Çka pas skadimit të afatit 30 ditor për konstiuimin e Kuvendit? - Gazeta Express
string(62) "cka-pas-skadimit-te-afatit-30-ditor-per-konstiuimin-e-kuvendit"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

15/07/2025 8:46

Çka pas skadimit të afatit 30 ditor për konstiuimin e Kuvendit?

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

15/07/2025 8:46

Shkruan: Kadri Kryeziu

Janë vetëm dy opsione: shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme ose humbja e mandateve të deputetëve.

Me 26 Korrik 2025 skadon afati 30 ditor që Gjykata e ka përcaktuar si dita e fundit për ta konstituar Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në rast të dështimit për ta konstituar Kuvendin, si pasojë e mungesës së vullnetit politik për marrëveshje brenda deputetëve të kësaj legjislature, do të futemi në një situatë të re juridiko-kushtetuese, e pa provuar ndonjëherë në praktikën parlamentare të Kosovës.

Nëse dështon konstituimi brenda afatit të përcaktuar 30 ditor, dhe, siç pohon Prof. Blerim Latifi, vazhdon e papenguar odisejada e takimeve çdo 48 orë thuajse asgjë nuk ka ndodhur, atëherë vendi ynë futet në një proces të rrezikshëm të përmbysjes së rendit kushtetues.

Është shumë e rëndësishme të theksohet që përgjegjësia për dështimin e konstituimit është përgjegjësi kolektive e 120 deputetëve të kësaj legjislature. Në aspektin juridiko-kushtetues, hierarkia e përgjegjësive politike brenda grupeve parlamentare është tërësisht irelevante.

Para skadimit të afatit 30 ditor, Presidentja e Republikës duhet të konsultohet urgjent me Gjykatën Kushtetuese, për sqarime finale rreth Aktgjykimit të 26 Qershorit, në mënyrë që të mbrohet dhe të garantohet funksionimi kushtetues i institucioneve të Republikës.

Gjykata Kushtetuese i ka vetëm dy opsione:

1. Nuk vlen pohimi juridik që zgjedhjet nuk mund të shpallen pa një akt të shpërndarjes së Kuvendit nga vetë Kuvendi, me mocion të veçantë me 80 vota pro. Nuk mund të flasim për shpërndarje të Kuvendit që akoma nuk ekziston. Pa përmbylljen e aktit të konstituimit, Kuvendi realisht është në gjendje të abortit. Rrjedhimisht, Gjykata Kushtetuese mund t’i japë diskrecion të plotë Presidentes të Republikës që të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme, si rrjedhojë e dështimit për të konstituar Kuvendin brenda afatit 30 ditor, të përcaktuar tashmë nga vetë Gjykata si normë e detyrueshme kushtetuese.

2. Gjykata mund të zgjedhë rrugën e ndëshkimit administrativ dhe të konstatojë humbjen e mandatit, si rrjedhojë e dështimit për të konstituar Kuvendin, dhe të urdhërojë KQZ-në që të bëjë zëvendësimin me kandidatë të tjerë nga listat zgjedhore. Kjo e dyta është masë radikale, sepse nënkupton një lloj transformimi nga një republikë parlamentare në një republikë gjyqësore. Gjithsesi, në mbrojtje të autoritetit të vet si gardian i kushtetutës, Gjykata edhe mund të ndërmarrë këtë hap radikal.