Covid-19, detaje të reja rreth sëmundjes vdekjeprurëse - Gazeta Express

Covid-19, detaje të reja rreth sëmundjes vdekjeprurëse

Shneta

Gazeta Express

27/09/2020 20:50

Pothuajse 15% e formave të rënda të COVID-19 mund të shpjegohet nga anomalitë gjenetike dhe immune, që çojnë në dështimin e një molekule të fuqishme antivirale e prodhuar natyrshëm nga trupi në rast infeksioni, sipas një studimi të kryer nga një ekip franko -amerikan.

Ky hulumtim, i cili në mënyrë specifike tregon për një defekt që prek proteinat e sistemit imunitar, interferonët e tipit 1 (IFN), është detajuar në dy artikuj të botuar nga revista amerikane “Science”.

“Ky është një defekt në prodhimin ose veprimin e interferoneve të tipit 1”, theksoi profesor Jean-Laurent Casanova.

Studiuesit treguan te disa pacientë anomali gjenetike (mutacione të 13 gjeneve) të cilat ulin prodhimin e IFN-së të tipit I (në 3-4% të formave të rënda).

Ata, gjithashtu, identifikuan në pacientë të tjerë të moshës 25 deri 87 vjeç, një formë të sëmundjes autoimune, në këtë rast prani në nivele shumë të larta në gjak të antitrupave të drejtuar keq, të quajtur autoantitrupa.

Autoantitrupat neutralizojnë veprimin antiviral të IFN’së të tipit 1 (në të paktën 10% të formave të rënda të COVID-19) në vend që të sulmojnë virusin.

Kjo anomali prek më shumë burrat, sesa gra, sipas studimit, ndërsa sëmundjet autoimune (një mosfunksionim i sistemit imunitar që e bën atë të sulmojë disa nga përbërësit e tij normalë), në përgjithësi, prekin gratë më tepër.

Studimi sugjeron, gjithashtu, se frekuenca e këtyre antitrupave rritet me moshën.