Çka t’i japim tjetër Serbisë? - Gazeta Express

Çka t’i japim tjetër Serbisë?

OP/ED

Gazeta Express

25/09/2020 14:13

Shkaku i papërgjegjësisë së pjesës më të madhe të klasës politike, Kosova vazhdimisht ka lëshuar pe ndaj Serbisë, duke e dobësuar veten dhe pa përfituar thuajse asgjë. E shkatërruar dhe me mijëra të vrarë nga regjimi serb, asaj i kërkohet të bëjë të tjera kompromise. Pse duhet dhënë edhe diçka tjetër? Nuk na duhet një shtet jofunksional, që mbase mund ta njohë Serbia

Imer Mushkolaj

Serbia haptas është duke e kushtëzuar vazhdimin e dialogut në Bruksel me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Në këtë mënyrë pala serbe po e bën të qartë se pret nga Kosova lëshime të tjera, në këmbim të asaj që po thuhet të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, që nënkupton edhe njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.

Në anën tjetër, kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se asociacioni do të krijohet, por ende nuk është e qartë se për çfarë bëhet fjalë. Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka konsideruar kundër frymës kushtetuese më shumë se njëzet pika të këtij organizmi, për të cilin ata që u pajtuan ta krijonin thoshin se nuk ishte më shumë se një OJQ.

Tash, Serbia pret të përfitojë edhe më shumë nga Kosova, Bashkimi Europian pret që palët të arrijnë kompromis, kurse është e paqartë se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. Në fakt, që nga nisja e dialogut në vitin 2011, Kosova ka bërë më së shumti kompromise ndaj Serbisë, ndërkaq vetë ka përfituar pak. Tash një dekadë Serbia vazhdimisht ka përsëritur se nuk e njeh Kosovën e pavarur dhe vazhdimisht ka përfituar nga BE’ja. Kosova, ndërkaq, e cila vazhdimisht ka lëshuar pe duke shpresuar se do të përfitojë, vetëm sa është dobësuar dhe injoruar. Dhe tash, Kosovës i kërkohen sërish kompromise, thua se nuk ka mjaftuar që është shkatërruar e sakatuar nga Serbia, thua se mijëra qytetarë të saj nuk janë vrarë e masakruar nga regjimi i Slobodan Milosheviqit, thua se nuk është penguar çdo ecje përpara e shtetit të ri.

Kompromisi i fundit nga Kosova, në raport me dialogun, u bë kur hoqi taksën, madje edhe reciprocitetin ndaj Serbisë, si shenjë e vullnetit të mirë që dialogu të vazhdojë. Por Serbia nuk kënaqet me kaq – tash e vë si kusht krijimin e asociacionit. Kushedi çfarë kushti vendos nesër.

* * *

Për fajin e atyre që e kanë udhëhequr gjatë gjithë periudhës pas luftës, Kosova nuk ia ka dalë të paraqitet çfarë është në të vërtetë – viktimë e agresionit serb, viktimë e terrorit të organizuar nga shteti serb, viktimë e krimeve sistematike të shtetit serb. Për fat të keq, papërgjegjësia e pjesës më të madhe të klasës politike e ka sjellë vendin në situatë që, dy dekada pas luftës, të krijohet përshtypja thua se Kosova e ka sulmuar Serbinë, e jo e kundërta. Tash Serbia shitet viktimë dhe përfiton gjithnjë e më shumë nga ky viktimizim. Kosova, viktima e vërtetë, ka përfituar vetëm përbuzje e injorim. Për fajin e vet, më tepër se për fajin e kujdoqoftë tjetër.

Kur ishte rasti të kapitalizohej mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ata që ishin në qeverisje nisën dialogun me Serbinë. Dialog pa kushte, pa reciprocitet. Ia vendosën emrit të shtetit fusnotën e famshme, nënshkruan marrëveshje të dëmshme për krijimin e asociacionit në Bruksel, i lejuan strukturat paralele të Beogradit që të funksionojnë anembanë vendit dhe, për më tepër, i vunë në dyshim edhe kufijtë e vendit, me idetë për korrigjimin e tyre. Përgjatë një dekade, Kosova thuajse nuk përfitoi asgjë, përkundrazi. Serbët vendës rritën rezistencën kundër shtetit të pavarur dhe u bënë më të varur nga Beogradi, e BE nuk e vlerësoi gatishmërinë e Prishtinës për pajtim.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Serbia nuk mori mundin të kërkojë madje as falje për krimet që kreu në Kosovë, nuk bëri gjë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, nuk i ktheu Kosovës asgjë nga asetet e plaçkitura, bëri çmos ta minojë dhe ta defunksionalizojë shtetin e ri dhe për të gjithë këto u shpërblye.

* * *

Në Bruksel përfaqësuesit e Kosovës nuk negociojnë në mënyrë të barabartë, sepse ndërmjetësuesi nuk është fer. BE nuk e njeh Kosovën të pavarur, ndërkohë që flet për kompromise të tjera. Pra, udhëheqësit kosovarë po vazhdojnë të dialogojnë me Beogradin në pozitë inferiore – duke mos u njohur shteti i tyre as nga Beogradi, as nga Brukseli. Në të tilla raste, siç ka ndodhur edhe deri tash, presioni bie mbi më të dobtin dhe Kosovës i kërkohet të lëshojë pe sërish. Të lëshojë pe në këmbim të çkaje? Të lëshojë pe për t’ia lehtësuar edhe më shumë Serbisë rrugën drejt BE’së? Të lëshojë pe për ta defunksionalizuar veten nga brenda? Të lëshojë pe për më shumë prani të Serbisë brenda kufijve të vet? Jo, faleminderit! Nuk na duhet një shtet jofunksional, që mbase mund ta njohë Serbia. Na duhet një shtet normal.