Zyra e Kryeministrit ka dalë me një komunikatë rreth darkës së punës që ka pasur mbrëmë kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas. Ata kanë folur për situatën politike në vend, dialogun, agjendën e reformave evropiane dhe Planin e Rritjes.
Në komunikatë thuhet se Kurti e ka falënderuar Kallas për lajmin që dha dje, se BE ka filluar gradualisht heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
“Kurti e falënderoi znj. Kallas për njoftimin se BE ka nisur largimin gradual të masave kufizuese ndaj Kosovës dhe përpjekjet e saj në këtë drejtim, teksa shtoi se ato duhet të hiqen plotësisht dhe theksoi që Kosova duhet të marrë statusin kandidat si demokracia më e avancuar e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në komunikatë.
Sa i përket diskutimeve për krijimin e institucioneve, ZKM nuk ka dhënë detaje.
“Gjatë darkës së shtruar nga kryeministri, gjithashtu u diskutua edhe për procesin paszgjedhor në vend dhe angazhimet për formimin e institucioneve të legjislaturës së nëntë”.
Lidhur me dialogun, Kurti ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.
“Ndërkohë që rikujtoi se Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist dhe paramilitar në Banjskë dhe se kryeterroristi Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës, duhet t’i dorëzohet Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim, Kurti ka ngritur edhe çështjen e shkeljeve të vazhdueshme dhe të rënda të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga shteti i Serbisë. Ai kërkoi që BE të bëjë veprime konkrete për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të luginës.