string(95) "cnn-shba-mund-te-kete-marreveshje-me-rusine-e-ukrainen-por-me-kremlinin-gjithmone-ka-nje-klecke"

Lajme

Gazeta Express

26/03/2025 19:13

CNN: SHBA mund të ketë marrëveshje me Rusinë e Ukrainën. Por me Kremlinin, gjithmonë ka një kleçkë

Lajme

Gazeta Express

26/03/2025 19:13

Nuk është armëpushimi i plotë 30-ditor në Ukrainë që kërkoi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump – aspak. Por është një marrëveshje me, si Rusinë, ashtu edhe Ukrainën, dhe për këtë arsye, një shenjë e rrallë përparimi, shkruan CNN një analizë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën se si Ukraina ashtu edhe Rusia kanë rënë dakord për një marrëveshje të kufizuar për t’i ndaluar veprimet ushtarake në Detin e Zi – megjithëse me disa kushte.

Lexo Edhe:

Pjesa kyçe e marrëveshjes synon të sigurojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare dhe t’i ndalojë sulmet ushtarake në Detin e Zi. Rusia dhe Ukraina do ta rikthejnë, në thelb, qasjen e pakufizuar në portet e tyre, të cilat janë thelbësore për eksportet e tyre të drithërave dhe produkteve të tjera bujqësore.

Ukraina, e cila ka zhvilluar një fushatë shkatërruese dhe të suksesshme me dronë kundër Flotës Ruse të Detit të Zi, e ka bërë të qartë se çdo lëvizje e anijeve luftarake ruse për rikthim në det do të konsiderohet nga Kyivi si një shkelje.

Pjesa e dytë e marrëveshjes përfshin SHBA-në dhe Rusinë, të cilat do të zhvillojnë masa për t’i ndaluar sulmet ndaj objekteve energjetike ruse dhe ukrainase për një periudhë 30-ditore – një tjetër shenjë përparimi, ndonëse e pjesshme.

Por me Kremlinin, gjithmonë ka një kleçkë.

Pas shpalljes së marrëveshjes, Kremlini bëri të ditur se do ta zbatonte atë vetëm pasi të hiqeshin një sërë sanksionesh ndaj institucioneve të tij financiare të përfshira në tregtinë bujqësore.

Kjo do të ishte një lehtësim i sanksioneve në mënyrë të fshehtë.

Ndër të tjera, kjo ka shumë të ngjarë të përfshijë rikthimin e aksesit të Rusisë, të paktën pjesërisht, në sistemin ndërkombëtar të pagesave SWIFT, i cili kontrollohet nga SHBA dhe prej të cilit Rusia është përjashtuar që kur nisi luftën ndaj Ukrainës në vitin 2022.

Administrata e Trump ka bërë tashmë lëshime të jashtëzakonshme ndaj Kremlinit, duke hequr nga tryeza anëtarësimin e Ukrainës në NATO dhe duke e detyruar Kyivin të pranojë humbje territoriale, në atë që mbetet ende një përpjekje e pasuksesshme për ta arritur paqen në Ukrainë.

Heqja e sanksioneve që synojnë ta ndëshkojnë Moskën – të cilat aktualisht po shkaktojnë vështirësi të mëdha ekonomike atje – pa marrë as angazhimin më minimal për një armëpushim të përkohshëm nga Kremlini, rrezikon të duket si një tjetër dorëzim ndaj Putinit. Dhe kjo është padyshim një nga gjërat kryesore që ai dëshiron.

Trump, i cili këmbëngul se mbetet i vendosur për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Ukrainë, po përballet me realitetin kompleks të ndaljes së përkohshme të këtij konflikti brutal, ndërsa përballet me negociatorët e ashpër dhe me përvojë të Putinit.