Dalin listat e maturantëve fitues, në 29 gusht nis faza e parë e regjistrimit në universitete - Gazeta Express
string(92) "dalin-listat-e-maturanteve-fitues-ne-29-gusht-nis-faza-e-pare-e-regjistrimit-ne-universitete"

Shqiperi

Gazeta Express

26/08/2025 12:06

Dalin listat e maturantëve fitues, në 29 gusht nis faza e parë e regjistrimit në universitete

Shqiperi

Gazeta Express

26/08/2025 12:06

Të gjithë maturantët mund të njihen me listat paraprake të fituesve në portalin “U-Albania” përmes “Këndit të Maturantit”.

Për ata që janë shpallur fitues, emri shfaqet mbi vijën e kuqe, duke garantuar një vend të sigurt në programin e studimit.

Por edhe ata që janë poshtë vijës kanë ende shanse, pasi procesi i regjistrimit zhvillohet në faza 48-orëshe.
Maturantët që renditen pranë vijës së kuqe duhet të ndjekin me kujdes lëvizjen e saj dhe të përfitojnë në momentin që hapet regjistrimi.

Programet më të kërkuara, të cilat vijojnë të përzgjidhen nga të rinjtë, janë mjekësia e përgjithshme dhe arkitektura. Në mjekësi, me një kuotë prej 436 vendesh, vitin e kaluar fituesi i fundit u rendit me mesatare 9.69, i renditur në listën fillestare në vendin e 469. Ndërsa në arkitekturë, ku ka vetëm 90 kuota, vitin e kaluar edhe kandidati i renditur në vendin e 124 arriti të regjistrohej.

Të rinjtë duhet të tregojnë durim, pasi lëvizja e vijës së kuqe në vitet e kaluara u ka dhënë mundësi shumë aplikantëve që të ndjekin degën e tyre të preferuar.

Të mërkurën hapet edhe faza e ankimimeve, e cila zgjat vetëm një ditë, ku maturanti duhet të paraqitet në universitetin ku ka aplikuar. Nëse kërkesa e tij merret në konsideratë, lista do të rishikohet. Ndërkohë, më 29 gusht nis zyrtarisht procesi me 7 fazat 48-orëshe, ku çdo regjistrim apo dorëheqje liron vende për të tjerët në pritje.