Çlirimi nga iluzionet - Gazeta Express
string(21) "clirimi-nga-iluzionet"

OP/ED

Gazeta Express

19/04/2023 15:27

Çlirimi nga iluzionet

OP/ED

Gazeta Express

19/04/2023 15:27

Mundësia e udhëtimit lirshëm në shtetet e Zonës Schengen do t’i çlirojë kosovarët nga iluzionet dhe do t’i përball ata me një realitet krejt tjetër nga ai që ata jetojnë. Iluzioni për Europën e projektuar në mendjet e tyre, për Europën parajsë ku paratë fitohen shpejt e lehtë dhe ku jeta është si në filma, do të shuhet shpejt.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Miratimi në Parlamentin Europian i liberalizimit të vizave shkaktoi eufori në mesin e kosovarëve. Nga fillimi i vitit të ardhshëm ata do të mund të udhëtojnë lirshëm në Zonën Schengen ashtu siç qytetarët tjerë të rajonit, të cilët këtë të drejtë e gëzojnë tash e më shumë se një dekadë.

Kosovarët kanë mbetur të fundmit të izoluar në kontinentin e vjetër, si në një burg të madh, pa pasur mundësi të shohin si zhvillohet jeta në vendet e Bashkimit Europian.

Por, përtej ekzaltimit për fundin e izolimit, heqja e vizave do t’i përball ata edhe me iluzionin për Europën e projektuar në mendjet e tyre. Iluzionin për Europën parajsë, ku paratë fitohen shpejt e lehtë dhe ku jeta është si në filma.

Shumica e të rinjvë, por edhe qytetarë të tjerë të Kosovës për më shumë se njëzet vjet kanë pasur mundësi të udhëtojnë vetëm në tre-katër vende të rajonit. Zakonisht, krahasimet janë bërë me këto vende. Nga viti i ardhshëm do ta kenë mundësinë që krahasimet t’i bëjnë me shtete më të zhvilluara, me demokraci më të avancuara. Do të kenë mundësi të shohin se si jetojnë qytetarët mesatarë europianë, si dhe sa punojnë ata, sa fitojnë ata, sa e çmojnë punën dhe sa argëtohen. Do të kenë mundësi ta shohin sa dhe si ata e çmojnë vendin ku jetojnë, çfarë kulture kanë, çfarë sjelljesh kanë.

Për secilin dhe secilën që do të udhëtojë për herë të parë, përballja me jetën në BE do të jetë njëfarë shoku kulturor. Të gjithë do ta kenë mundësinë të shohin se si qytetarët atje e ruajnë dhe kujdesen për vendin ku jetojnë, nuk e ndotin me bërllog gjithandej, nuk e shkatërrojnë mjedisin as e nëpërkëmbin pasurinë e përbashkët publike. Ndryshe nga Kosova, do të shohin rend dhe rregull.

Natyrisht, liberalizimi i vizave nuk nënkupton mundësi punësimi, megjithatë marrë parasysh diasporën e madhe kosovare, thuajse të gjithë do ta kenë mundësinë të shohin se si punojnë dhe si jetojnë familjarët dhe të afërmit e tyre dhe sa me mund e sakrificë i fitojnë paratë.

Të njëjtit familjarë dhe të afërm, të cilët vijnë verës në Kosovë për të pushuar dhe argëtuar. Të njëjtit që investojnë në vendet nga vijnë, kryesisht në shtëpi dhe banesa.

* * *

Përveç çlirimit psikologjik, lëvizja e lirë do të krijojë edhe mundësinë për të bërë krahasime. Për të parë se ku qëndrojmë “ne” dhe “ata” në sistemin arsimor, shëndetësor, ekonomik e social. Për të matur e krahasuar dijen tonë me dijen e atyre.

Për të udhëtuar në Schengen nevojiten para dhe kjo është sfidë tjetër për qytetarët e Kosovës. Ata do ta kuptojnë se mënyra e jetesës në BE është krejt tjetër. Kultura e kafeneve dhe restoranteve është ndryshe, siç është ndryshe edhe qasja ndaj vendit të punës.

Unë do të doja që të gjithë koosvarët të kenë mundësinë për të udhëtuar në Schengen, të paktën për dy-tri ditë. Në këtë mënyrë ata do ta shihnin dhe do ta preknin një realitet tjetër, që mund të mos e kenë imagjinuar. Të paktëm do të mund të merrnin mësim nga europianët se si duhet të sillen me përgjegjësi.

Përballja me realitetin atje do të ndryshojë mendimin për Kosovën, si një vend në të cilin nuk jetohet dhe nga i cili duhet ikur sa më parë. Vetëm kur njerëzit e kanë mundësinë për të parë jetën e të tjerëve, në vendet e tyre, e kuptojnë dhe vlerësojnë më shumë vendin prej nga vijnë, e duan më shumë qytetin ku jetojnë, e ruajnë më shumë mjedisin dhe sillen më mirë me të tjerët.

Vetëm duke bërë krahasime njerëzit do ta kenë mundësinë për të vlerësuar me “kokë të ftohtë” se vendi i tyre nuk qenka edhe aq i keq, se po u dashka punuar e angazhuar që të bëhet më i mirë. Të bëhet si Europa.