Liderë nga Europa më 16 maj do të jenë në Tiranë për samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Europian.
Por, një natë më parë, presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, do të shtrojë darkë për liderët e BE-së dhe ata të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor ku prezente do të jetë edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Nga Kosova në këtë darkë do të jetë presidentja Vjosa Osmani.
Po ashtu, në darkë e ka konfirmuar pjesëmarrjen edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka theksuar se do të mbërrijë të enjten në kryeqytetin shqiptar.
Edhe nikoqiri i këtij samiti, Edi Rama, darkën e ka paralajmëruar disa ditë më parë.
“Ndërkohë që kemi filluar paralelisht përgatitjet për samitin e madh të të gjithë Komunitetit Politik Europian në Shqipëri në 16 maj, para samitit, BE dhe Këshilli Europian, të gjithë liderët e BE-së kanë vendosur të vijnë në datën 15 maj për një darkë pune me mua dhe liderët e tjerë të rajonit tonë të Ballkanit Perëndimor”, kishte thënë Rama.
Ndërkaq, Costa derisa ishte në vizitë në Mal të Zi tha se punën me presidentin malazez do ta vazhdojë në këtë darkë.
“I nderuar President, i dashur Jakov, mezi pres të vazhdojmë punën tonë me ju – tashmë nesër në takimin tonë me Ursula von der Leyen dhe të gjithë liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, për të kontribuar së bashku në suksesin e madh të këtij zgjerimi. Sidomos dhe para së gjithash me pranimin e Malit të Zi”.
Komuniteti Politik Europian sivjet mblidhet nën moton “Europa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.
Udhëheqësit do të takohen fillimisht në një seancë plenare kushtuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për të ardhmen e Europës./Express/