Ka dy arsye pse Presidentit Donald Trump i duhet që bota t’i besojë pretendimet e tij këmbëngulëse se programi bërthamor i Iranit është shkatërruar, shkruan CNN në një analizë.
Së pari, gjithë presidenca e tij është ndërtuar për të pasqyruar lavdi mbi personazhin e tij si lider i fortë, duke ushqyer një narrativë të udhëheqjes guximtare, unike dhe të pagabueshme. Informacionet që e kundërshtojnë këtë mit nuk janë të mirëpritura.
Së dyti, çdo provë që tregon se Irani ende mban aftësinë për të prodhuar armë bërthamore ose për ta rifilluar programin e tij pas bombardimeve të guximshme amerikane do ta ngrinte një pyetje të pakëndshme: A duhet që Shtetet e Bashkuara ta përdorin sërish forcën ushtarake për ta përfunduar punën dhe për ta përballuar çdo përparim të ardhshëm në kapacitetet e Iranit me më shumë sulme? Kjo do të hapte potencialisht një periudhë shumëvjeçare gjysmë-luftë me Iranin për të cilën Trump nuk ka oreks; do ta rriste rrezikun e një konflikti më të gjerë; dhe do ta zemëronte bazën e tij “MAGA”.
Trump dhe ndihmësit e tij kryesorë po shpikin zemërim të amplifikuar dhe po i sulmojnë mediat për raportimin e një vlerësimi fillestar, me “besueshmëri të ulët” nga Agjencia e Inteligjencës së Mbrojtjes se sulmet amerikane ndaj tre objekteve të Iranit nuk arritën t’i shkatërrojnë përbërësit kryesorë të programit të tij bërthamor dhe me shumë gjasa vetëm e kanë vonuar atë për disa muaj.
Trump e dyfishoi përpjekjen e tij në një konferencë për shtyp në samitin e NATO-s për ta paraqitur sulmin si “shumë, shumë të suksesshëm”. Ai shtoi: “U quajt shkatërrim. Asnjë ushtri tjetër në Tokë nuk mund ta kishte bërë këtë”.
Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth lëshoi një shpërthim teatror kundër CNN-it dhe The New York Times pasi raportuan për vlerësimin. Media të tilla “përpiqen të gjejnë mënyra për ta shtrembëruar këtë për arsye politike për të dëmtuar Presidentin Trump ose vendin tonë, atyre nuk u intereson çfarë mendojnë trupat”, tha Hegseth, duke shfaqur zellin performativ që e bëri presidentin ta merrte nga Fox News për ta vendosur në krye të Pentagonit.
Shtëpia e Bardhë theksoi një vlerësim nga shefi i shtabit të ushtrisë izraelite të mërkurën se programi bërthamor i Iranit ka pësuar “dëme sistemike” dhe është zbehur për vite, ndërsa drejtori i CIA-s John Ratcliffe tha në një deklaratë se agjencia ka prova se ai është “dëmtuar rëndë”.
Por këto deklarata, edhe pse sugjerojnë se Irani ka pësuar një goditje serioze, ende nuk i mbështesin pretendimet e gjera të Trumpit.
Taktikat e presidentit janë të njohura. Ai po e zbaton globalisht strategjinë e krijimit të narrativave të veta, pavarësisht nëse ekziston ende ndonjë provë për t’i mbështetur ato. Ai tregoi sa e suksesshme mund të jetë kjo me pretendimet e tij të rreme për mashtrime në zgjedhjet e vitit 2020.
Nëse bota beson se programi bërthamor i Iranit është shkatërruar dhe të gjitha burimet që sugjerojnë të kundërtën diskreditohen, Trump ka një arsyetim për të mos ndërmarrë asnjë veprim të mëtejshëm.
Pse festimet e hershme të Trump-it janë të dëmshme
Çdo gjë që lidhet me inteligjencën është, për nga përkufizimi, e paqartë. Dhe vlerësimet e qëndrueshme, nga burime teknike apo njerëzore, mbi sa shumë e ka dëmtuar SHBA-ja programin bërthamor të Iranit mund të marrin muaj kohë. Po ashtu, nuk është e mundur të dihet nëse administrata ka më shumë informacion mbi pasojat e sulmeve që nuk po e publikon për arsye operacionale.
Një reagim fillestar më i matur i Shtëpisë së Bardhë ndaj sulmeve mund ta kishte shmangur polemikën aktuale. Por përpjekjet e vrullshme për ta kontrolluar narrativën ishin të pashmangshme, pasi Trump shpalli, ndërsa bombarduesit B-2 ishin ende në ajër, se misioni ishte një sukses total dhe dërrmues. Çdo provë kundërshtuese do të nënkuptonte një tërheqje të turpshme dhe do ta sfidonte egon dhe besueshmërinë e tij.
Por reagimi emocional i tepruar ndaj pyetjeve të ndershme nëse programi bërthamor i Iranit është vërtet fshirë e bën Shtëpinë e Bardhë të duket në mbrojtje, duke ngritur dyshime mbi vërtetësinë e saj. Dhe po e largon vëmendjen nga aspekte të misionit për të cilat Trump mund të marrë merita – një sulm ajror rreth botës pa viktima amerikane, presioni efektiv ndaj Izraelit dhe Iranit për t’i ndalur luftimet si dhe suksesi i tij në shmangien e një lufte më të gjatë.
Kontroversat në rritje mbi Iranin gjithashtu e errësuan një arritje të pamohueshme të Trumpit në samitin në Holandë: sigurimin e një angazhimi nga shtetet anëtare për të shpenzuar 5% të GDP-së për mbrojtje deri në vitin 2035. Ky objektiv do të jetë i vështirë për t’u arritur. Por asnjë president tjetër nuk ka arritur diçka të ngjashme.
Shtëpia e Bardhë mund ta fajësojë vetëm veten.
Dështimi i saj për t’u shpjeguar amerikanëve pse administrata e Trumpit papritmas besoi se Irani ishte disa javë larg ndërtimit të një arme bërthamore krijoi dyshime mbi motivet e saj. Dështimi për t’i informuar disa nga demokratët kryesorë se misioni i bombardimit me B-2 ishte në zhvillim e sipër e politizoi panevojshëm një çështje për të cilën Trump mund të priste mbështetje të konsiderueshme bipartizane. Administrata më pas shtyu informimet për Kongresin mbi sulmet deri të enjten. Nuk është e qartë nëse ato seanca do të jenë produktive.
Shefat e inteligjencës së Trumpit nxituan për t’i përforcuar pretendimet e tij të mërkurën. Deklarata e Ratcliffe thoshte se CIA ja marrë “një trup provash të besueshme” se programi bërthamor i Iranit është “dëmtuar rëndë.” Kjo përfshinte inteligjencë nga një “burim/metodë e besueshme që disa objekte kyçe bërthamore iraniane janë shkatërruar dhe do të duhet të rindërtohen gjatë viteve”, tha Ratcliffe. Komentet e tij, megjithatë, nuk përputheshin me pretendimet e Trumpit për shkatërrim total.
Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, postoi në X se “inteligjenca e re” tregonte se objektet bërthamore të Iranit janë “shkatërruar”.
Asnjë nga kundërshtimet nuk ofroi prova që do t’u lejonin amerikanëve ta formojnë mendimin e tyre. Ato nuk mbështetën pretendimin e Trumpit në Hagë të mërkurën se Irani nuk ka zhvendosur asnjë nga rezervat e tij të uraniumit të pasuruar para sulmeve. Po ashtu, ato nuk adresuan nëse Irani mban objekte sekrete që mund t’i përdorë për të përshpejtuar prodhimin e një bombe.