Çmimet e banesave “në qiell”, vihet në dyshim raporti i ASK-së - Gazeta Express
string(59) "cmimet-e-banesave-ne-qiell-vihet-ne-dyshim-raporti-i-ask-se"

Lajme

Gazeta Express

11/03/2026 8:44

Çmimet e banesave “në qiell”, vihet në dyshim raporti i ASK-së

Lajme

Gazeta Express

11/03/2026 8:44

Çmimi i banesave në Prishtinë ka vazhduar të rritet, pasi ka raste që një metër katror shkon deri mbi 2500 euro.

Sipas të dhënave të agjencive për patundshmëri edhe në qendrat e tjera të Kosovës, vit pas viti është shënuar rritje e çmimit të banesave. 

Agjencia e Statistikave të Kosovës këtë vit ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Pronave të Banimit, i cili tregon dinamikën e rritjes së tregut të patundshmërive në Kosovë.

Të dhënat për periudhën 2018–2025 tregojnë se çmimet e banesave janë rritur pothuajse çdo vit.
E vetëm për tremujorin e katërt të vitit 2025 në Rajonin e Prishtinës, çmimet janë rritur për 4.9%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, sipas ASK-së.

Mirëpo, njohës të fushës vënë në dyshim të dhënat e ASK-së, duke thënë se çmimet në realitet janë shumë të larta sesa pasqyrohen në raport.

“Hulumtimet e bëra nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, për mua, nuk janë kredibile. Sa i përket matjes, nuk bëhen në mënyrë reale dhe në kohë, sepse përfshihen shumë variabla që e ndryshojnë rezultatin. Përfshirja e shumë produkteve e zvogëlon përqindjen e inflacionit, ndërsa inflacioni real është më i lartë sesa paraqitet nga ASK”, ka thënë profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini.
Në agjencitë për patundshmëri theksojnë se një nga faktorët e rritjes së çmimeve është  edhe rritja e kërkesave për blerje të banesave, sidomos pas pandemisë.

Edona Cakaj nga “PRO Real Estate” thotë se vetëm në periudhën e fundit të vitit 2025 rritja e çmimit ishte në shkallën 7-8 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.

“Në periudhën e fundit të vitit 2024: Në shumicën e projekteve çmimet kanë lëvizur rreth 1300–1600 €/m², ndërsa në zonat më të kërkuara 1800–2300 €/m². Në periudhën e fundit të vitit 2025: në shumicën e projekteve çmimet lëvizin rreth 1400–1700 €/m², ndërsa në zonat më të kërkuara shpesh kalojnë 2000–2500 €/m². Këto janë çmime mesatare dhe ngritja ka qenë nga 2024 në 2025 rreth 7%”, ka thënë ajo.

KOHA i është drejtuar edhe ASK-së për këto statistika. 

Nga ky institucion thonë se indeksi i çmimeve bazohet në transaksionet reale të shitblerjes së pronave. Kjo nënkupton se nëse një banesë blihet pak me para kesh e pak me transaksion bankar, atëherë vlerë reale e pronës llogaritet vetëm ajo me transaksion bankar.

“Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit llogaritet bazuar në të dhënat e transaksioneve të realizuara në tregun e pasurive të paluajtshme në Kosovë. Përmes një metodologjie statistikore krahasohen çmimet e pronave të shitura në periudha të ndryshme kohore për të matur ndryshimin mesatar të çmimeve në treg. Është e rëndësishme të theksohet se Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit mat ndryshimin mesatar statistikor të çmimeve bazuar në transaksionet reale të regjistruara dhe metodologjinë e indeksit. Ndërkohë, perceptimet nga tregu apo nga shpalljet e çmimeve mund të jenë më të larta, pasi ato shpesh bazohen në çmime të ofruara (asking prices), të cilat jo gjithmonë përputhen me çmimet përfundimtare të transaksioneve”, thuhet në përgjigjen e ASK-së.

Në këtë institucion theksojnë se nuk ka nevojë për ndryshim të mënyrës së llogaritjes, pasi përdoret metodologji e standardizuar ndërkombëtarisht.

Për rritjen e çmimit të banesave, profesori i ekonomisë Shkumbin Misini ka theksuar se çdo ndryshim gjeopolitik në botë, ndikon drejtpërdrejt në Kosovë, pasi vendi ka nivel të lartë të importit.

Advertisement
Advertisement
Advertisement