Cole Palmer ka thyer një gisht të këmbës në një aksident në shtëpi dhe do të mungojë në tri ndeshjet e ardhshme të Chelseat kundër Burnleyt, Barcelonës dhe Arsenalit.
Palmer goditi me gishtin e vogël të këmbës së majtë në një derë.
Sulmuesi ishte gati të kthehej në fushë pas mungesës që prej shtatorit për shkak të një dëmtimi në ijë.
Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, tha se “me siguri” Palmer nuk do të jetë i gatshëm për ndeshjet kundër Burnleyt, Barcelonës dhe Arsenalit.
“Fatkeqësisht, ai pati një aksident në shtëpi ku goditi gishtin, por nuk është asgjë serioze – megjithatë nuk do të kthehet javën që vjen,” tha trajneri i Bluve.
I pyetur se sa gjatë do të mungojë Palmer, Maresca shtoi: “Nuk e dimë. Gishti është i thyer. E vetmja gjë që dimë është se ai nuk do të jetë i gatshëm këtë javë dhe javën tjetër”.
Duke sqaruar dëmtimin, Maresca tha: “Hera e fundit që e pashë ishte të enjten në mëngjes dhe ishte pa çorape, pa shapka, pa asgjë. Nuk çalonte shumë. Ai ecte normalisht, por problemi është tek gisht i vogël. Kontakti me këpucën mund të jetë i dhimbshëm”.
Dëmtimi në ijë e ka kufizuar Palmerin në vetëm tri paraqitje në Premierligë këtë sezon.
Ai u detyrua të largohej nga fusha pas vetëm 21 minutash në ndeshjen e fundit ndaj Manchester Unitedit dhe që atëherë ka qenë jashtë për Chelsean dhe Anglinë.
Palmer ishte rikthyer në stërvitje në “Cobham” përpara se të pësonte dëmtimin në gisht.
Që nga humbja 2-1 në “Old Trafford”, Chelsea ka fituar katër dhe ka humbur dy ndeshje në kampionat në mungesë të Palmerit.
Ata renditen në vendin e tretë në Premierligë, gjashtë pikë larg liderit Arsenalit.
Sa i përket lojës pa Palmerin, Maresca tha: “Skuadra e preferon kur Cole luan, edhe unë ndihem shumë më mirë me të në fushë, por kur ai mungon duhet të gjejmë zgjidhje. Skuadra po bën fantastikisht, shumë mirë. Për çdo trajner është e këndshme kur të mungon një lojtar, por ekipi vazhdon të luajë ashtu siç dëshiron”./GazetaExpress/