Presidenti Donald Trump shpesh është mburrur për marrëdhënien e tij të ngrohtë me Vladimir Putinin e Rusisë. Por në muajt para takimit të parë të liderëve pas gjashtë vjetësh, Trump filloi t’u bëjë pyetje europianëve dhe ndihmësve të Shtëpisë së Bardhë se çfarë ka ndryshuar te homologu i tij.
Kjo linjë pyetjesh, e përshkruar për CNN nga tre persona të njohur me çështjen, tregon frustrimin në rritje të Trump ndaj Putinit përpara samitit të tyre në Alaskë të premten, për të diskutuar përfundimin e pushtimit shumëvjeçar të Ukrainës nga Rusia. Trump kishte premtuar se do ta ndërmjetësonte shpejt një marrëveshje paqeje që para se ta merrte detyrën. Jo vetëm që Putini ka kundërshtuar propozimet për armëpushim, por Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës këtë vit.
Ndërsa ka pasur disa shenja se objektivat afatshkurtra të Putinit në Ukrainë mund të jenë ndryshuar – duke nxitur optimizëm brenda Shtëpisë së Bardhë se mund të arrihet një marrëveshje – vlerësimi mbizotërues i komunitetit amerikan të inteligjencës është shumë më skeptik.
Putini mban të njëjtat objektiva maksimaliste territoriale që ka pasur gjatë gjithë luftës dhe me gjasë do ta përdorte një armëpushim për t’i riorganizuar forcat e tij dhe ndoshta edhe për ta bërë një tjetër përpjekje për të marrë Kyivin, kanë thënë disa persona të njohur me raportimet e fundit të inteligjencës amerikane për Rusinë. Dhe pavarësisht thirrjeve europiane për garanci sigurie për Ukrainën, Putini ende dëshiron të sigurohet që Ukraina të mos i bashkohet kurrë NATO-s dhe që forcat e huaja paqeruajtëse të mos hyjnë në territor, thanë personat.
“Putini mendon se po fiton, kështu që nuk ka arsye të përkulet”, tha një person i njohur me vlerësimet e fundit të inteligjencës amerikane, i cili, si të tjerët në këtë histori, foli në kushte anonimiteti. “Mendimi i tij është se më mirë t’i mbajë fitoret që i ka tani, duke përfshirë territorin ukrainas që e ka marrë tashmë me forcë, dhe pastaj të bëjë një tjetër përpjekje për të marrë më shumë më vonë”, tha personi.
Dëshira e Trump për ta kuptuar më mirë Putinin vjen mes shqetësimeve ukrainase dhe europiane se Kremlini po e manipulon Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë Putinit një fitore në arenën globale duke pranuar të takohet me të në tokën amerikane dhe pa praninë e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
“Rusia po ofron ta ndalë luftën nëse merr gjithçka që ka dashur gjithmonë, përfshirë kërkesat e saj më maksimaliste”, i tha një zyrtar europian CNN-it. “Dhe kjo nuk do të ishte marrëveshje, do të ishte nënshtrim”.
Megjithatë, disa europianë besojnë gjithashtu se Trump mund të ketë një aftësi unike për ta arritur një marrëveshje, dhe ata inkurajohen nga ndryshimi i politikës së tij mbi luftën në muajt e fundit.
Trump të mërkurën paralajmëroi se Rusia do të përballej me “pasoja shumë të rënda” nëse ai përcakton se Putini ende nuk është serioz për përfundimin e luftës me Ukrainën. Trump nuk specifikoi se cilat mund të ishin ato pasoja, por më parë e ka kërcënuar Moskën me sanksione ekonomike më të ashpra ose tarifa.