Cucurella e ‘ndez’ ndeshjen Chelsea – Barcelona me deklaratën e tij - Gazeta Express
string(64) "cucurella-e-ndez-7ndeshjen-chelsea-barcelona-me-deklaraten-e-tij"

Futboll

Gazeta Express

24/11/2025 19:04

Cucurella e ‘ndez’ ndeshjen Chelsea – Barcelona me deklaratën e tij

Futboll

Gazeta Express

24/11/2025 19:04

Takimi mes Chelseat dhe Barcelonës ka një vëmendje të qartë: përplasjen mes Lamine Yamal, xhevahirit më të ndritshëm të Barçës, dhe Marc Cucurellas, njërit prej mbrojtësve më solid në Premierligë.

Ish-lojtari i Barçës nuk iu shmang temës dhe pranoi se përballja do të jetë “një betejë e vështirë”, duke këmbëngulur se nuk do të jetë një duel personal: “Nuk është Lamine kundër Cucurella,” paralajmëroi ai.

Megjithatë, sfida është reale. Lamine vjen në formë fantastike dhe mbetet kërcënimi më i rrezikshëm një kundër një në skuadrën blaugrana.

Cucurella e di mirë këtë dhe po përgatitet mendërisht për një duel që mund ta ndryshojë ndeshjen.

“E njoh pak dhe kam mbështetjen e ekipit tim. Do të jetë një ndeshje e vështirë,” pranoi ai, i vetëdijshëm se 18-vjeçari mund të çmontojë mbrojtjet vetëm me një lëvizje.

Mbrojtësi spanjoll hyn në ndeshje me vetëbesim: “Kemi një skuadër të shkëlqyer dhe po luajmë mire”.

Ai beson se Chelsea është rritur ndjeshëm javët e fundit dhe se kjo formë mund t’i ndihmojë kundër një kundërshtari kaq kërkues. Konteksti e bën gjithçka edhe më të vështirë: një javë me përballje ndaj Barçës dhe Arsenalit, dy ndeshje që tregojnë realisht nivelin e projektit të Enzo Marescas.

Në aspektin personal, Cucurella theksoi se po përjeton një moment të veçantë. Përballja me klubin ku u formua sjell emocione të përziera, por ai mbetet i qetë: “Nuk mendoj shumë për të kaluarën. Jam shumë i lumtur me karrierën time”.

Duke parë përpara përballjes, Cucurella pranon se çelësi do të jenë duelet individuale – sidomos ato kundër Lamine.

“Duhet t’i fitosh një kundër një. Çelësi është t’ua marrësh topin,” tha ai, duke e ditur se Barça synon të kontrollojë ndeshjet përmes posedimit dhe të krijojë avantazhe rreth supertalentit të ri.

Spanjolli e theksoi se beteja do të jetë kolektive, por nuk e fshehu të vërtetën: ndalimi i Lamine Yamal do të jetë vendimtar nëse Chelsea dëshiron të diktojë ritmin.

Presioni i lartë, intesiteti dhe agresiviteti do të jenë thelbësore për të mos e lënë anësorin e Barçës të gjejë hapësirë.

“Do të jetë një betejë e mirë me Lamine. Po e presim me padurim,” shtoi ai me një buzëqeshje konkurruese që tregoi adrenalinën e asaj që po vjen./GazetaExpress/