“Kino Armata” ka nxjerrë një thirrje, përmes një shkrimi publik lidhur me gjendjen e kinemasë tash e disa kohë dhe për fatin e saj në të ardhmen. Aktivitet që do të organizohen në ‘Armata’ më 20, 21 dhe 22 qershor do t’i dedikohen situatës aktuale të kinemasë dhe për këtë çështje do të mbahet një bisedë e hapur.
Njoftimi i plotë:
Në një klimë politike ku sfera publike po shtrëngohet e fragmentohet nën peshën e logjikave përvetësuese dhe indiferencës kolektive, po e ndajmë këtë ftesë me bindjen se hapësirat që mbajnë gjallë kulturën, fjalën e lirë dhe mirëqenien publike janë të rëndësishme për të gjithë/a ne.
Prej nëntorit, për shkak të një interpretimi të paqartë ligjor, autonomia e Armatës si kinema publike u vu në rrezik ndërsa ne vazhduam punën në kushte të paqëndrueshme. Për të reflektuar mbi këtë rrugëtim dhe për të shqyrtuar ide e perspektiva të reja, më 20, 21 dhe 22 qershor po organizojmë një mini-program me diskutime dhe aktivitete të ndryshme.
E premtja, më 20 qershor nga ora 18:00, i dedikohet situatës aktuale të Armatës dhe një bisede të hapur rreth saj. Të shtunën dhe të dielën do t’i rezervojmë për pikëtakime të hapura në format dhe ritëm, me pyetje, ndërhyrje spontane, krijime kolektive, momente pushimi dhe aktivitete relaksuese. Përmes tyre synojmë të mundësojmë një hapësirë për reflektim të përbashkët mbi bashkëpunimet publiko-civile, të ardhmen e kulturës së pavarur, rolin e hapësirave publike, dhe çështje të tjera shoqërore. Orari i detajuar dhe informacionet e tjera do të publikohen së shpejti.
Armata vazhdon.