Analisti politik Dardan Sejdiu, i ftuar sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ka deklaruar se një prej problemeve kryesore të shoqërisë kosovare është fakti që, sipas tij, kryeministri Albin Kurti po e mban vendin të ngujuar në të kaluarën.
Sejdiu tha se kjo gjendje po vazhdon tash e gjashtë vjet, që prej ardhjes së Kurtit në pushtet. Ai shtoi se mënyra e veprimit të kryeministrit është pjesë e një skenari të ndërtuar prej tij, ku shpesh po shpërfillet Kushtetuta dhe institucionet.
“Nuk bën t’ua ndajë zullumin, nëse ka njerëz që janë të gatshëm ta shohin duke u shkelur Kushtetuta nja 70 herë për gjashtë muaj, nëse ka njerëz që pranojnë të dëgjojnë një person në krye të Kuvendit që deklaron se Kuvendi është konstituuar sipas dëshirës së tij, apo të presin që mandati t’i jepet Albin Kurtit sepse po kemi qejf, atëherë mos ua ndajë,” tha ai.
Duke e përmbledhur qëndrimin e tij, Sejdiu theksoi se lejimi i një praktike të tillë është dëshmi e mungesës së reagimit shoqëror. “Problemi esencial është që po e lejojmë dikë si Kurtin të na mbajë në të kaluarën. Po na mban aty tash e gjashtë vjet, prej që është në pushtet,” përfundoi ai.