Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, në vizitën e tij në Mal të Zi ka lavdëruar arritjet e këtij vendi drejt rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Costa tha se vendi i 28-të i BE-së më 2028 është një slogan i mirë për Malin e Zi, por ai u tregua edhe më optimist duke thënë se do të ishte arritje nëse kjo do të ndodhte edhe para këtij viti, raporton Gazeta Express.
“Të jesh shteti i 28-të anëtar i BE-së deri në vitin 2028 është një slogan shumë i mirë, por mund të jetë një arritje më e mirë të mbërrish atje përpara 2028-ës”, tha Costa në një konferencë të përbashkët për media me presidentin malazez, Jakov Milatoviq.
Costa tha se Mali i Zi është një nga shembujt më të mirë të momentit pozitiv të zgjerimit të BE-së.
“Veprimet tuaja kanë qenë të dobishme në ndërtimin e tij. Vetëm dje, Parlamenti Europian me një shumicë dërrmuese e njohu atë dhe përparimin e rëndësishëm që keni bërë. Tani është jetike të ruhet kjo qasje – të përqendroheni te objektivi dhe të mos ngadalësoni këtë kurs mbresëlënës”.
Costa në Podgoricë tha se zgjerimi është investimi më i rëndësishëm gjeopolitik në stabilitetin, paqen dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në të gjithë Europën.
“Është frymëzuese të shohësh se si Mali i Zi ka përparuar në rrugën e tij europiane. Është rezultat i ambicies, punës dhe fokusit tuaj për t’u bërë një shtet anëtar i BE-së. Ju po kryeni jo vetëm reformat, por gjithashtu ruani harmonizimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përkatësisht duke mbështetur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”.
Konsensusi politik dhe stabiliteti institucional janë jetik për anëtarësimin e plotë, tha Costa, ndërsa e theksoi edhe rëndësinë e mbajtjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore, “veçanërisht me ato vende, të cilat tashmë janë anëtare të Bashkimit Europian”.
“Kjo është pjesë e kritereve të anëtarësimit dhe një parakusht për anëtarësimin në BE”.
“”I nderuar President, i dashur Jakov, mezi pres të vazhdojmë punën tonë me ju – tashmë nesër në takimin tonë me Ursula von der Leyen dhe të gjithë liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor, për të kontribuar së bashku në suksesin e madh të këtij zgjerimi. Sidomos dhe para së gjithash me pranimin e Malit të Zi”.
Costa pas Malit të Zi sot pasdite do të vijë në Kosovë për t’u takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin në dorëheqje, Albin Kurti.