Qeveria daneze po planifikon të forcojë ligjet për krijimin dhe shpërndarjen e imazheve të manipuluara “deepfake” që përdorin inteligjencën artificiale. Përmes ndryshimeve në ligjin e të drejtave të autorit, synohet të sigurohet që çdo person të ketë kontroll të plotë mbi trupin, tiparet dhe zërin e tij, sipas raportimit të “The Guardian”.
Danimarka synon të jetë ndër vendet e para në Evropë që mbron ligjërisht identitetin dixhital të individëve nga imitimet artificiale. Pas një marrëveshjeje mes forcave politike, Ministria e Kulturës do të publikojë një draft për konsultim para pushimeve verore, me qëllim miratimin në vjeshtë.
Ministri i Kulturës, Jakob Engel-Schmidt, theksoi se ky ligj synon të dërgojë një mesazh të fortë: çdo individ ka të drejtë mbi trupin, zërin dhe tiparet e tij, të cilat nuk mbrohen mjaftueshëm nga ligjet ekzistuese mbi inteligjencën artificiale.
Kjo nismë gëzon mbështetjen e rreth 90% të deputetëve dhe vjen në kohën kur teknologjia e IA-së po evoluon me shpejtësi, duke e bërë krijimin e përmbajtjeve false vizuale dhe audio më të lehtë se kurrë.