COVID-19 apo Asociacioni po e bllokon dialogun - Çfarë thonë në Qeveri e çfarë thotë Vjosa Osmani? - Gazeta Express
string(89) "covid-19-apo-asociacioni-po-e-bllokon-dialogun-cfare-thone-ne-qeveri-e-cfare-vjosa-osmani"

Lajme

Arlena Krivenjeva

27/11/2020 14:28

COVID-19 apo Asociacioni po e bllokon dialogun – Çfarë thonë në Qeveri e çfarë thotë Vjosa Osmani?

Lajme

Arlena Krivenjeva

27/11/2020 14:28

U.d. e presidentit, Vjosa Osmani, thotë se nuk pranon në asnjë formë që tema e Asociacionit të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi e këtë shton se ia ka bërë të qartë edhe kryeministrit Avdullah Hoti. Çështja e komunave me shumicë serbe që i dha një grusht të fortë rrjedhës së bisedimeve për paqe mes Prishtinës dhe Beogradit po mohohet të ketë ndikuar që dialogu të mos vazhdojë me intensitetin që kishte nisur. Në Qeveri thonë se s’ka datë për takimin e radhës, shkruan Gazeta Express

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Pak ditë pasi që zyrtarisht u ul në karrigen më të rëndësishme të shtetit, u.d. e presidentit, Vjosa Osmani, priti në takim kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Në këtë takim, udhëheqësja e politikës së jashtme i tha kryeministrit Avdullah Hoti si shef i dialogut se nuk pranon që në bisedime të diskutohet edhe për Asociacionin.

Në Presidencë thonë për Gazetën Express se Osmani nuk e ka dhënë asnjëherë pajtimin që Asociacioni të jetë pjesë e dialogut.

“U.d. e Presidentit, Vjosa Osmani asnjëherë nuk ka dhënë pajtim që Asociacioni të bëhet pjesë e dialogut në Bruksel. Këtë pëlqim nuk e ka dhënë as Kuvendi”, thotë Presidenca, duke shtuar se këtë çështje u.d. e presidentit ia ka përsëritur edhe kryeministrit.

“Këtë gjë u.d.Presidentit e ka bërë të qartë edhe në takimin me kryeministrin Hoti, me institucione të tjera si dhe në çdo paraqitje publike të saj”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

Rikthimi i temës së Asociacionit në tavolinë të dialogut e ka turbulluar rrjedhën e bisedimeve Kosovë-Serbi, që me ndërmjetësimin e BE-së po tentonte të finalizohej me marrëveshje të paqes.

Kosova nuk pranon që kjo çështje të diskutohet edhe një herë, derisa, në Serbi insistojnë me bllokim të dialogut.

Ka tashmë disa muaj që Kosova dhe Serbia nuk janë ulur në bisedime të nivelit të lartë të liderëve. Takimi i fundit mes dy vendeve është bërë në nivel të ekspertëve e është mbajtur me datë 29 tetor në Bruksel.

Pavarësisht se Hoti dhe Vuçiq ka kohë që nuk kanë diskutuar me ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Mirosllav Lajçak, në Qeverinë e Kosovës thonë se kjo nuk po ndodh për shkak të Asociacionit.

Sipas tyre, arsyeja kryesore pse nuk ka vazhduar dialogu është pandemia COVID-19. Deri më tani, në ekzekutiv i kanë thënë Gazetës Express se nuk ka datë të re të propozuar për takimin e radhës.

“Për shkak të valës së dytë të pandemisë Covid-19, Brukseli është komplet i mbyllur për takime. Tani për tani nuk ka asnjë datë të propozuar për takimet e radhës, sepse gjithçka po diktohet nga situata me pandeminë C-19”, thonë nga zyra e kryeministrin për Gazetën, derisa bëjnë të ditur se pos pandemisë nuk ka asnjë pengesë tjetër.

“Përndryshe grupet punuese janë duke i vazhduar përgatitjet për takimet e grupeve teknike, sapo të krijohen rrethanat. Nuk ka asnjë pengesë tjetër. Takimi i fundit ka qenë me 29.10.2020”, thonë nga Qeveria.

Në takimin e 29 tetorit, koordinatori i Kosovës për dialog, Skënder Hyseni dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq kanë diskutuar për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjeve të pronës midis dy vendeve.

Në Bashkimin Evropian, ashtu si në Qeveri të Kosovës, mohojnë që ka ndonjë çështje që i ka larguar palët prej tavolinës së bisedimeve, duke thënë se sapo të krijohen kushtet do të takohen përsëri Hoti dhe Vuçiq me ndërmjetësimin e Lajçakut. /GazetaExpress/