COVID-19 dhe domosdoshmëria e reformës së BE-së - Gazeta Express
string(47) "covid-19-dhe-domosdoshmeria-e-reformes-se-be-se"

COVID-19 dhe domosdoshmëria e reformës së BE-së

Gazeta Express

23/04/2020 21:20

BE-ja si një nga organizatat rajonale më të avancuara që ka njohur njerëzimi deri më tani, si duket do të ketë një sfidë jo të lehtë edhe pas tejkalimit të pandemisë globale të shkaktuar nga Coronavirusi, që tashmë njihet si COVID-19 dhe që me plot të drejtë mund të quhej edhe si Wuhan-19.

Shkruan: Bashkim SMAKAJ

Lexo Edhe:

Traktati i Lisbonës, i cili hyri në fuqi në vitin 2009, me ratifikimin që iu bë nga vendet anëtare të BE-së pas periudhës së zhgënjimit që kishte kapluar këto vende me dështimin e ratifikimit të Kushtetutës së BE-së në vitin 2005, në vazhdimësi ishte cilësuar si traktati i reformave të thella të Unionit Evropian. Ai ishte vlerësuar si një traktat që do t’i plotësonte nevojat e domosdoshme për funksionimin e unionit si një trup i vetëm.

Situata e krijuar nga pandemia globale po e dëshmon të kundërtën, pa lënë anash edhe situatat tjera me të cilat unioni ka pasur vështirësi të vazhdueshme.

Kujtojmë që në bazë të këtij traktati, BE-ja, përveç tjerash, ka përgjegjësi edhe për parandalimin dhe menaxhimin e epidemive, identifikimin e burimit të kërcënimit të shëndetit publik dhe harmonizimin e strategjive të shëndetit publik të vendeve anëtare të Unionit Evropian.

BE-a u tregua shumë e ngathtë në gjithë këtë fushëveprim të saj, që ishte edhe obligues për institucionet evropiane në bazë të këtij traktati.

Po ashtu, u tregua shumë e ngathtë edhe në ndërmarrjen e masave të domosdoshme për parandalimin e përhapjes së COVID-19 në hapësirat e BE-së, përkundër që përhapja pritej që nga shfaqja e këtij virusi në fundin e vitit 2019. As nuk kishte qasje uniforme në parandalimin e pandemisë. As nuk kishte qasje uniforme në menaxhimin e situatës me pandeminë. Dhe, as nuk kishte qasje uniforme për t’iu dalë në ndihmë shteteve anëtare të Unionit Evropian, për të mos thënë që edhe koha e reagimit të saj lë shumë për të dëshiruar.

BE-ja asnjëherë nuk ka pasur mungesë të rregulloreve, udhëzimeve apo direktivave, por dobësia më e madhe e saj në ballafaqim me situatat kritike çdoherë ka qenë zbatimi i këtij korpusi legjislativ. Pra, konvertimi i teorisë në praktikë.

Në traktatin e saj, BE-ja ka paraparë bazë të mjaftueshme ligjore për t’u marrë me situata të tilla, si kjo me COVID-19, saktësisht në nenin 114 dhe nenin 168 të TFEU. Ajo e ka strategjinë e njohur gjithëpërfshirëse për shëndetin “Health for Growth 2014-2020”, kuptohet në letër, si për shumë çështje të tjera. Por, e ka edhe fondin social ESF dhe atë për vitet 2021-2027, të njohur si ESF+.

Politika/Strategjia e BE-së për shëndetin ka tri objektiva strategjike:

1. Nxitjen e shëndetit të mirë, që si fokus kryesor ka çështjet e shëndetit për personat e moshuar në kuadër të vendeve anëtare të Unionit Evropian.

2. Mbrojtjen e qytetarëve nga kërcënimet shëndetësore, me theks të veçantë nga epidemitë e ndryshme dhe bioterrorizmi.

3. Mbështetjen e sistemeve dinamike shëndetësore, që si fokus ka ndihmën vendeve anëtare për të ndërtuar një sistem të qëndrueshëm shëndetësor.

Sa i përket pikës së parë të kësaj objektive të BE-së vështirë që mund të thuhet se është treguar ndonjë rezultat pozitiv. Këtë e dëshmojnë edhe rezultatet e vdekjeve të shumta të personave të moshuar, si në Itali, Spanjë dhe vende të tjera të Unionit Evropian, ku e tërë sfida e ballafaqimit ka mbetur përgjegjësi individuale e vendeve evropiane, duke e vendosur në pikëpyetje edhe solidaritetin e gjithë Unionit Evropian.

Menaxhimi i rasteve të prekura me COVID-19 duket se më shumë është duke funksionuar në bazë të teorisë së njohur të Darvinit mbi seleksionimin natyror, ku i forti mbijeton, se në bazë të ndonjë strategjie evropiane për të cilën tash e sa vite paguajnë taksa qytetarët e Unionit Evropian. Fatkeqësisht, edhe kontributin më të madh si taksapagues evropianë e kanë padyshim shtetasit e vendeve që sot prijnë më numrin e vdekjeve.

Unioni Evropian dështoi edhe në ndërmarrjen e masave të domosdoshme për parandalimin e kësaj pandemie globale, duke qëndruar tejet i relaksuar që nga shfaqja e kësaj pandemie në krahinën e Wuhanit në Kinë. Madje, nuk dukej i shqetësuar për ndërmarrjen e masave të shpejta as pas përhapjes së pandemisë në Itali, deri sa u bë tepër vonë dhe virusi pushtoi kontinentin. Por, prapë dështoi në ndërmarrjen e masave uniforme për të gjitha vendet anëtare, duke e lënë tërë betejën në vullnetin dhe kapacitetet individuale të vendeve anëtare të familjes evropiane.

Po ashtu, Unioni Evropian u tregua i paaftë edhe në përmbushjen e prioritetit të tretë strategjikë të shëndetit publik, duke mos qenë në gjendje që t’i përkrahë vendet e veta anëtare në përballje me virusin COVID-19, që të mbajnë një sistem shëndetësor të qëndrueshëm. Shumë shpejt vendet individuale i harxhuan resurset bazë, sidomos ato njerëzore, për luftimin e pandemisë që përhapet me shpejtësinë e dritës. Ndërsa, në anën tjetër, vonesat në alokimin e asistencës nga Unioni Evropian për këto vende ngjasojnë shumë me shpejtësinë e breshkës.

Tashmë po bëhen dy muaj që nga përhapja e pandemisë në Evropë dhe shumica e vendeve ende nuk kanë arritur as që t’i shfrytëzojnë fondet e Unionit Evropian për arsye të burokracive të tij.

Ajo çfarë çdo shtet do të duhej të kuptonte është se edhe strategjitë më të mira të botës po t’i ketë, nëse nuk i vendosë në zbatim në kohën dhe vendin e duhur, do të jetë i barabartë me secilin shtet që nuk ka fare strategji.

BE-ja mund të ketë standarde tejet të mira të ushqimeve dhe produkteve ushqimore, por as kjo nuk është e mjaftueshme për ta mbrojtur shëndetin e popullsisë evropiane. Nga ajo çfarë kuptuam nga COVID-19 është se qoftë edhe një person i vetëm i ushqyer keq, në cilindo vend të botës, paraqet rrezik serioz për ndryshimin e tërë rendit global.

Me gjasë BE-ja do të ketë dy alternativa pas përfundimit të pandemisë, pasojat e të cilës vështirë se do të mund të përllogariten për një kohë tejet të gjatë. Optimisti më i madh do të thoshte që në vitin 2021 edhe mund ta kemi një ide se çfarë ka lënë prapa ky virus.

Alternativa e parë është që t’i rikthehet origjinës. Pra, në një union ekonomik dhe tregtar, prej nga e ka arritur suksesin e deritashëm. Ndërsa, çdo aspekt tjetër të mbetej përgjegjësi e secilit vend anëtar.

Dhe, alternativa e dytë është që Unioni Evropian t’i nënshtrohet reformave të thella dhe të lëvizë në një nivel tjetër nga ai që ndodhet sot. Në një nivel ku BE-ja do të ishte në gjendje të përballej në të gjitha sfidat globale si një trup i vetëm, në mënyrë efektive dhe efikase, jo më si një Mega Superstrukturë dhe Mega Superadministratë që lëvizë me shpejtësinë e një Sloby.

(Autori është Këshilltar për Siguri Kombëtare i Presidentit të Kosovës, ish-drejtor i AKI-së dhe ekspert i politikave të sigurisë)