në periudhën 1-7 gusht, janë zhvilluar edhe shumë aktivitete tjera.
“Edhe pse gjidhënia është instinkt, është gjithashtu një aftësi që mësohet”, ka thënë drejtoresha ekzekutive e AMC-së, Rina Demiri Spahija.
Ajo ka bërë thirrje që shoqëria t’i mbështesë nënat në të mësuarit dhe vazhdimin e këtij procesi.
Sipas një ankete të cituar nga organizatorët, e vitit 2020, shkalla e ushqyerjes së foshnjave vetëm me gji në gjashtë muaj e parë të jetës ka rënë në 29 për qind në Kosovë, nga 40 për qind sa ka qenë në periudhën 2013-2014.
“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjidhënia është ndër mënyrat më efektive për të siguruar shëndetin dhe mbijetesën e fëmijëve”, është thënë në ceremoni.
Po sipas të dhënave të OBSH-së, gratë që ushqejnë foshnjat me gji kanë rrezik më të ulët nga kanceri i gjirit dhe vezoreve.
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë ka thënë se është duke punuar me Ministrinë e Drejtësisë, Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) dhe Qeverinë e Luksemburgut për t’i edukuar nënat e reja mbi rëndësinë e gjidhënies përmes klasave për prindërim.
Sipas OBSH-së, qumështi i gjirit i mbron foshnjat nga sëmundje të ndryshme dhe promovon zhvillimin e shëndetshëm. /REL