Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, sot iu dha çmimi Charlemagne (Karli iMadh) për promovimin e unitetit europian.
Në këtë ceremoni mori pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, si dhe zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi.
Rama e Bislimi në këtë ceremoni ishin të ulur në një rresht, siç u pa në fotografitë e publikuara nga Rama.
“Gjermani – Privilegj të isha ndër të ftuarit e nderit në ceremoninë e akordimit të çmimit prestigjioz “Charlemagne Prize” për Presidenten e Komisionit Europian dhe miken e çmuar, Ursula von der Leyen”, shkroi Rama në Facebook.
Siç kishte njoftuar dje Zyra e Kryeministrit, Bislimi udhëtoi në Gjermani për të marrë pjesë në ngjarjet që po organizohen në kuadër të ndarjes së çmimeve Ndërkombëtare Charlemagne në Aachen, ku ishte folës në panelin me titull “Më shumë Evropë për një Evropë më të fortë?”.
“Në kuadër të qëndrimit në Aachen, zëvendëskryeministri Bislimi do të marrë pjesë edhe në ceremoninë ku Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vlerësohet me çmimin ndërkombëtar Charlemagne 2025”, u tha në njoftim.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Aachen të martën, shefja ekzekutive e BE-së përshkroi prioritetet për Europën gjatë viteve të ardhshme, duke theksuar rëndësinë e sigurimit të paqes përmes mbrojtjes, avancimit të zgjerimit të BE-së dhe mbrojtjes së demokracisë duke përforcuar qëndrueshmërinë e Europës.
“Të dashur miq, një Europë e pavarur. E di se për disa ky është një mesazh i pakëndshëm për t’u dëgjuar. Por në thelb, kjo ka të bëjë me lirinë tonë”, tha von der Leyen në fjalimin e saj gjatë pranimit të çmimit.
“Siç e kanë ditur prej kohësh njerëzit e Europës Qendrore dhe Lindore, liria personale është e mundur vetëm kur ka pavarësi kolektive”, shtoi ajo./Express/