Darkë "oligarkësh" në “Pazar Beach” - Gazeta Express

Darkë “oligarkësh” në “Pazar Beach”

Ballina

Ermal Mulosmani

26/09/2020 10:46

Në hollin e rezidencës luksoze “Pazar Beach”, gjithçka filloi e qetë atë mbrëmje. Muzikë xhaz në sfond, dekor fin me qirinj të kudondodhur, veshjet solemne të të ftuarve, fustanet e hapura të grave dhe erëmimi i përzier i parfumeve elegante të bënte të ndiheshe si në sallonet pariziane…


Në një tryezë kokteili po bisedonin themeluesit e konsorciumit të plehrave, kompani e sapothemeluar në një vend mafioz ballkanik mes dy kryeplehrave, njëri prej të cilëve ishte edhe shefi i një prej mediave kryesore në vend. Megjithëse rrinin bashkë, të dy ndjeheshin në siklet. Martesa e tyre ishte thjesht biznes, asnjë sens artistik nuk e lidhte gjenialin e “reading point” me një nuhatës “plehrash që kanë nevojë për strehim”. Përveç parave. Imazhi i tmerrshëm i skandalit me plehrat e Ruandës ia bënte edhe më të sikletshëm qëndrimin por paratë e depozituara mbrëmë, nga plehrat e Tiranës, e kundërpeshonin mirë zezonën ruandase. Të njëjtën ndjesi provonte edhe “oligarku rishtar misterioz” nga periferia. Ishte një çorbë e gatuar tjetërkund ajo, ai thjesht duhej të paguante çekun…


Në qendër të hollit qëndronte Ramizi me plot kolegë “oligarkë”. Ramizi dallohej lehtë prej të tjerëve, ai merrte vëmendje të shtuar, rrethi ku qëndronte ai ishte më i madhi. Rondokop e gjithë energji ai ishte stari i darkës. Bashkë me të ndodhej edhe Fullservili që fliste gjithë entuziazëm. Përmbarimi sapo i kishte sjellë 80 rrogat e fundit dëmshpërblim për punë të mirë në vjedhjen e Bankës.

Sapo e pa që ky muhabet nuk po ngjallte interes, Fullservili e ndërroi temën. U tregoi që ai vetë kishte gatuar ca brusketa të mrekullueshme për të ftuarit e sotëm. “Të lëpish gishtat, ja tani do vijnë, keni për të parë”. Këtu u erdhi çehrja, Fulli po kthehej ai që njihnin.. I butë, i ëmbël, servil, një shpirt kuzhinieri e sommelieri në një mendje e trup bankieri. Mezi po i prisnin ato brusketat…
Qetësori me Salarin, dy biznesmenët kryesorë të ndërtimit të rrugëve në vend, ishin bashkë. Ata kishin shumë gjëra të përbashkëta. Dikur, në të shkuarën e largët, të dy ishin punonjës shembullorë të Parkut të Mallrave. Ata kujtonin me nostalgji udhëtimet me skodë e autobusë urbanë, kjo ishte kryetema e diskutimeve të veta. Xhaketa e Salarit dukej e rënduar si të ishte xhaketa legjendare e Tit Vasilit.

“Çfarë ke në të” e pyeti Qetësori, i sigurtë për brendinë.
“Zarfe sigurisht” iu përgjigj Salari, “vetëm këto të kryejnë punë”.
Kujt po i thoshte, atij që ishte mbreti i zarfit….
Rrethi i Ministrave dhe partiakëve të ftuar ishte diku nga fundi. Ata ndjeheshin më të parëndësishmit në atë sallë.Me siguri do të donin më mirë të mos ishin aty. Të shqetësuar e si në tokë të huaj, përpiqeshin të dukeshin si të zënë me telefonin.
Përveç Ministre Bukuries. Ajo ndjehej si në shtëpinë e vet aty. I njihte të gjithë “oligarkët”, mund të gjendej në secilin grup. Por zgjodhi atë më të dobishmin, Qetësorin me Salarin…Ata sapo kishin filluar një bisedë interesante për kohëzgjatjen e udhëtimit të tyre nga Tirana e deri aty (ishin nisur nga i njëjti vend). Qetësori mburrej se ia kishte mbështjellë me 180 në orë ndërsa Salari bënte be që po mos të ishte për një ndalesë për në tualet do kishte mbërritë përpara. E kishte kapur barku. Qetësori shkrihej nga gazi. Në këto muhabete i zuri Bukuria…
Ndërkohë, në fund të sallës por jo nga rëndësia, ndodhesh Lalameri me shokë. Ata ishin ndër më seriozët në atë sallë. Ishin në qejfin e vet dhe nuk e vrisnin mendjen shumë për etiketë. Lalameri vetë kishte ardhë me uniformë sportive, e kishte thirrur Reformatorin dhe i kërkonte llogari për listat. Reformatori ishte si në gjemba, i premtonte se do bënin tërmet prapë. Lalameri rrinte i ngrysur e me puro në dorë dëgjonte sofizmat e Reformatorit. Në një moment iu kthye “Ore koqe, çfarë më di ti mua si këta të PD-së që bëjnë çfarë do ti”? Aty Reformatori u zbeh…
Në këto momente ia behu Kryeshefi!
Ramizi i doli i pari përpara.

Hë mer Kryeoligark, a i mbylle ato ligjet a VKM- të a?– u tall Kryeshefi.
Ramizi u zu ngushtë.
Çfarë kryeoligarku unë mor Kryeshef i madh. Ne një grup shërbëtorësh tutë jemi këtu, me ç’të mundemi”
Qetësori me Salarin duartrokitën. Edhe Ministrat e Partiakët. Edhe Fusllservili…
Vetëm Lalamerit nuk i lëvizte qerpiku. Ai vazhdonte thithte puron dhe i bërtiste Reformatorit.
“Po biznesmenët ku janë?” vazhdo Kryeshefi
Ata kryejnë punët Kryeshef, i angazhojmë ne si nënkontraktorë” ia ktheu Ramizi. “Por po kërkojnë shumë, duan pothuaj gjysmën e parave të fituara në tender” – u ankua Ramizi.
Po pse, ku shkon gjysma tjetër?” iu hakërrye Kryeshefi
Ramizi ngriti kryet dhe e pa me habi. Kryeshefi bëri sikur nuk vuri re gjë dhe u drejtua nga rrethi i zonjave sharmante.