Daçiq: Nëse s'do ta formonte Kosova Gjykatën Speciale, atë do ta bënte Këshilli i Sigurimit - Gazeta Express

Daçiq: Nëse s’do ta formonte Kosova Gjykatën Speciale, atë do ta bënte Këshilli i Sigurimit

Lajme

Gazeta Express

14/01/2021 10:49

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se e ka pritur qëmoti arrestimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-udhëheqësve tjerë politikë e ushtarakë të UÇK-së.

Daçiq tha se Gjykata Speciale është rezultat i presionit të madh publik pas raportit të Dick Martyt, dhe se nëse Kosova s’do ta formonte këtë gjykatë, ajo do të ngritej përmes Këshillit të Sigurimit, transmeton Gazeta Express.

“Sinqerisht, e prisja shumë më herët. Ajo gjykatë nuk ka bërë asgjë për vite me radhë kur bëhet fjalë për ngritjen e aktakuzave. Por duhet të them se kjo gjykatë nuk ishte rezultat i vullnetit të mirë të bashkësisë ndërkombëtare, por i një presioni të madh publik pas raportit të Dick Martyt. Nëse Kosova nuk do të kishte rënë dakord ta formonte një gjykatë me seli në Hagë, do ta kishte formuar Këshilli i Sigurimit, ishte vendim shumë i qartë”, tha Daçiq për portalin serb në Kosovë, “Kosovo Online”.

Ai tha se është koha për drejtësi dhe pajtim dhe se të gjithë ata që kanë kryer krime duhet të dënohen.

“Mbi të gjitha, është koha për drejtësi dhe pajtim. Kjo do të thotë që ne duhet të përpiqemi që të gjitha krimet të hetohen dhe sanksionohen. Kushdo që ka kryer krimet duhet të mbajë përgjegjësi. Pavarësisht nëse është serb apo shqiptar, nuk ka rëndësi”, tha Daçiq. /Express/