Në krye të listës qëndron Turqia, me një rritje të çmimeve të qumështit, djathit dhe vezëve prej 38.6%. Turqia tre vitet e fundit po përjeton një hiperinflacion që vjen i kombinuar nga problemet strukturore të ekonomisë turke dhe politikës monetare.
Pas saj vijnë Malta me rritje 6.7%, Norvegjia me 5.9% dhe Islanda 4%. Shqipëria ndjek këtë renditje me një rritje prej 3.9%, duke e tejkaluar ndjeshëm mesataren e BE-së dhe të rajonit. Islanda dhe Malta janë vende ishullore me kapacitete të ulëta prodhimi dhe kosto të larta të transportit, teksa Shqipëria nuk është e krahasueshme me këto vende.
Rritjet më të lehta të bulmetrave dhe vezëve u vunë në vende si në Portugali me 1.8%, Maqedoninë e Veriut me 1.8%, Serbi 1.5% dhe Mali i Zi me +1.1. Ndonëse presionet inflacioniste po zbuten në shumë ekonomi europiane, Shqipëria ende përballet me sfida që e bëjnë tregun e ushqimeve me rritjen nga më të lartat në Europë.Ndërkohë, shumë vende të Bashkimit Europian kanë përjetuar ulje të çmimeve për këtë grup produktesh, veçanërisht Çekia me -6%, Hungaria -4.4%, Finlanda -2.4%, dhe Gjermania -1.7%.Zona euro në tërësi ka shënuar rënie mesatare vjetore prej -0.4% deri në -0.5% të çmimeve të bulmetit dhe vezëve më 2024, duke reflektuar stabilizim ose lehtësim të presionit të çmimeve, pas rritjeve të ndjeshme në vitet e mëparshme pas pandemisë dhe luftës në Ukrainë.Rritja me 3.9% e çmimeve për produktet bazë në vendin tonë si qumështi, djathi dhe vezët është pasojë e kostove të larta të prodhimit dhe importit, mungesës së subvencioneve të qëndrueshme për bujqësinë.Numri i kafshëve në ferma është përgjysmuar dekadën e fundit duke ulur ofertën në treg, teksa nga ana tjetër ardhja e turistëve ka rritur kërkesën për bulmet dhe vezë në muaj të caktuar duke ndikuar më tej në rritjen e çmimeve.Në një kohë kur vendet e BE-së po përfitojnë nga stabilizimi i tregjeve dhe reduktimi i çmimeve bazë, Shqipëria vijon të përjetojë rritje që ndikon drejtpërdrejt në kostot e jetesës, veçanërisht për shtresat në nevojë.Me një popullsi në plakje, me ulje të popullsisë në fshat, me mungesë të theksuar të subvencioneve për bujqësinë dhe me kontrolle jo efecientë në zinxhirin e furnizimit Shqipëria rrezikon të vijojë trendin rritës të çmimeve edhe në të ardhmen./ Monitor