Fotot e Presidentit Donald Trump, i cili duket duke fjetur gjatë një eventi zyrtar në Zyrën Ovale, janë bërë virale në mediat sociale këtë fundjavë.
Kritikët menjëherë shfrytëzuan rastin për të vënë në pikëpyetje aftësinë e tij për të punuar dhe shëndetin e tij, raporton CNN .
Pamjet kontroverse u xhiruan të enjten, ndërsa Trump ishte në Zyrën Ovale duke njoftuar uljet e çmimeve për ilaçet e njohura për humbje peshe.
Fotot tregojnë presidentin duke i mbajtur sytë mbyllur në disa momente, ndërsa në të tjera duket sikur po “lufton” të qëndrojë zgjuar, duke fërkuar herë pas here fytyrën.
DOZY DON IS BACK! pic.twitter.com/TQHaMi9YaF
— Governor Newsom Press Office (@GovPressOffice) November 7, 2025
Ndër të parët që folën ishte zyra e Guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, një nga kundërshtarët më të zëshëm të Trump, i cili postoi foto në rrjetet sociale me mesazhin: “Doni i përgjumur është kthyer”
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, i mohoi akuzat. “Presidenti nuk flinte; në fakt, ai foli gjatë gjithë kohës dhe iu përgjigj shumë pyetjeve të gazetarëve gjatë këtij njoftimi, i cili përfaqëson një ulje historike të çmimit për amerikanët për dy ilaçe që ndihmojnë amerikanët që luftojnë me diabetin, sëmundjet e zemrës, obezitetin dhe probleme të tjera shëndetësore.”
Pavarësisht kësaj, Trump mban rregullisht fjalime të gjata dhe u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, dhe ndihmësit e tij shpesh e lavdërojnë qëndrueshmërinë e tij.
Vetëm një ditë para ngjarjes kontroverse, ai mbajti një fjalim në Miami që zgjati më shumë se një orë, dhe në fund të muajit të kaluar u kthye nga një turne i mundimshëm në Azi.
Megjithatë, pyetjet në lidhje me shëndetin e Trump nuk janë shuar që kur ai mori detyrën si presidenti më i vjetër në histori. Trump 79-vjeçar zbuloi muajin e kaluar se i ishte nënshtruar një rezonance magnetike , pa dhënë një arsye. Gjatë verës, Shtëpia e Bardhë tha se mjekët e diagnostikuan atë me pamjaftueshmëri kronike venoze pasi e ekzaminuan për ënjtje në këmbë.
Edhe presidentë të tjerë herë pas here janë shfaqur të lodhur në publik; madje edhe Barack Obama shumë më i ri ndonjëherë i fërkonte sytë gjatë takimeve të gjata.
Ironikisht, ishte Trump ai që kritikoi ashpër paraardhësin e tij Joe Biden për mungesën e energjisë, duke e quajtur atë “Xho i përgjumur” gjatë fushatës së vitit të kaluar. Vetë Biden, presidenti më i vjetër në histori, është fotografuar gjithashtu me sytë e mbyllur në disa raste gjatë ngjarjeve publike.