Marc Cucurella e ka zbuluar një prapaskenë që kishte ndodhur gjatë Botërorit të Klubeve, i cili u mbajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mbrojtësi i Chelseat ka folur për momentin kur presidenti amerikan, Donald Trump ia kishte ndarë medaljet ekipit fitues, në këtë rast “Blues”, të cilët në finale e mposhtën Paris Saint-Germainin, shkruan “Gazeta Express”.
Madje, mbrojtësi spanjoll zbulon se Trump e kishte marrë me vete një medalje gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, krahas trofeut, që ia kishte dhuruar paraprakisht presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino.
“Ishte një eksperiencë, është e qartë. Ai mbeti aty në podium për ta festuar me ne titullin. Por, nga ana tjetër, ne thamë se nuk do të festonim derisa ai të shkonte. Dhe, fakt është që Trump nuk dëshironte të largohej. Dëshironte të qëndronte aty. Madje, e mori edhe një medalje të kampionëve, të cilën e pash në zyrën e tij në Shtëpinë e Bardhë”, u shpreh mbrojtësi i majtë për mediumin spanjoll “AS”.
Tutje, ai foli edhe për eksperiencën në Botërorin e Klubeve, i cili u mbajt për herë të parë në formatin e ri, ndonëse pati vështirësi, sidomos me temperaturat e larta.
“Shpresoj që gjërat të përmirësohen në Kupën e Botës, sepse ishte e vështirë të luaje në ato kushte, me një të nxehtë aq të madh. Shpresoj që gjërat të përmirësohen në verën e ardhshme”, nënvizoi tutje futbollisti spanjoll.
“Ne në mesin e favoritëve? Spanja do të jetë kandidate sepse jemi kampionë të Evropës në fuqi, e kemi nivelin dhe entuziazmin. Të shohim nëse do t’i mbyllim kualifikimet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të arrijmë në Botëror në formë të mirë”, përfundoi Cucurella. /Gazeta Express