Gjashtë automjete janë përfshirë në një aksident në Komoran, në drejtimin Pejë-Prishtinë. Lajmi për Gazetën Express ishte konfirmuar nga Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Ai ka thënë se ka persona të lënduar, por pa specifikuar numër. Në vendin e ngjarjes kanë dalur edhe zjarrfikësit dhe njësia emergjencës.
“Sot, më datë 11.08.2025, rreth orës 18:20, është raportuar një aksident trafiku me gjashtë automjete të përfshira dhe persona të lënduar, i cili ka ndodhur te udhëkryqi, te ura në Komoran, në drejtimin Pejë–Prishtinë. Menjëherë pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ndërkohë që janë njoftuar edhe ekipet e emergjencës mjekësore dhe njësia e zjarrfikësve, për të reaguar për t’u ofruar ndihmën e nevojshme personave të përfshirë dhe për menaxhimin e situatës. Policia e Kosovës po kryen veprimet e nevojshme hetimore dhe menaxhimin e trafikut në atë segment rrugor, ndersa për detaje të tjera do të njoftoheni me kohë”, kishte thënë Hoxha. /Gazeta Express
Mediumi lokal “DrenicaOnline”, ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes.