D+: Nëpunësve civilë të ish-ministrive nuk duhet t’u shkëputen kontratat - Gazeta Express

Gazeta Express

25/02/2020 8:22

Me i fundit

D+: Nëpunësve civilë të ish-ministrive nuk duhet t’u shkëputen kontratat

Gazeta Express

25/02/2020 8:22

Organizata “Demokraci Plus” ka mbajtur dje një tryezë diskutimi lidhur me dyfishimin e pozitave të nëpunësve civilë si rrjedhojë e ristrukturimit të Qeverisë nga 21 në 15 ministri, në të cilën morën pjesë përfaqësues të ministrive të ndryshme, të Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe të shoqërisë civile

Pavarësisht që disa nga nëpunësitë civilë nuk do të punojnë më në ministritë ku ishin më herët, sipas kësaj organizate, asnjërit prej nëpunësve civilë në vend nuk duhet t’i shkëputet kontrata. Sipas tyre, Qeveria duhet t’i risistemojë ata në ministritë përkatëse, ku edhe janë bashkuar së fundmi, në të kundërtën largimi i tyre nga puna do të jetë i paligjshëm.

Lexo Edhe:

pressing

Analisti i politikave Visar Rushiti theksoi që në rast se Qeveria dëshiron ta zvogëlojë numrin e nëpunësve civilë, atëherë një propozim është që të ndalojë rekrutimin derisa të dihet se ku do të risistemohen këta të fundit. Sipas tij, Qeveria e ka për obligim t’i risistemojë të gjithë nëpunësitë civilë tepricë, të cilët pas bashkimit të disa dikastereve nuk janë përcaktuar ende se në cilën ministri do të punojnë.

Në të kundërtën, sipas Rushitit, largimi i tyre nga puna do të ishte një veprim i kundërligjshëm.

“Qeveria do të duhej të mos ndërmarrë ndonjë veprim tash për tash, sepse nesër do të kthehet në fuqi Ligji për Zyrtarët Publikë dhe që krejt risistemimi do të bëhet sipas rregullimit të këtij ligji, ashtu siç e ka përcaktimin edhe për nëpunësitë civilë tepricë. Mund të ndodhë që Gjykata Kushtetuese, hipotetikisht po e them, nuk e kthen më në fuqi Ligjin për Zyrtarë Publikë, ndoshta i shfuqizon disa nene dhe ka mundësi që e kthen ligjin në fuqi”, ka thënë Rushiti.

Sipas tij, Qeveria duhet t’i definojë rolin dhe përgjegjësitë e ministrive e që sipas tij ndihmojnë edhe në krijimin e detyrave dhe të përgjegjësive të ministrive, që posa janë krijuar.

“Një rekomandim për Qeverinë do të ishte që të mos ketë një bashkim të pjesëve në një tërësi e ku pastaj mund të krijohet një lëmsh, ku më nuk dihet se kush çfarë bën, por duhet që të hapë mandatin, detyrat dhe përgjegjësitë e secilës pjesë që është aty dhe të shkruajë një definim për rolin dhe për përgjegjësitë e secilës ministri. Mund të ndodhë që kur të trajtohen dhe të definohen detyrat dhe përgjegjësitë e secilit të krijohen departamente të reja, të cilat mund të tërheqin pozita të njëjta të ministrive që janë bashkuar”, ka thënë më tutje ai.

Rushiti theksoi se riorganizimi dhe risistemimi duhet të bëhen njëlloj për të gjitha ministritë e prekura.

“Qeveria duhet të mos e shohë procesin e riorganizimit vetëm në mënyrë të izoluar si pjesë-pjesë. Pra të merret vetëm me një ministri, por jo edhe me një tjetër. Pra kemi 6 ministri që po bashkohen me 15 ministri të tjera, që të bëhet një organizim i mirëfilltë. Nuk ka arsye se pse të mbetet një ministri e paprekur në pjesën e riorganizimit dhe të risistemimit e që të tjerat të mbesin”, ka thënë Rushiti.

Në anën tjetër Valon Ramadani, anëtar i Komisionit për Qeverisje Lokale, për Administratë Publike dhe për Zhvillim Rajonal, pohoi se për t’u përmirësuar kjo gjendje është e domosdoshme të reformohet administrata. Ai vuri në pah nevojën e shtimit të inspektorëve nga 60 sa janë tani në 400.

Ramadani theksoi se duhet pritur edhe vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, si instanca më kompetente për shqyrtimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, që është në shqyrtim e sipër./Zëri