Barcelona ka vendosur si prioritet për vitin 2026 transferimin e një sulmuesi të ri që do të zëvendësojë në planin afatgjatë Robert Lewandowski. Edhe pse sulmuesi polak vazhdon të jetë vendimtar me gola, mosha 37-vjeçare dhe mundësia që ky të jetë sezoni i tij i fundit në “Camp Nou” kanë shtyrë drejtuesit katalanas të kërkojnë një alternativë të denjë për të ardhmen.
Objektivi kryesor i Barcelonës është Julian Alvarez, aktualisht pjesë e Atletico Madrid. Sulmuesi argjentinas shihet si profili ideal për projektin e ri sportiv të klubit, ndërsa raportimet e fundit sugjerojnë se ai është i hapur për një transferim në Kataloni pas Kupës së Botës FIFA.
Megjithatë, operacioni financiar pritet të jetë jashtëzakonisht i vështirë. Atletico Madrid ka investuar shumë për ta transferuar Alvarezin nga Manchester City dhe kontrata e tij me klubin madrilen është e vlefshme deri në vitin 2030. Sipas burimeve pranë klubit, drejtuesit e Atleticos kërkojnë të paktën 200 milionë euro për ta lënë të lirë sulmuesin, ndërsa po shqyrtojnë edhe mundësinë e zgjatjes së kontratës për të shmangur interesimin e Barcelonës.
Për të realizuar një transferim të tillë rekord, Barcelona do të duhet të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme nga shitja e lojtarëve. Emra si Frenkie de Jong, Marc Casado dhe Ronald Araujo përmenden si kandidatë potencialë për t’u larguar, në mënyrë që klubi të sigurojë fondet e nevojshme për një operacion kaq të madh në merkato. /GazetaExpress