Covid-19, Komuna e Podujevës ndan edhe 125 mijë euro për familjet në nevojë - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

02/04/2020 14:34

Covid-19, Komuna e Podujevës ndan edhe 125 mijë euro për familjet në nevojë

Lajme

Gazeta Express

02/04/2020 14:34

Pas situatës në të cilën ndodhemi, ku vendi po përballet me pandeminë globale COVID-19, Komuna e Podujevës ka vendosur që në mbledhjen e  jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, të ndajë për familjet në nevojë 125 mijë euro. Kjo shifër rrumbullakon kështu shumën prej 362,000 euro që është ndarë për menaxhimin e kësaj situate, transmeton IndeksOnline.

Me anë të këtyre mjeteve financiare, familjeve në nevojë do tu ofrohet mbështetje me pako ushqimore dhe higjenike.

Po ashtu në këtë mbledhje, sic bëhet e ditur nga kjo komunë janë marrë disa vendime të tjera, si për lirimin nga taksa komunale për të gjitha subjektet afariste si dhe vendimin për lirim  nga pagesa e qirasë për të gjithë shfrytëzuesit e pronës komunale për vitin 2020.

Ky është njoftimi i plotë i kësaj komune:

Kuvendi i Komunës së Podujevës miratoi disa vendime, si masa për parandalimin e COVID-19

Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e jashtëzakonshme, lidhur me masat për parandalimin dhe luftimin e Coronavirusit COVID-19, ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë 125,000 euro, ndihmë qytetarëve në nevojë me pako ushqimore dhe higjienike; vendimin për lirimin nga taksa komunale e të gjitha Subjekteve afariste që ushtrojnë veprimtari në territorin e Komunës së Podujevës për vitin 2020 si dhe; vendimin për lirim nga pagesa e qirasë për të gjithë shfrytëzuesit e pronës Komunale për vitin 2020.

Kuvendi i Komunës së Podujevës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, të cilën e udhëhoqi kryesuesi Fatmir Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive.

Nënkryetari i Komunës, Nexhmi Rudari, prezantoi një Informatë rreth aktiviteteve, masave dhe menaxhimit të situatës nga Coronavirusi COVID-2019. Ai tha se nga marsi kur është paraqitur rasti i parë me të infektuar me këtë virus është ngritur Komisioni komunal për veprime dhe masave parandaluese e mbrojtëse nga COVID-19 .

Nënkryetari Rudari përmendi veprimet e ndërmarra në parandalimin e këtij virusi, duke thënë se janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme  preventive nga institucionet shëndetësore, policia, inspektorati komunal dhe organet e tjera, konform rekomandimeve të IKSHP, Ministrisë së Shëndetësisë dhe vendimeve të Qeverisë.

“Për menaxhimin e situatës dhe ndërmarrjen e masave preventive ndaj COVID-19, deri tani Komuna ka ndarë  237,000  euro”, tha nënkryetari Rudari, duke potencuar se deri tani janë ndarë 133,000 euro në sigurimin e mjeteve mbrojtës për personelin shëndetësor, ndërsa për dezinfektimin e objekteve dhe hapësirave publike si dhe shtëpive në fshatrat ku janë paraqitur rastet me të infektuar, janë ndarë 94 mijë euro nga buxheti i Komunës.

“Me shumë e mjeteve të propozuar për miratim sot, prej 125. 000 euro, shuma e përgjithshme e mjeteve të ndara deri tash nga Komuna për menaxhimin e kësaj situate do ta arrijë shifrën prej 362,000 euro”, tha nënkryetari Rudari.

Nënkryetari Rudari falënderoi edhe donatorët e shumtë, të cilët në këtë situatë të pandemisë kanë ndihmuar familjet me gjendje të rëndës sociale, me fokus të veçantë ato në tri fshatrat që janë në karantinë.

“Një falënderim i veçantë për donatorët e shumtë, vullnetarët dhe punëtorët e Kryqit të Kuq të Kosovës në Podujevë si dhe për të gjithë qytetarët që janë treguar të kujdesshëm dhe të disiplinuar në zbatimin e urdhrave dhe rregullave të IKSHP, Policisë dhe Shtabit emergjent në Podujevë”, tha nënkryetari Rudari.

Pas diskutimeve, në mbledhjen e sotme të jashtëzakonshme, Kuvendi miratoi vendimin për ndarjen e mjeteve financiare në shumë 125,000 euro, ndihmë qytetarëve në nevojë me pako ushqimore dhe higjienike;

-vendimin për lirimin nga taksa komunale e të gjitha Subjekteve afariste që ushtrojnë veprimtari në territorin e Komunës së Podujevës për vitin 2020 si dhe;

-vendimin për lirim nga pagesa e qirasë për të gjithë shfrytëzuesit e pronës Komunale për vitin 2020.