CNN raporton nga Afganistani për shtypjen fetare: Vendi ku vajzat po e humbin shpresën për të ardhmen - Gazeta Express
string(100) "cnn-raporton-nga-afganistani-per-shtypjen-fetare-vendi-ku-vajzat-po-e-humbin-shpresen-per-te-ardhmen"

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 17:15

CNN raporton nga Afganistani për shtypjen fetare: Vendi ku vajzat po e humbin shpresën për të ardhmen

Lajme

Gazeta Express

04/08/2025 17:15

“Unë dua” – vajza e ndal veten – “doja të bëhesha mjeke në të ardhmen. Por kur Talibanët erdhën në Afganistan, të gjitha dyert e shkollave u mbyllën”.

Me këtë fjali, CNN nis një shkrim për jetesën në Afganistan.

Brenda medresesë së miratuar nga Talibanët, Naji-e-Bashra – një shkollë fetare vetëm për vajza në periferi të Kabulit – një vajzë adoleshente me fytyrë të mbuluar plotësisht flet me nervozizëm. Shoqja e saj e klasës ia kap dorën nën tavolinë, e vetëdijshme se çdo kritikë ndaj qeverisë së Talibanëve është e rrezikshme.

Sado të papërsosura të jenë këto institucione fetare, ato janë e vetmja mundësi për shumicën e vajzave afgane mbi moshën 12 vjeçare që duan ndonjë arsimim. Afganistani mbetet i vetmi vend në botë që ua ndalon vajzave dhe grave arsimimin e përgjithshëm në nivelin sekondar dhe të lartë.

Kjo ndalesë është pjesë e një fushate më të gjerë shtypjeje ndaj të drejtave të grave nga Talibanët që kur ata morën pushtetin në gusht 2021. Qeveria përcakton si duhet të vishen gratë, ku mund dhe nuk mund të shkojnë, dhe me kë duhet të udhëtojnë – për shembull, kërkohet që ato të kenë me vete një kujdestar mashkull gjatë udhëtimeve.

Në korrik të këtij viti, Gjykata Penale Ndërkombëtare kërkoi urdhër-arrest për dy nga liderët më të lartë të Talibanëve, duke e cilësuar përndjekjen e grave dhe vajzave si prova të krimeve kundër njerëzimit. Talibanët e denoncuan gjykatën duke thënë se ajo po shfaq “armiqësi dhe urrejtje ndaj fesë së pastër të Islamit”.

Fillimisht, Talibanët patën deklaruar se pezullimi i arsimit për femrat do të ishte i përkohshëm, dhe disa liderë thanë se donin që shkollat e zakonshme të rihapeshin pasi të zgjidheshin çështjet e sigurisë. Por katër vjet më vonë, duket se krahu më radikal i Talibanëve po fiton. Shkollat jofetare, universitetet dhe madje edhe qendrat për trajnim shëndetësor mbeten të mbyllura për gjysmën e popullsisë. Sipas një raporti të UNESCO-s të publikuar në mars, afro 1.5 milionë vajza janë ndaluar ta ndjekin shkollën sekondare që nga viti 2021.

“U thamë vajzave të vishnin hixhabin siç duhet, por nuk e bënë. Vinin fustane sikur po shkonin në dasmë”, tha në dhjetor 2022 ministri në detyrë i Arsimit të Lartë, Nida Mohammad Nadim, në televizionin shtetëror, duke shpjeguar pse shkollat ishin mbyllur. “Vajzat po studionin bujqësi dhe inxhinieri, por kjo nuk përputhet me kulturën afgane. Vajzat duhet të mësojnë, por jo në fusha që bien ndesh me Islamin dhe nderin afgan”.

Ndërkohë, numri i medreseve që edukojnë vajza dhe djem në të gjithë Afganistanin është rritur ndjeshëm. Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit, 22,972 medrese të financuara nga shteti janë themeluar gjatë tre viteve të fundit.

Në medresenë Naji-e-Bashra, ku CNN ka arritur së fundmi të sigurojë qasje të rrallë për filmim, regjistrimet janë rritur në mënyrë të jashtëzakonshme që kur Talibanët filluan t’i privojnë vajzat nga arsimi “i zakonshëm”.

Teksa tingulli i dhjetëra vajzave që recitojnë vargje nga Kurani jehon nëpër korridore, Kuranë me shkronja të arta dhe tekste fetare janë grumbulluar në dyshemetë e klasave. Në zyrën e drejtorit, një flamur i madh i Talibanëve qëndron në një cep. Një certifikatë e vulosur nga Ministria e Arsimit e Talibanëve qëndron në qendër të tavolinës së tij. Talibanët përcaktojnë kurrikulën këtu – ashtu si në të gjitha medreset në vend.

Meqë kjo është shkollë private, e financuar nga prindërit e nxënësve që zakonisht kanë një jetë më të privilegjuar, stafi ka pak më shumë liri për të mësuar edhe gjuhë dhe shkencë përveç studimeve islame. Në medreset publike, të financuara nga qeveria e Talibanëve, kurrikula është pothuajse krejtësisht fetare.

Shkolla sekrete

Por shumë vajza dhe gra në Afganistan i konsiderojnë medreset si zëvendësim të pamjaftueshëm për arsimin që kishin gjithnjë e më shumë qasje gjatë dy dekadave para tërheqjes së nxituar të SHBA-së në vitin 2021.

“Nuk kam pasur kurrë interes për ta ndjekur një medrese. Ato nuk na mësojnë çfarë kemi nevojë të dimë”, tha Nargis, një grua 23-vjeçare në Kabul, e cila foli përmes një linje të sigurt telefoni. CNN ka përdorur një pseudonim për sigurinë e saj.

Nargis është një studente model. E ndërgjegjshme, e organizuar, punëtore dhe e përkushtuar gjatë gjithë jetës së saj ndaj mësimit.

Në kohën kur trupat amerikane po largoheshin nga qyteti i saj, Nargis po studionte ekonomi në një universitet privat. Ajo ndiqte mësimet në mëngjes, punonte me kohë të pjesshme pasdite dhe mësonte anglisht në mbrëmje. Nuk lodhej kurrë së mësuari.

“Nëse katër vjet më parë do të më pyesnit çfarë doja të bëja me jetën time, kisha shumë qëllime, ëndrra dhe shpresa”, tha ajo me mallëngjim. “Në atë kohë doja të bëhesha një biznesmene shumë e madhe. Doja të importoja nga vende të tjera. Doja të kisha një shkollë të madhe për vajza. Doja të shkoja në Universitetin e Oxfordit. Ndoshta do ta kisha një kafene timen”.

E gjithë kjo ndryshoi në gusht 2021. Asaj nuk iu lejua më t’i ndiqte mësimet, nuk kishte më punë, dhe siç thotë ajo, nuk ishte më në gjendje të ëndërronte për të ardhmen që e kishte ndërtuar në mendje – e gjithë kjo vetëm sepse ishte grua.

Por ajo që ia theu zemrën ishte shprehja në fytyrat e motrave të saj më të vogla, atëherë 11 dhe 12 vjeç, të cilat një ditë u kthyen në shtëpi dhe i thanë se shkolla e tyre ishte mbyllur.

“Nuk hëngrën asgjë për një muaj. Ishin të shkatërruara”, tregoi Nargis. “E kuptova se do të çmendeshin kështu. Prandaj mora vendimin t’i ndihmoja me mësimet. Edhe nëse humbas gjithçka, këtë gjë do ta bëj”.

Nargis filloi të mblidhte të gjithë librat e saj të mëparshëm dhe nisi t’i mësonte vajzat gjithçka që kishte mësuar vetë. Të afërm të tjerë dhe fqinj nisën t’i kërkonin ndihmë gjithashtu – dhe ajo e kishte të vështirë të thoshte jo.

Kështu, çdo mëngjes në orën 6 fiks, para se rojet talebane të zgjohen, rreth 45 nxënëse, që nga mosha 12 vjeç, kalojnë fshehurazi qytetin për në shtëpinë e familjes së Nargis-it. Ajo nuk ka asnjë mbështetje apo financim – dhe shpesh vajzat ndajnë një libër tekst, fletore dhe stilolapsa.

Së bashku mësojnë matematikë, shkencë, kompjuterikë dhe anglisht. Nargis rikujton çdo gjë që ka mësuar ndonjëherë dhe ua mëson nxënëseve të saj.

Kur vjen koha që ato të kthehen në shtëpi, ajo shqetësohet pa pushim.

“Është shumë e rrezikshme. Nuk ka një ditë të vetme në javë që mund të qetësohem. Çdo ditë që ato vijnë tek unë, më ha meraku. Më çmend. Është një rrezik i madh”, thotë ajo, e frikësuar se Talibanët do ta zbulojnë klasën e saj të improvizuar dhe do ta mbyllin – siç kanë bërë më parë.

Dy muaj më parë, pjesëtarë të Talibanëve bastisën shtëpinë nga ku ajo jepte mësim. Kaloi një natë në burg dhe u qortua për punën e saj. Babai dhe anëtarë të tjerë meshkuj të familjes i kërkuan të ndalonte, duke i thënë se nuk ia vlente. Por, edhe pse është e tmerruar, Nargis thotë se refuzon t’i braktisë nxënëset. Ajo e ndërroi vendndodhjen dhe vazhdoi.

Deri në fillim të këtij viti, USAID (Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar) kishte financuar shkolla të fshehta në të gjithë vendin – të njohura si “arsim i bazuar në komunitet” – si dhe programe studimi jashtë vendit dhe bursa online. Me anulimin e kontratave ndihmëse prej 1.7 miliardë dollarësh (prej të cilave 500 milionë ende nuk ishin shpërndarë) nën administratën Trump, disa prej këtyre programeve arsimore tani janë drejt mbylljes.

Edhe vetë Nargis kishte përfituar nga një prej këtyre programeve, duke studiuar online për një diplomë në Administrim Biznesi përmes një programi të financuar nga SHBA. Muajin e kaluar, thotë ajo, ky program u anulua. Ishte si gozhda e fundit në arkivolin e ambicieve të saj. Jo vetëm anulimi i studimeve, por “anulimi i shpresave dhe ëndrrave të mia”.

Nargis përpiqet ta mbajë veten të angazhuar. Por më shumë ditë sesa do të donte, një ndjenjë dëshpërimi i ngjitet dhe e gjen veten duke u pyetur nëse ka ndonjë kuptim të studiojë kaq shumë dhe të rrezikojë aq për t’i edukuar motrat dhe shoqet e saj. Në Afganistanin e Talibanëve, gratë nuk mund të përzihen me burra që nuk janë të afërm të tyre – apo të punojnë si mjeke, juriste apo në shumicën e hapësirave publike.

“Nëna ime nuk ka qenë kurrë e arsimuar. Ajo na tregonte gjithmonë si ishte gjatë qeverisjes së mëparshme të Talibanëve, dhe prandaj ne mësuam shumë… Por cili është ndryshimi mes meje dhe nënës tani?” pyeti ajo. “Kam një arsimim, por jemi të dyja në shtëpi”.

“Për çfarë po përpiqemi kaq shumë? Për cilën punë dhe për çfarë të ardhme?”.