Gjykata Themelore në Prishtinë caktoi masën e arrestit shtëpiak ndaj Kadrije Asllanit- drejtoreshë e çerdhes “Botanika” në Prishtinë dhe Qëndresa Makolli-Berishës- administratore në këtë institucion, nën dyshimin për “Përvetësim në detyrë”.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar edhe procesverbalin e seancës dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, në të cilin palët paraqitën pretendimet lidhur dyshimet për keqpërdorime me fondet publike nga kopshti “Botanika”.
Fillimisht, sipas procesverbalit, prokurori i rastit, Eset Rama para Gjykatës lexoi kërkesën dhe e elaboroi në të gjitha pikat. Ai tha se e pandehura Makolli-Berisha nuk është ndaluar për arsye humanitare, por propozoi që t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.
Në procervebal thuhet se mbrojtësi i Asllanit me autorizim- avokati Hajzer Salihu e kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë. Tha se Prokuroria me asnjë provë të vetme nuk e ka dëshmuar se ku qëndron fakti i të provuarit se e mbrojtura e tij ka përvetësuar mjetet për të cilat dyshohet.
Madje, ai thotë se gjithë kjo procedurë s’ka kuptim ngase Asllani edhe pse e ka denoncuar rastin e keqpërdorimit dhe ka ofruar faktet e provat te hetuesit policorë, Prokuroria e vë në bankën e të dyshuarës.
“Me asnjë provë të vetme as hetuesia as prokuroria nuk kanë arritur në këtë fazë të dëshmojnë se e mbrojtura ime të ketë përvetësuar qoftë edhe një euro, nga ato që i ngarkohen”, citohet se deklaroi Salihu, duke shtuar se kanë deponuar prova që vërtetojnë se dyshimet për tërheqje nga llogaria bankare e institucionit janë të pambështetshme.
Sipas tij, Asllani asnjëherë nuk ka mbajtur kartelë debit ose kredie me emrin e saj- dhe se asnjëherë s’ka bërë pagesa të asaj kartele dhe se hetuesve policorë u ka ofruar prova dhe fakte që e dëshmojnë se e njëjta nuk ka kryer vepër penale.
Gjithashtu, sipas procesverbalit, Salihu ka deklaruar para Gjykatës se Asllani dhe Makolli-Berisha kanë pasur qasje të pakufizuar në llogarinë bankare të institucionit dhe se kjo dëshmohet edhe nga kontrata për shërbime bankare.
Sipas tij, s’qëndron pretendimi i Prokurorisë se e mbrojtura e tij ishte në dijeni për keqpërdorimet që dyshohet.
Aty thuhet se Salihu ka deklaruar po ashtu se kërkesa për subvencionim dhe lista për subvencione është bërë nga procedurat që janë udhëhequr nga Komisioni i verifikimit me përbërje të administratores së “Botanikës”, prindërve dhe përfaqësuesit të Komunës.
Sipas tij, nga provat dëshmohet se kërkesat për subvencionim nuk kanë kaluar përmes drejtoreshës Asllani, por janë dërguar në DKA nga komisioni i cili me rregullore ka pasur përgjegjësi.
Gjithnjë sipas procesverbalit, avokati Salihu ka deklaruar se drejtoresha me të kuptuar se çfarë ka ndodhur, ka ndërmarrë një sërë veprimesh, duke i kërkuar raporte administratores, e që sipas tij, nuk i janë dorëzuar të plota. Po ashtu, tha se kishte alarmuar për gjendjen edhe Këshillin e prindërve, kuvendin e anëtarëve të kopshtit dhe Komunën e Prishtinës. Tha se ajo kishte bërë edhe kërkesë për auditim, por i ishte refuzuar.
Madje, tha se ishte refuzuar edhe kërkesa për suspendim të administratores deri në zbardhjen e rastit. Më pas, pas shumë pengesash, theksoi se i ishte drejtuar Policisë duke e denoncuar rastin dhe i kishte ofruar provat që ka gjetur.
Salihu ka deklaruar se të kërkohet arrest shtëpiak ndaj një personi pas tre muajsh që ka mbledhur prova për të denoncuar rastin, është e pakuptueshme. Ndërkohë që, sipas tij, e denoncuara lihet e lirë.
Në anën tjetër, në procesverbal thuhet se vetë drejtoresha Asllani përkrahi fjalën e mbrojtësit të saj dhe ka deklaruar se ndihet e pafajshme, duke shpresuar që rasti të zbardhet.
“E përkrah deklarimin e mbrojtësit tim, ndihem e pafajshme dhe shpresoj se drejtësia të zbardh këtë rast”, citohet të ketë thënë Asllani.
Ndërkaq, mbrojtësi i administratores së “Botankës”, Qëndresa Makolli-Berisha, avokati me autorizim zëvendësues- Esat Jupolli, kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë dhe deklaroi se veprimet e të mbrojturës së tij janë të karakterit subordinues në raport me drejtoreshën e institucionit, pasi që është në pozitën e administratores.
Në procesverbal po ashtu thuhet se avokati Jupolli u shpreh se të gjitha veprimet administratorja i merr me kërkesë të drejtoreshës.
Sipas Jupollit, listat e përfituesve janë përgatitur nga drejtoresha pa e përfillur procedurën e institucionit dhe se të njëjtat i janë dërguar Komunës së Prishtinës nga Makolli-Berisha, pa qenë në dijeni se në ato lista ka keqpërdorime me mjetet të këtyre subvencioneve.
Tutje, sipas Jupollit, e dyshuara Makolli-Berisha ka sqaruar para hetuesve policorë se cilat kanë qenë procedurat për listat e subvencionimit dhe se tërheqja e fondeve është bërë me kërkesë të drejtoreshës dhe se kartelën bankare e ka poseduar vetëm ajo. Tha se s’ka prova që e mbrojtura e saj ka përvetësuar qoftë një cent të atyre fondeve.
Avokati propozoi që t’i caktohet masa e paraqitjes në stacion policor.
Vetë Makolli-Berisha citohet se ka deklaruar që nuk ka pasur rol vendimmarrës dhe se këtë rol e ka pasur drejtoresha. Edhe administratorja tha se ndjehet plotësisht e pafajshme dhe se të gjitha punët i janë deleguar nga udhëheqësja e kopshtit.
“Dhe unë nuk është që jam që marr vendime, ka qenë udhëheqësja e kopshtit që merr vendime dhe që delegon punët”, thuhet të ketë deklaruar Makolli-Berisha.
Sipas Makolli-Berishës, pasi që prindërit janë ankuar drejtoresha për keqpërdorime, ajo ka nisur t’ia hedh fajin administratores.
Krejt në fund, në procesverbal thuhet se prokurori Rama ka deklaruar se kërkesa për caktim të arrestit shtëpiak është e bazuar dhe se Asllani ka qenë bartëse e kartelës dhe se për të përdorur kartelën autorizim ka pasur edhe e pandehura Makolli-Berisha, e cila gjë tha se është pranuar në vetë deklaratën e saj. Andaj, tha se kartelën e kanë përdorur dy të pandehurat.
Aty përmendet se auditori kishte evidentuar një mori shkeljesh nga përfitimi i subvencionit.
Të njëjtën gjë që e kishte potencuar në seancë dëgjimore, avokati Salihu e tha edhe në një prononcim për “Betimi për Drejtësi”, duke shtuar se vendimin për caktimin e arrestit shtëpiak do ta ankimojnë.
Sipas tij, është shqetësuese se si Asllani që ka qenë denoncuese të kthehet në të dyshuar. Tha se ajo ka alarmuar fillimisht Komunën e Prishtinës, pastaj Këshillin e Prindërve, si dhe ka kërkuar auditim dhe krejt në fund pasi që nuk ka marrë përgjigje rastin e ka dërguar në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” të mërkurën ka raportoi për ndalimin e drejtoreshës Asllani nën dyshimin për keqpërdorim me subvencione.
Ndërsa, më pas Policia më pas njoftoi se provat tregojnë përpilimin e listave fiktive të subvencioneve për fëmijë që nuk kanë ndjekur institucionin. Po ashtu, dyshohet se janë tërhequr para në mënyrë të parregullt si dhe është bërë blerje e pajisjeve elektronike pa justifikim të nevojave institucionale. Policia bëri të ditur se dëmi i shkaktuar mund të arrijë në mbi 100 mijë euro.
“Koha” kishte raportuar mbi dyshimet e prindërve të fëmijëve të kopshtit për përfitim të paligjshëm nga udhëheqja e “Botanikës” në emër të tyre, duke dërguar lista për subvencionim në komunë pa dijeninë e tyre.