Çka të bëhet me Asociacionin? (II) - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

23/09/2020 10:24

Çka të bëhet me Asociacionin? (II)

OP/ED

Gazeta Express

23/09/2020 10:24

Cili është ‘Modeli operativ’ i Emisarit Special të BE-së, Miroslav Lajčakut, në bisedimet e Brukselit? A mund të ndodhë përmbysja e tij nga ana e Beogradit zyrtar?

Shkruan: Blerim Shala

Miroslav Lajčak, si Përgjegjësi kryesor, në emër të BE-së, për dialogun në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, ka vlerësuar, së paku deri tash, që në mandatin e tij nuk janë Marrëveshjet  (Mosmarrëveshjet në lidhje me to), e arritura në atë periudhën e më parme të bisedimeve, në harkun kohor 2011-2015, kur ato udhëhiqeshin prej Catherine Ashton dhe Federica Mogherini, si Përfaqësuese të lartë të BE-së.

Zaten, edhe vetë Mogherini, në dy vitet e fundit të mandatit të saj si Kryediplomate e BE-së  (në vitet 2018, 2019), vendosi që të përpiqet ta ndërmjetësojë atë Marrëveshjen e madhe politike për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse vetëm në këtë mënyrë, duke lënë menjanë atë qasjen e mëparme ’hap pas hapi’  (apo, me Marrëveshje konkrete tek Marrëveshja Gjithpërfshirëse), do të mund të mbërrihej në epilogun e këtyre përpjekjeve diplomatike të cilat sa vinin dhe ndërlikoheshin.

Lajčak në të vërtetë, synon ta bëjë një dyzim në mes të këtyre dy qasjeve. Në njërën anë, ai po përpiqet që ta sigurojë dakordimin e dy palëve për njësitë apo elementet e veçanta të Marrëveshjes Ligjësisht Obligative  (ia nisi me të pagjeturit, vazhdoi me kthimin e të zhvendosurve dhe me marrëdhëniet ekonomike në mes të Kosovës dhe Serbisë), e në anën tjetër, nëse Prishtina dhe Beogradi do të pajtohen me këto elemente, pa e formalizuar atë (pajtim) me nënshkrim, natyrshëm do të mbërrijnë tek finalja e quajtur Marrëveshja për normalizmin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo qasje e tij ta rikujton në masë të madhe atë të Presidentit Ahtisaari, në negociatat e zhvilluara në Vienë, në harkun kohor shkurt 2006 – mars 2007, pas të cilave ai pati përgatitur Propozimin Gjithpërfshirës për Statusin e Kosovës, apo, pavarësinë e Kosovës, fillimisht të mbikëqyrur ndërkombëtarisht.

Pra, Ahtisaari synonte që të mbërrihej një dakordim i Ekipit të Unitetit të Kosovës dhe Delegacionit të Serbisë për tema të veçanta, të cilat kishin të bënin me të drejtat e komuniteteve në Kosovë, me trashëgiminë religjioze dhe kulturore serbe në Kosovë, me raportet e ardhshme në mes të Kosovës dhe Serbisë në të gjitha aspektet, me aspektin e kërkesave financiare të dy palëve, me rolin e faktorit ndërkombëtarë, në dimensionin civil dhe ushtarak në Kosovë, pas definimit të statusit, etj.etj.

Por, në rastin e Ahtisaarit, jo vetëm ai, por në masë të madhe edhe vet Grupi i Kontaktit, teksa në mënyrë eksplicite këtë e kishin bërë SHBA-ja dhe Britania e Madhe, që në fillim të kësaj ndërmarrjeje ndërkombëtare, ia kishin bërë të ditur te dy palëve në bisedime, që ato kanë një epilog të ditur, apo që Kosova do të bëhet shtet i pavarur, dhe që negociatat kanë të bëjnë me akomodimin e komuniteteve pakicë në shtetin e ardhshëm të Kosovës, dhe me relacionet në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dhe me ato në mes të Bashkësisë Ndërkombëtare dhe shtetit të Kosovës.

Kjo qartësi kategorike mungon në rastin e Lajčakut, edhe pse duket që ai, me gjasë njëlloj si Ahtisaari dikur, po përpiqet ta krijojë ambientin e bisedimeve i cili nënkupton epilogun e tyre që ndërlidhet me njohjen reciproke në mes të dy shteteve, si çelës të Marrëveshjes eventuale.

Por, kohërat kanë ndryshuar shumë, nuk ka mobilizim ndërkombëtarë rreth këtyre bisedimeve tani, çfarë ka pasur në vitet 2005-2007, teksa, siç është thënë disa herë në të kaluarën, kësaj here mungojnë me të madhe ofertat inkurajuese për Beogradin për ta pranuar pashmangshmërinë e këtij epilogu të dialogut  (me njohjen reciproke), dhe njëlloj, nuk ka mjete sanksionuese politike, diplomatike dhe eknomike ndaj Serbisë, nëse andejpari nuk do të ketë vullnet politik për ta bërë Marrëveshjen.

Në anën tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić dhe Ekipet e tij dialoguese, mund të vendosin ta përmbysin në plotëni këtë ’model operativ’ të bisedimeve të Brukselit, të promovuar nga Lajčak dhe të dakorduar në Takimin e parë në mes të Kryeministrit Hoti dhe Presidentit Vučić, të mbajtur me 16 korrik në Bruksel.

Këtë Beogradi mund ta bëjë pikërisht duke u përqendruar tek tema e Asociacionit/ Komunave me shumicë serbe.

Në vend se të shfaqë gatishmërinë që Marrëveshjen e veçantë për Asociacionin/ Bashkësinë e komunave me shumicë serbe ta bëjë tash, si njërin prej elementeve të Marrëveshjes finale politike, nuk do të jetë fare befasi, duke e ditur qasjen që udhëheqësia e Serbisë e ka aplikuar në të kaluarën, apo viteve të fundit, që Beogradi do të këmbëngulë në këto raundet e ardhshme të bisedimeve me Prishtinën dhe Lajčakun, në Bruksel, që këtu nuk ka çka të bisedohet, apo që autoritetet e Kosovës duhet ta zbatojnë atë pjesën e Marrëveshjes së 19 prillit  (2013), që përkon me Asociacionin/ Bashkësinë.

Poqëse përfaqësuesit e Serbisë do të insistojnë që Lajčak dhe instancat më të larta të Prishtinës duhet të mirren me zbatimin e kësa pjese të Marrëveshjes së 19 prillit, duke ditur që Parimet themelore të Statutit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave  (të dakorduara në muajin gusht të vitit 2015), janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës  (në muajin dhjetor të po atij viti), kjo do ta ketë domethënin e kontestimit të modelit të veprimit të Lajčakut si Emisar Special të BE-së.

Përfaqësuesit e Serbisë do të mund të sillen në këtë mënyrë, midis tjerash, edhe për ta fuqizuar pozicionin e tyre negociator në bisedimet e Brukselit, dhe për të kërkuar që  Asociacioni/ Bashkësia e komunave me shumicë serbe, të evoluojë në drejtim të krijimit të një entiteti të mirëfilltë legal dhe politik që do t’i bashkonte në një vend dhjetë komunat e banuara me shumicën serbe.

Ndërsa në rrethanat aktuale, autoritetet kosovare realisht, nuk kanë arritur ta krijojnë atë konsensusin minimal në politikën dhe në shoqërinë kosovare, në adresimin e kësaj teme e cila si qëndrojnë punën tani, në çdo variant të mundshëm do të sjellë kokëçarje të mëdha për përfaqësuesit e Prishtinës në bisedimet e Brukselit, dhe sërish, do ta tensionojë në përgjithësi skenën politike vendore.