Ndërsa hetimet zyrtare për pretendimet tronditëse se të huaj të pasur gjatë rrethimit të Sarajevës paguanin për të qëlluar mbi civilë aktualisht po zhvillohen vetëm në Itali, britaniku Daily Mail raporton se ky rast mund të hapë një zinxhir ndërkombëtar hetimesh. Sipas gazetës, iniciativa e gazetarit italian Ezio Gavazzeni mund të bëhet pikënisja e përfshirjes së vendeve të tjera në zbardhjen e së vërtetës.
Raporti i Daily Mail fillon me rastin e vogëlushes Irina Cishiq, e cila u vra nga plumbi i një snajperi më 1993, vetëm katër ditë pas ditëlindjes së saj të parë. Ajo është një nga 11.541 civilët e vrarë gjatë viteve 1992–1996, përfshirë 1.601 fëmijë, gjatë rrethimit të Sarajevës.
Gazeta britanike shkruan se hetimet në Itali po shqyrtojnë dyshimet se qytetarë shumë të pasur nga Italia, Kanadaja, Rusia dhe SHBA-ja udhëtonin në zonat e luftës, duke paguar shuma marramendëse – nga 70.000 deri në 88.000 paund – për të marrë pjesë në atë që quhej “safari njerëzor”. Sipas pretendimeve, çmimi rritej edhe më shumë nëse targeti ishte fëmijë.
Daily Mail thekson se këto zbulime, megjithëse tingëllojnë të pabesueshme, mund të shmangin fazën e thashethemeve dhe të hapin terren për hetime të koordinuara ndërkombëtare. Gazeta rikujton se spekulime për “turistë snajperistë” janë dëgjuar për më shumë se një dekadë.
Raporti përfshin edhe dëshmi të mëhershme, përfshirë ato të ish-marinsit amerikan John Jordan në Tribunalin e Hagës, si dhe pamjet e njohura të nacionalistit rus Eduard Limonov që qëllonte me armë drejt Sarajevës në vitin 1992, të dokumentuara në filmin “Serbian Epics”.
Sipas Daily Mail, dokumentari slloven “Sarajevo Safari” nga viti 2022, i cili përmban dëshmi të reja për pjesëmarrje të të huajve në vrasje civilësh, i hapi rrugë rifillimit të interesimit ndërkombëtar për këtë çështje.
Iniciativa më e fundit që po tërheq vëmendje ndërkombëtare është padia e gazetarit italian Ezio Gavazzeni, i cili kërkon hetime të thelluara mbi atë që ai e quan “krim i organizuar ndërkombëtar me pjesëmarrje njerëzish të pasur dhe me pushtet”. Ai deklaron se për rastin kanë dijeni edhe shërbimet e inteligjencës së Bosnjës, të cilat dyshojnë se në logjistikën e këtyre “safarive” mund të ketë luajtur rol edhe ish-Sigurimi Shtetëror i Serbisë.
Daily Mail paralajmëron se presioni publik dhe politik po rritet, dhe se hetimet mund të mos kufizohen më vetëm në Itali. Gazeta përmend edhe reagimin e kongresmenes amerikane Anna Paulina Luna, e cila tha se ka nisur një procedurë zyrtare verifikimi dhe se çdo amerikan i përfshirë “duhet të ndiqet penalisht”.
Nga ana tjetër, ish-ushtarakë serbë i kanë mohuar kategorikisht këto akuza, duke i cilësuar si të pavërteta.
Megjithatë, sipas Daily Mail, duke pasur parasysh peshën e provave të reja dhe presionin e aktorëve ndërkombëtarë, ekziston mundësia reale që në hetimet e ardhshme të përfshihen edhe shtete të tjera që dyshohet se mund të kenë pasur qytetarë të implikuar në këtë aktivitet makabër gjatë viteve të luftës në Bosnje.
Në Reisebüro Prishtina, ne jemi këtu për t’ju bërë çdo udhëtim të thjeshtë, të sigurt. Me përvojë shumëvjeçare dhe...