“Coronavirusi kërcënon Formulën 1” - Gazeta Express

Sport

Gazeta Express

06/04/2020 18:18

“Coronavirusi kërcënon Formulën 1”

Sport

Gazeta Express

06/04/2020 18:18

Ashtu si edhe shumë sporte të tjerë, edhe Formula 1 po kalon momente tepër të vështira për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që është krijuar për arsye të pandemisë së virusit COVID-19 dhe për të mbijetuar në një situatë të tillë sporti më i ndjekur i garave automobilistike ka nevojë për ndryshime rrënjësore.

Këtë herë ai që lëshon sinjale alarmi është drejtori ekzekutiv i ekipit McLaren Zak Brown që në mikrofonat e BBC foli ekskluzivisht gjerë e gjatë për problemet e shumta që po has aktualisht sporti elitar i automobilizmit. Sipas tij situata e tanishme ka për të lënë pasoja të tmerrshme te shumë skuadra dhe gjendja e vështirë që është krijuar kërcënon vetë Formulën 1.

48-vjeçari nga Shtetet e Bashkuara mendon se kostot duhet të reduktohen, madje drejtuesi i ekipit britanik beson se shifra e buxhetit e përcaktuar fillimisht në shumën 175 milionë dollarë, si limit për sezonin e vitit 2021, duhet që të ulet në mënyrë të ndjeshme, sepse sipas tij nëse situata e tanishme nuk administrohet siç duhet atëherë katër skuadra të këtij sporti rrezikojnë që të zhduken nga Formula 1.

Biznesmeni kalifornian që ka patur edhe një të kaluar si pilot i garave të ndryshme të automobilizmit, jeton prej kohësh në Mbretërinë e Bashkuar, ku madje në vitin 2018 u promovua në radhët e ekipit McLaren pikërisht në postin e Drejtorit Ekzekutiv të skuadrës së famshme britanike. Kriza aktuale sipas drejtuesit amerikan nuk po kërcënon thjesht dy ekipe të vogla sic mund të duket në pamje të parë por gjithë Formulën 1. Në mbledhjen e fillimit të javës është planifikuar nga drejtuesit e ndryshëm të skuadrave që të diskutohet një plan për të ulur shpenzimet, megjithatë jo të gjithë janë dakord.

Lajmet janë kontradiktore, megjithatë mendohet që një lloj ndarje në lidhje me reduktimin e kostove ka edhe mes vetë drejtuesve të skuadrave të mëdha të këtij sporti. Edhe vetë skuadra McLaren ka kaluar momente shumë të vështira gjatë viteve të fundit, madje edicionin e shkuar ekipi i dytë më i lavdishme britanik, pas skuadrës Williams ia doli mbanë për të siguruar podiumin e parë në Formula 1, që nga viti 2014, falë spanjollit Carlos Sainz Jr. në Çmimin e Madh të Brazilit, ndërsa në klasifikimin përfundimtar të vitit të kaluar piloti iberik bashkë me britanikun Lando Norris e renditën ekipin nga Woking në vendin e katërt, në renditjen e përgjithshme të konstruktorëve.

Drejtuesit e skuadrave kanë rënë dakord në parim kohë më parë për të reduktuar shpenzimet, megjithatë të gjitha planet për sezonin e 2021 do të duhet të shtyhen edhe me një tjetër vit, duke i shtrënguar ekipet për të garuar si në vitin 2020 ashtu edhe në 2021 me po të njëjtën makinë. Zac Brown konfirmoi rënien dakord nga ana e të gjitha palëve për të reduktuar shpenzimet deri në limitin e 150 milionë dollarëve, por sipas tij është e domosdoshme që të zbritet poshtë kësaj shifre. 48-vjeçari kalifornian nuk përmendi emra konkretë përsa i përket skuadrave që rrezikojnë pjesëmarrjen në Formula 1, sidoqoftë shefi i McLarenit beson se katër skuadra nuk do të ishin në gjendje për të mbijetuar në këtë sport me një situatë të tillë.

Mendohet se ekipi Mercedes e ka pranuar uljen e shpenzimeve, por skuadra si Ferrari apo Red Bull nuk janë dakord me ndryshime të tilla dhe janë duke bërë rezistencë. Zac Brown ka propozuar si kufi ndarës një limit prej 100 milion, por gjithsesi për të kaluar një krizë të tillë shefi i McLarenit është gati për të negociuar edhe në një shifër kompromisi prej 125 milionë dollarësh. Sipas tij reduktimi i shpenzimeve në një nivel të tillë do të hiqte avantazhet financiare të skuadrave të mëdha dhe do të rriste ndjeshëm kompetitivitetin në këtë sport, duke i dhënë mundësi reale edhe skuadrave të vogla.

Amerikani mendon se nuk ka skuadra të vogla që duan të marrin pjesë në Formula 1 thjesht për numër dhe Zac Brown shpjegoi se me mënyrën aktuale siç po funksionon ky sport është njësoj sikur një boksier i peshave të rënda të dojë të ndeshjet vetëm me një boksier të peshave të mesme. Gjithsesi ekziston dyshimi te skuadrat e mëdha se ekipet e vogla po e përdorin shtyrjen e kampionatit dhe krizën e koronavirusit për të dobësuar pikërisht skuderitë kryesore të këtij sporti.

Ka polemika gjithashtu edhe në lidhje me atë që ka thënë drejtuesi i ekipit Red Bull Christian Horner nëse duhet të reduktohen kostot apo thjesht duhet të përcaktohet një buxhet limit, për të kufizuar shpenzimet, ndërkaq Zac Brown kërkon që rregullat e reja të hyjnë në fuqi në vitin 2022, ndërsa shefi i skuadrës austriake po insiston që ndryshime të tilla të vihen në zbatim duke filluar nga viti 2023. Përsa i përket krizës globale që ka shkaktuar pandemia e virusit COVID-19 McLareni përfaqëson ekipin e parë të Formulës 1 që u shtrëngua për t’i dhënë lejen e zakonshme një pjese të mirë të stafit, si pasojë e mungesës së garave dhe shtyrjes së kampionatit. /SS/