Conte “shpërthen” ndaj Tottenhamit dhe lojtarëve: Nuk janë mësuar të luajnë për diçka të rëndësishme, lojtarë egoistë - Gazeta Express
string(113) "conte-shperthen-ndaj-tottenhamit-dhe-lojtareve-nuk-jane-mesuar-te-luajne-per-dicka-te-rendesishme-lojtare-egoiste"

Conte “shpërthen” ndaj Tottenhamit dhe lojtarëve: Nuk janë mësuar të luajnë për diçka të rëndësishme, lojtarë egoistë

Sport

Gazeta Express

19/03/2023 10:46

Antonio Conte duket se po kalon sezonin e fundit si trajner i Tottenham Hotspurit.

Ai ka “shpërthyer” me kritika pas barazimit ndaj Southamptonit të shtunën, në ndeshjen e vlefshme për javën e 28-të në Premierligë, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Spurs ishin duke udhëhequr me dy gola epërsi (1:3) në këtë ndeshje, por nuk ia dolën të fitonin në fund, me ndeshjen që u mbyll me rezultatin 3:3.

Conte pas ndeshjes kritikoi futbollistët për egoizëm, teksa tha edhe se “Tottenhami nuk është një ekip”.

“Situata më e keqe është ajo që po ndodhte në fushë. Çfarë po ndodhte muajt e fundit. Çfarë po ndodh në sezonin tim të dytë”, tha fillimisht ai.

“Mendoj se është momenti i duhur për të folur sepse mendoj se pas kësaj shfaqjeje kjo për mua është e papranueshme. Mendoj se është më mirë të hyjmë në problemin, ne nuk jemi një ekip. Ne jemi 11 lojtarë që hyjmë në fushë. Unë shoh lojtarë egoistë, lojtarë që nuk duan të ndihmojnë njëri-tjetrin dhe nuk e vënë zemrën”, shtoi trajneri italian.

“Para ditës së sotme mundohem ta fsheh situatën dhe ta përmirësoj situatën me fjalë. Për sa i përket taktikës dhe teknikës, është një situatë, për një gjë është dëshira, zjarri që duhet të kesh në sy, në zemër. Ju duhet ta keni këtë në çdo moment. Këtë sezon krahasuar me atë të kaluar, tani jemi më keq në këtë aspekt. Kur nuk je ekip, nuk mund të përmirësohesh. Mos harroni se luajtëm kundër një ekipi të Sheffield United me lojtarë të rinj dhe u eliminua”, vazhdoi tutje Conte i frustruar.

Conte tutje tha se edhe futbollistët duhet të marrin përgjegjësinë, ashtu si gjithsecili tjetër në klub.

“Këtu jemi mësuar për një kohë të gjatë. Klubi ka përgjegjësinë për tregun e transferimeve, përgjegjësinë e ka trajneri. Por, lojtarët, ku janë lojtarët? Unë shoh vetëm 11 lojtarë që luajnë për vete. Tani ka 10 ndeshje përpara dhe dikush mendon se mund të luftojmë me këtë qëndrim, me këtë frymë, për cilin vend të shtatë, të tetë? Çfarë? Nuk jam mësuar të luftoj për këtë. Është përgjegjësi e secilit”, tha 56-vjeçari.

“Ata janë mësuar këtu. Ata nuk luajnë për diçka të rëndësishme. Ata nuk duan të luajnë nën presion, nuk duan të luajnë nën stres. Është e lehtë në këtë mënyrë. Historia e Tottenhamit është kjo për 20 vjet. Aty është pronari, por ata kurrë nuk fituan diçka. Pse? Është i njëjti sezon, pavarësisht se kush është trajneri. Nëse duan të vazhdojnë në këtë mënyrë, mund të ndryshojnë trajnerin, shumë drejtues, por situata nuk mund të ndryshojë. Më beso”, deklaroi Conte.

Ish-trajneri i Kombëtares së Italisë është i lidhur me një rikthim në vendin e tij. Kontrata e tij me klubin nga Londra skadon në fund të këtij sezoni.

Ai në Itali ka udhëhequr Juventusin, Interin, Atalantan, Sienan, Barin dhe Arezzon.

Tottenhami këtë sezon po lufton për një vend që e dërgon në Ligën e Kampionëve edhe për sezonin e ardhshëm.

Skuadra londineze ndodhet në pozitën e katërt në tabelë me 49 pikë, dy më shumë se Newcastle United, por me këta të fundit që momentalisht kanë dy ndeshje më pak. /Gazeta Express/