I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka dënuar rrjedhjen e informacionit të klasifikuar të inteligjencës amerikane që thoshte se dëmet e shkaktuara nga sulmet amerikane në tre objekte bërthamore iraniane ishin të kufizuara, duke i quajtur burimet “tradhtarë” në një intervistë për Fox News të martën në mbrëmje.
Shtatë persona të informuar për një vlerësim të hershëm të inteligjencës amerikane i thanë CNN-it se programi bërthamor i Iranit është penguar vetëm për disa muaj nga sulmi amerikan, pavarësisht përdorimit të 14 bombave të mëdha “shkatërruese” në sulm.
Analiza amerikane mbi dëmet në objektet dhe ndikimin e sulmeve në ambiciet bërthamore të Iranit është ende në zhvillim dhe mund të ndryshojë teksa bëhen të disponueshme më shumë të dhëna të inteligjencës.
Duke folur për gazetaren e Fox News, Laura Ingraham, të martën, Steve Witkoff tha: “është e vetëkuptueshme që rrjedhja e këtij lloji informacioni, çfarëdo qoftë informacioni, dhe në cilëndo faqe që të publikohet, është skandaloze, është tradhti”.
“Duhet të hetohet dhe kushdo që është përgjegjës për të, duhet të mbahet përgjegjës”.
Duke folur për CNN për raportin ekskluziv, dy nga personat e njohur me vlerësimin thanë se rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit nuk janë shkatërruar.
Njëri prej tyre tha se centrifugat ishin kryesisht “të paprekura”. Një burim tjetër tha se inteligjenca vlerësonte se uraniumi i pasuruar ishte zhvendosur nga objektet përpara sulmeve amerikane.
Trump e hodhi poshtë raportin të martën si “lajm të rremë”, ndërsa Witkoff, duke folur për Fox, e quajti “krejtësisht absurd”.
“Nuk ka dyshim se [kapaciteti bërthamor i Iranit] u shkatërrua plotësisht. Pra, raportimet që sugjerojnë se në një mënyrë apo tjetër nuk e arritëm objektivin janë thjesht absurde”, tha ai.