Danella Arsovska i dërgoi letër të hapur euroambasadorit Rokas: Mafia ka shtet në Maqedoni, të ndërhyjë BE - Gazeta Express
string(104) "danella-arsovska-i-dergoi-leter-te-hapur-euroambasadorit-rokas-mafia-ka-shtet-ne-maqedoni-te-nderhyje-be"

Maqedoni

Gazeta Express

01/07/2025 11:36

Danella Arsovska i dërgoi letër të hapur euroambasadorit Rokas: Mafia ka shtet në Maqedoni, të ndërhyjë BE

Maqedoni

Gazeta Express

01/07/2025 11:36

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, i ka dërguar një letër të hapur ambasadorit të BE-së në Maqedoni, Mihalis Rokas, ku denoncon mungesën e reagimit institucional ndaj kërcënimeve ndaj saj dhe punonjësve të saj. Ajo thekson përfshirjen e kryetarit të Komunës së Çairit, Visar Ganiu, në një skandal të rëndë kriminal me dokumente të falsifikuara dhe përfitime milionëshe. Arsovska kërkon ndërhyrjen e BE-së dhe përcjelljen e situatës, eurokomisioneres Marta Kos, e cila ndodhet në Shkup, transmeton Portalb.mk.

“Sot ju jeni duke pritur komisioneren evropiane Marta Kos në Shkup në një ngjarje të madhe, Samitin BE-Ballkani Perëndimor kushtuar Planit të Rritjes.
Dje, institucionet dhe deputeti Brane Petrushevski mbajtën një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, në mbrojtje të të preferuarve të partisë së tyre që kanë marrë kërcënime, dhe për fat të keq ata kurrë nuk do të dalin në mbrojtje ose nuk do të dënojnë dhunën ndaj askujt tjetër, përfshirë edhe mua.
Si njeri dhe grua, unë nuk kam pasur dhe nuk kam mbrojtje nga asnjë institucion për kërcënimet që marr vazhdimisht, të cilat i kam raportuar dhe për të cilat flas publikisht, prandaj i kërkoj komisioneres evropiane Marta Kos të përcjellë sa vijon në emrin tim: NË ÇDO VEND KA NJË MAFI, VETËM NË MAQEDONI MAFIA KA SHTETIN E VET”, thuhet në letër.

Ajo shton se lidhur me kërcënimet ndaj saj si grua dhe si dikush që nuk është nga ekipi i partive “të forta”, Ministri i Punëve të Brendshme, në vend që të veprojë, po zhvillon politikë, duke rrezikuar sigurinë e saj, sigurinë e fëmijës dhe familjes saj, si dhe sigurinë e punonjësve në qytetin e Shkupit. Ministria e Punëve të Brendshme thotë ajo, ende nuk ka vepruar zyrtarisht për asnjë ankesë të paraqitur.

#Kohët e fundit zbuluam një skandal të rëndësishëm kriminal që përfshin kryetarin e Komunës Visar Ganiu dhe grupin e tij të krimit të organizuar nga komuna e Çairit. Ky grup është i përfshirë në falsifikim dhe fabrikim dokumentesh nga disa institucione, të cilat në mënyrë të paligjshme u mundësuan individëve të caktuar (disa të mitur) të përfitonin miliona. Shkalla dhe guximi i këtyre akteve, të cilat aktualisht arrijnë në 152 raste të zbuluara, janë alarmante dhe përbëjnë një kërcënim serioz për sigurinë e banorëve tanë. Në përgjigje të provave që kemi marrë, Prokuroria Themelor Publike ka nisur hetim. Provat tona janë konfirmuar nga disa institucione publike, si dhe nga disa persona juridikë dhe fizikë. Pavarësisht këtyre përpjekjeve, kërcënimet ndaj sigurisë sime dhe sigurisë së punonjësve të Qytetit të Shkupit që punuan për të zbuluar këto krime po intensifikohen”, thuhet në letër.

Në letër shtohet se inspektorët dhe punonjësit në Qytetin e Shkupit i janë nënshtruar dhunës dhe forcës brutale. Gomat e automjeteve të tyre janë prenë me thika dhe morën kërcënime të drejtpërdrejta për sigurinë e tyre nga individë, që sipas Arsovskës, janë të përfshirë me Visar Ganiun në këtë skandal.

“Këto incidente janë dokumentuar zyrtarisht dhe janë raportuar në Ministrinë e Brendshme, por ritmi i ngadaltë i drejtësisë vë në rrezik jetën dhe sigurinë e secilit prej nesh. Duke pasur parasysh angazhimin e Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, i cili është pjesë e kapitujve të pranimit në BE, si dhe mbështetjen e përpjekjeve në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ju bëj thirrje të përcillni se përfshirja juaj jo vetëm që do të forcojë dhe përparojë ndjekjen e drejtësisë, por gjithashtu do të dërgojë një mesazh të qartë se korrupsioni dhe aktivitetet kriminale nuk do të tolerohen. Faleminderit për vëmendjen tuaj, shpresoj se do të guxoni t’ia përcillni mesazhin tim komisioneres evropiane Marta Kos”, thuhet në fund të letrës.

Ndryshe, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, disa herë përmes ka targetuar kryetarin e komunës së Çairit, Visar Ganiu. Arsovska ia ka bërë me dijë Ganiut se në sirtarin e saj ka 13 mijë aplikime për legalizim.

“Ne kemi 13,000 aplikime për legalizim këtu. Visari po shkon drejt e në Librin e Rekordeve “Guinness”, ai vetë tha 13,000 (trembëdhjetë mijë) legalizime. Prokuroria tashmë ka provat dhe librin origjinal arkivor për qindra ndërtesa pa leje”, shkrante mes tjerash Arsovska në Facebook.  

Kryetarja e Shkupit në shkrimin e saj zotohet se posedon prova dhe se të kota janë presionet nga politika.

“Dhe unë kam prova për të gjitha këto, dhe ju thjesht po shtyni përpara me kërcënime dhe politikë”, thuhet në postimin e Arsovskës.

Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore Publike ka hapur lëndë dhe po vepron në lidhje me librin e regjistrit me numra arkivorë për legalizimin e objekteve në Komunën e Çairit për të cilin dyshohet se është falsifikuar. Nga aty është bërë me dije për opinionin se,janë marrë në pyetje disa zyrtarë të komunës dhe disa aplikues për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje.

Kujtojmë se, kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska ka dorëzuar në prokurori dëshmi dhe dokumente lidhur me ndërtimet pa leje në Çair. Arsovska pretendon se në komunën e Çairit ka 150 ndërtime pa leje. Ajo akuzon ish kryetarin Izet Mexhiti dhe kryetarin aktual Visar Ganiu për ndërtimet pa leje në Çair.