Çka të bëhet me monumentin e “Vllaznim-Bashkimit” në Prishtinë - Gazeta Express
string(60) "cka-te-behet-me-monumentin-e-vllaznim-bashkimit-ne-prishtine"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

07/09/2022 16:10

Çka të bëhet me monumentin e “Vllaznim-Bashkimit” në Prishtinë

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

07/09/2022 16:10

A do të bëhet Kosova pjesë e nismave për shkëputjen nga trashëgimia e periudhës komuniste jugosllave? Apo ende do t’i ruajë këto monumente, të cilat do të shërbejnë si kujtesë e errët për një shtresë të popullsisë, përkatësisht si monumente arkitektonike e historike, ideologjike

Shkruan: Mentor Hasani

Para pak ditësh në të përditshmen amerikane “The New York Times” u publikua momenti i demolimit të një monumenti arkitektonik e historik të shumë diskutuar në kryeqytetin e Letonisë, i cili i përkiste epokës së Bashkimit Sovjetik dhe ideologjisë komuniste. U tha se rrëzimi i Obeliskut 260 metra të gjatë, ishte si pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të hequr simbolet e epokës sovjetike në vend dhe për të treguar solidaritet me Ukrainën.

Me rrëzimin e këtij monumenti Letonia pretendon të ketë mbyllur njërën ndër periudhat më të errëta të historisë së saj: atë të totalitarizmit-komunizmit. Ndonëse, mjaft letonez janë filorus, megjithatë, vendimi për rrëzimin e Obeliskut ishte kategorik dhe i pakthyeshëm. Mbase, përveç luftës dhe agresionit rus në Ukrainë, një arsye tjetër ishte edhe inspirimi nga heqja e një sërë simbolesh në disa vende të tjera. Megjithëse këto veprime kanë shkaktuar jo pak reagime publike, një numër shtetesh evropiane, dikur pjesë të ish BRSS, kanë paralajmëruar rrëzimin e monumenteve a simboleve që i përkasin periudhës së komunizmit sovjetik, i cili atakon kujtesën kolektive, nga ku mund të derivojnë pastaj ballafaqime socio-kulturore e politike në ato vende.

Vlen të theksohet se lëvizjet për t’i hequr gjurmët e komunizmit në vendet e BRSS, që sot janë pjesë e BE-së kanë filluar si ndjenjë e pakënaqësisë ndaj regjimit të sotëm në Moskë, i cili nëpërmjet sulmit ushtarak në Ukrainë, po synon rikthimin e territoreve të dikurshme të BRSS-së. Pas tri dekadash të rënies së sistemit komunist dhe shpërbërjes së BRSS-së, filozofia politike e Rusisë mbështetet në rikonstruktimin e zgjerimit të shtetit rus në ish territoret e Bashkimit Sovjetik, duke shkelur kështu ushtarakisht kufijtë shtetëror të shteteve që tashmë kanë krijuar sisteme demokratike të qeverisjes. Nëpërmjet kësaj politike hegjemoniste, rusët justifikojnë përpjekjet e tyre për të destabilizuar dhe më pas pushtuar shtetet si: Ukraina, Gjeorgjia, Letonia, Estonia, etj. Madje, edhe vendet që kurrë nuk kanë qenë pjesë e BRSS, si Finlanda, Suedia etj, po ndjehen gjithnjë e më pak të sigurta, si pasoj e kërcënimeve të vazhdueshme të Moskës zyrtare.

Pa marrë parasysh ambiciet e mëdha për luftëra ekspansioniste, rezistenca e fuqishme e ukrainasve, mbështetur nga perëndimi, ka dhënë sinjale që Rusia e ka të vështirë të arrijë synimet e saj. Madje, diplomacia e vendeve të sipërshënuara, por edhe lëvizjet e ndryshme qytetare dhe iniciativat e shumta, si kjo e rrëzimit të simboleve dhe monumenteve sovjetike, janë intensifikuar, gjithnjë në përpjekje për të parandaluar jo vetëm pushtimin e këtyre shteteve nga ushtria ruse, por edhe përhapjen e ndikimit socio-kulturor e ekonomik rus.

Ajo çfarë realisht, bie në sy sot, është fakti se në shtetet demokratike, trashëgimia kulturore, duke përfshirë këtu edhe trashëgiminë e errët, është ruajtur dhe ndaj saj është kushtuar kujdes i veçantë. Krejt kjo, për t’ua mundësuar gjeneratave të ardhshme të njihen me të kaluarën e vendeve të tyre dhe peripecitë nëpër të cilat kanë kaluar shoqëritë respektive.

Por, pyetja që shtrohet për diskutim është se a duhet vërtetë të ruhen, konservohen dhe restaurohen monumentet e ndërtuara nga pushtuesit apo regjimet komuniste? Cilat janë përfitimet dhe apo ndjesitë që mund të mësojnë apo marrin gjeneratat e reja nga to? Këto monumente do të shërbejnë më tepër në përafrimin e popujve e vendeve, apo do të ndikojnë në thellimin edhe më të marrëdhënieve ndërmjet popujve që kishin raportin: shtypësi-të shtypurit?

Këto dhe pyetje të tjera, jo rrallë shtrohen edhe tek shoqëria shqiptare në Kosovë, ngase edhe këtu kemi ende monumente që i përkasin periudhës komuniste të Jugosllavisë. Monumentet si ai i “Vllaznim Bashkimit”, pranë Kuvendit të Komunës së Prishtinës, apo monumenti i “Boro Ramizit” (tani “Pallati i Rinisë”) në qendër të kryeqytetit të Kosovës, janë vetëm disa nga monumentet që kanë ngjallur jo pak diskutime ndërmjet profesionistëve, elitës intelektuale dhe në përgjithësi shoqërisë shqiptare “për dhe kundër”, funksionimit apo rrëzimit të këtyre monumenteve të trashëgimisë së errët. Megjithëse është diskutuar mjaft dhe janë nxjerrë në pah vlerat arkitektonike, estetike e simbolike, ato vijojnë të kryejnë funksionet e dikurshme dhe kësisoj të jenë pjesë e pandashme e trashëgimisë artikektonike, urbanistike dhe kulturore të Prishtinës, të përcjella edhe me mesazhe politike a ideologjike. Si duket ende nuk është zbërthyer mesazhi që ato bartin tek gjeneratat që kanë lindur pas rënies së komunizmit dhe shpërbërjes së Jugosllavisë. Ngase, tek popullsia shqiptare, e cila ka jetuar jo pak nën sistemin jugosllav dhe në vitet ‘90-të nën atë serbë, monumentet që i përkasin asaj periudhe dhe ideologjie, tek pjesa dërrmuese e shoqërisë kanë hyrë në kujtesën e tyre si “trashëgimi e errët”. Kjo sepse atyre këto monumente ua kujtojnë padrejtësitë që kishin përjetuar nën sundimin kolonial serbo- jugosllav.

Duhet të ndalemi te “Trekëndëshi”, pranë Komunës së Prishtinës, që simbolizon “Vllaznim-Bashkimin”, një moto e komunistëve që jo vetëm që është e tejshkuar, por në fakt, për shqiptarët nuk ka vlejtur asnjëherë. Kjo sepse që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova dhe viset e tjera shqiptare u ripushtuan nga Serbia (1945), shqiptarët në kuadër të Federatës Jugosllave jo vetëm që nuk janë trajtuar dinjitetshëm, por ndaj tyre është ushtruar dhunë dhe terror shtetëror sistematik. Gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, janë zhvilluar me dhjetëra masakra në Kosovë dhe në viset shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi kundër popullsisë civile shqiptare. Mjafton të ofrojmë shembuj masakrash siç janë: Masakra e Tivarit, e Gjilanit, e Drenicës, depërtimi me dhunë i mijëra shqiptarëve për në Turqi (kujto marrëveshjet turko-jugosllave), pastaj arrestimet dhe burgosjet politike, shtypja me dhunë e demonstratave të organizuara në vitet 1968, 1981, 1989, 1997 etj. Këto dhe shumë forma të tjera të shkeljes së të drejtave kombëtare e qytetare të shqiptarëve në Jugosllavi, sipas një pjese jo të pakët të shoqërisë janë dëshmi e mjaftueshme për të rrëzuar simbolin e një monumenti artificial që promovonte “Vllaznim-Bashkimin”, në një vend ku padrejtësitë ndaj popullsisë shqiptare ishin aq të theksuara. Është për t’u habitur se si këtë monument “Trekëndëshin” nuk e rrëzoi as regjimi i Sllobodan Millosheviqit, i cili nuk qe i kujdesshëm në këtë masë e formë ndaj dhjetëra monumenteve të tjera arkitektonike, e historike dhe veçanërisht ndaj artefakteve të Kosovës të cilat nuk i janë kthyer as sot e kësaj dite vendit tonë.

Pa marrë parasysh nga çfarë u tha më lart, duhet theksuar se që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë (1999), “Trekëndëshi” disa herë ka ndryshuar ngjyrat, por asnjëherë nuk e ka ndryshuar formën dhe as mesazhin e tij. Atëherë, me të drejtë shtrohet pyetja: përse institucionet e Republikës së Kosovës e kanë të vështirë marrjen e vendimit për heqjen e tij dhe të monumenteve të tilla gjithandej Kosovës dhe kësisoj shkëputjen definitive nga ajo trashëgimi e errët. Apo, ndoshta kjo trashëgimi nuk perceptohet si e tillë nga elitat politike dhe qytetare sot në Kosovë.

Mbase, ndikimi i madh që ende ka shoqëria kosovare që dikur ishte pjesë përbërëse e sistemit komunist (lexo jugonostalgjikët) ka ndikuar që megjithë përpjekjet dhe iniciativat e shumta, edhe pas dy dekadave, të mos rrëzohet asnjë monument i periudhës komuniste jugosllave (përjashto disa në një ose dy komuna të vogla). Ndërsa, në dallim nga Kosova, Letonia e cila përkundër tensioneve dhe filorusizmit të theksuar brenda shoqërisë letoneze, arriti që ta rrëzoi përfundimisht monumentin sovjetik.

Shtetet evropiane, demokratike dhe elitat e tyre politike viteve të fundit kanë marrë vendime të cilat edhe mund të kenë prekur në kujtesën e një pjese të shoqërisë së vendeve të tyre, por megjithatë, jo pak shtete, janë shkëputur plotësisht nga trashëgimia e errët arkitektonike. Madje, në disa shtete, sot nuk ekzistojnë monumente të tilla, ndërsa në shumë vende janë duke u bërë përpjekje për heqjen e tyre. Shtrohet pyetja: a do të bëhet edhe Kosova, pjesë e këtyre nismave për shkëputjen nga trashëgimia e periudhës komuniste jugosllave? Apo, Kosova, ende do t’i ruajë këto monumente, të cilat do të shërbejnë si kujtesë e errët për një shtresë të popullsisë, përkatësisht si monumente arkitektonike e historike, ideologjike. Kjo, në veçanti vlen për shtresën tjetër të shoqërisë shqiptare, të cilës këto monumente edhe mund t’i japin një ndjesi të caktuar, e cila vjen kryesisht nga shija artistike, ideologjike, e cila jo rrallë i ka dominuar pikëpamjet dhe bindjet politike.