Çmimi “Kadare”, përmbushje në vazhdimësi - Gazeta Express
string(37) "cmimi-kadare-permbushje-ne-vazhdimesi"

Arte

Gazeta Express

01/03/2021 10:40

Çmimi “Kadare”, përmbushje në vazhdimësi

Arte

Gazeta Express

01/03/2021 10:40

Me  ndjesinë   se  Çmimi “Kadare”  u shërben  autorëve  për t’u  rritur e përsosur përmes punës mbi  dorëshkrime, kemi arsye të ripohojmë edhe nga ky këndvështrim se qëllimi i tij është një përmbushje në vazhdimësi

Preç Zogaj

Lexo Edhe:

Kishim disa vështirësi kësaj radhe.  Këtu nuk kam parasysh vetëm atë që na shkon menjëherë në mendje të gjithëve – kohën relativisht  të shkurtër,  e cila  diktoi një  përkushtim të shtuar në leximin dhe shqyrtimin e veprave të paraqitura në konkurs nga secili prej anëtarëve të jurisë. Kam parasysh edhe faktin se në këtë edicion pothuajse nuk pati  dorëshkrime te dobëta, nga ato që  dërgohen  për hobi apo thjesht për të marrë pjesë.

Shumica dërmuese e dorëshkrimeve  startonin nga një  nivel i  kënaqshëm cilësie. Ky fakt fatlum shndërrohet në  vështirësi, ndërsa  duhet të shkosh  drejt përzgjedhjes  së listës së shkurtuar dhe fituesit, gjë që automatikisht  ka si pasojë  eliminimin e veprave  konkonkurente në garë. Dua të them se anëtarët e jurisë më shumë  përzgjodhën kush kalon, se sa eliminuan. Përzgjodhëm  në bazë të shijeve  dhe kryqëzimit të mendimeve për secilën vepër, në një konkurs ku fituesi është një  dhe i vetëm. Juria ishte e bashkuar rreth veprës së shkrimtarit Gani Mehmeti.

Në konceptimin e tij nga Universiteti  Europian i Tiranës, Çmimi letrar “Kadare”  ka për qëllim të nxisë të shkruarit letrar në shqip, të zbulojë, identifikojë dhe promovojë  cilësinë e  të shkruarit në prozë.  Shkrimtari  Ismail Kadare ka vendosur  një standard shumë të lartë kombëtar e ndërkombëtar  të mjeshtërisë së të shkruarit. Çmimi me emrin e tij, në këtë kontekst aspiron që autorët dhe letërsia shqipe,  që shkruhet në vazhdimësi,  të mbajë si pikë referimi pikërisht këtë standard që garanton letërsi të mirë e  shumë të mirë. Duke kuptuar këtu jo imitimin a  plagjiaturën,  por ekzigjencat e larta që mund të shprehen në një larmi stilesh e eskplorimesh letrare origjinale.  Mund  të them se me edicionin e tij të gjashtë, Çmimi “Kadare”  vijoi  përmbushjen e  qëllimeve dhe synimeve të veta.  Autorë të rinj  mjaft të  talentuar, emra pak të njohur apo të panjohur ende  por me potenciale krijuese, autorë të afirmuar  që  kanë tashmë një  numër  veprash të botuara,  vendosur   në Shqipëri, në Kosovë dhe në vende të ndyshme të botës, banorë në atdheun e  gjuhës shqipe – kjo ishte  galeria e autorëve.  Subjektet nga  aktualiteti, e shkuara apo edhe futuriteti aty-këtu, si dhe stilet e larmishme, paraqitën një mozaik  të letërsisë  klasike  e neoklasike dhe asaj  eksperimentale – të gjitha këto  nën një emërues të përbashkët, që është  kultura e  mirë e të shkruarit.

Njëherë e një kohe, siç mund të  shohim në ditaret e shkrimtarit të madh rus Leon Tolstoi, shkrimtari lindte me predispozitën për të qenë shkrimtar dhe duhej të bëhej përmes të shkruarit. “ Duke shkruar përsoset stili”, nënvizonte  Tolstoi që shtonte: “Punë, punë, sa i lumtur jam kur punoj”.

Me  ndjesinë   se  Çmimi “Kadare”  u shërben  autorëve  për t’u  rritur e përsosur përmes punës mbi  dorëshkrime, kemi arsye të ripohojmë edhe nga ky këndvështrim se qëllimi i tij është një përmbushje në vazhdimësi. /Gazeta Liberale