Një emër surprizë është shtuar në listën e ngushtë të kandidatëve për trajner te Manchester United përpara kësaj vere, sipas raportimeve.
Michael Carrick aktualisht është në detyrë si trajner i përkohshëm deri në fund të sezonit, pasi zëvendësoi Ruben Amorim, i cili u shkarkua muajin e kaluar.
United ka fituar pesë nga gjashtë ndeshjet nën drejtimin e Carrick, ndërsa ndeshja tjetër përfundoi 1-1 ndaj West Ham United.
Carrick është përpjekur të distancohet nga spekulimet se synon të qëndrojë në klub përtej fundit të sezonit, megjithëse në një intervistë për “BBC Sport” me Mark Chapman në fillim të shkurtit tha: “Nuk vendos unë sa do të zgjasë kjo [sa do të qëndroj], por më pëlqen të jem këtu dhe, për aq kohë sa jam, do të jap gjithçka që mundem dhe do të planifikoj për të ardhmen afatgjatë dhe për të mirën e klubit. Kështu besoj se duhet të jetë.”
Plani afatgjatë i United, siç duket, është të emërojë një pasues të përhershëm të Amorim këtë verë.
Ish-trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, trajneri aktual i Anglisë, Thomas Tuchel, si dhe trajneri i Crystal Palace, Oliver Glasner, janë lidhur me këtë rol javët e fundit.
Tuchel tani është hequr nga lista pasi ka rënë dakord për një zgjatje kontrate me Anglinë, ndërsa Glasner mund të bëhet i disponueshëm para fundit të sezonit.
Austriaku njoftoi në janar se do të largohet nga posti i tij në “Selhurst Park” këtë verë, por që nga ai moment ka kaluar një periudhë shumë të dobët forme dhe kritikoi publikisht tifozët e klubit pas barazimit 1-1 kundër HŠK Zrinjski Mostar në Ligën e Konferencës.
Nuk është e qartë nëse muaji i fundit i ka dëmtuar ndjeshëm reputacionin Glasnerit sa i përket gjetjes së një klubi të ri – por United raportohet se ka shtuar një tjetër emër në listën e saj.
Sipas gazetarit Ben Jacobs, drejtuesit e United kanë zhvilluar “diskutime të brendshme” për mundësinë e emërimit të trajnerit të Portugalisë, Roberto Martínez, pas përfundimit të Kupës së Botës këtë verë.
Martinez, 52 vjeç, ka pasur periudha në Premierligë me Wigan Athletic dhe Everton, duke e mbajtur Wiganin në elitë për disa sezone me një nga buxhetet më të ulëta të kampionatit.
Sezoni 2012/13 përfundoi me spanjollin që udhëhoqi Wiganin drejt triumfit në FA Cup, por gjithashtu edhe rënies nga kategoria, dhe ai u largua atë verë për të zëvendësuar David Moyes te Everton.
Sezoni i tij i parë te Everton ishte shumë i suksesshëm, me afrimet si Gareth Barry, James McCarthy, Gerard Deulofeu dhe Romelu Lukaku që rezultuan kyçe.
Everton ishte në katër vendet e para drejt fundit të sezonit, por në fund përfundoi në vendin e pestë.
Megjithatë, Martinez nuk arriti ta përsërisë atë sukses në sezonet pasuese, me një përfundim në vendin e 11-të që shkaktoi pakënaqësi te tifozët e Evertonit për të ardhmen e tij.
Spanjolli u shkarkua me Evertonin në vendin e 12-të, para ndeshjes së fundit të sezonit 2015/16.
Që atëherë, ai e ka rindërtuar reputacionin e tij përmes eksperiencave në futbollin ndërkombëtar me Belgjikën dhe Portugalinë, duke e udhëhequr këtë të fundit drejt titullit në Ligën e Kombeve 2024/25.
Kjo ka bërë që emri i tij të përmendet shpesh sa herë që hapen poste të rëndësishme – megjithëse tifozët e United duket se nuk kanë reaguar mirë ndaj raportimeve se ai mund të bëhet trajneri i ri.
“Shpresojmë që kjo të mbetet vetëm diskutim i brendshëm,” shkroi një tifoz.
“Kjo duhet të jetë shaka,” tha një tjetër.
Ndërsa një i tretë deklaroi: “Më mirë të mbajmë Carrickun. Emërimi i Roberto Martinez do të ishte një hap prapa”./GazetaExpress/