Lindsey Vonn ka pësuar frakturë në këmbën e majtë pas rrëzimit të rëndë në finalen e zbritjes në Lojërat Olimpike Dimërore në Cortina.
Skiatorja amerikane u rrëzua pasi shtiza e djathtë preku një portë të jashtme pak para pikës së parë të matjes së kohës, duke e nxjerrë jashtë ekuilibrit dhe duke e bërë të përplasej fort në pistë para se të rrokullisej.
Ajo u trajtua fillimisht në vendngjarje dhe më pas u transportua me helikopter mjekësor drejt spitalit “Ca’ Foncello” në Cortina.
Spitali konfirmoi se Vonn iu nënshtrua një operacioni ortopedik për stabilizimin e frakturës në këmbën e majtë dhe se po trajtohet nga një ekip multidisiplinar.
Sipas ekipit amerikan të skive, 41-vjeçarja ndodhet në gjendje stabile, por pritet një proces i gjatë rikuperimi.
Vonn synonte të bëhej skiatorja më e moshuar që fiton medalje olimpike në ski alpine.
Ajo kishte vendosur të garonte vetëm nëntë ditë pasi kishte këputur ligamentin e përparmë të kryqëzuar (ACL) në gjurin e majtë gjatë një gare të Kupës së Botës.
Shefja e sportit për “US Ski and Snowboard”, Anouk Patty, tha se legjenda e skive “do të jetë mirë”, por rikuperimi do të marrë kohë, duke theksuar rrezikun e madh të këtij sporti.
Ndërkohë, gara u ndërpre për rreth 20 minuta pas aksidentit dhe medaljen e artë në zbritje e fitoi bashkëkombësja e saj Breezy Johnson, e cila tha se kishte marrë lajmin se Vonn po e përkrahte nga helikopteri mjekësor./GazetaExpress/