Çka parasheh Projektligji i ri për Lirinë Fetare në Kosovë? - Gazeta Express
string(58) "cka-parasheh-projektligji-i-ri-per-lirite-fetare-ne-kosove"

Lajme

Gazeta Express

27/01/2023 7:10

Çka parasheh Projektligji i ri për Lirinë Fetare në Kosovë?

Lajme

Gazeta Express

27/01/2023 7:10

Projektligji i ri për Lirinë Fetare do të rregulloj edhe mënyrën e regjistrimit të Bashkësive Fetare në Kosovë.

Neni 7B i cili është risi në Ligjin për Liritë Fetare pritet ta rregulloj procedurën e regjistrimit të bashkësive të reja fetare, e cila nuk është detyrim.

Lexo Edhe:

Procedura e regjistrimit ose e refuzimit të një kërkesë për regjistrim, në bazë të këtij projektligji duhet të përfundoj brenda 60 ditëve.

Për t’u regjistruar një bashkësi fetare në Kosovë, sipas këtij projektligji, duhet të plotësohen 6 kushte.

Kushti i parë është që të paraqes në zyrë kërkesën për regjistrim nga një përfaqësues i autorizuar.

Zyra vendoset në kuadër të ministrisë përgjegjëse për Administratë Publike apo në organin tjetër qeveritar për të cilin vendos Qeveria.

Për t’u pranuar kjo kërkesë një bashkësi fetare me rastin e themelimit të kenë të paktën 100 anëtarë, shtetas të moshës madhore të Republikës së Kosovës.

Përveç kësaj, duhet të ketë një përfaqësues të autorizuar për qëllim të kontakteve të tij me autoritetet publike.

Po ashtu si kusht në kërkesë duhet të paraqesë qëllimin dhe aktivitetet e bashkësisë fetare. Të paraqesë parimet bazë të besimit të bashkësisë fetare si dhe të paraqesë pasurinë që e posedon dhe qëllimin e përdorimit të saj.

E pasi që të plotësohen këto kushte, projektligji ka paraparë procedurat që do të ndiqen tutje pas pranimit të kërkesës.

“Zyra bën kërkesën për themelimin e Komisionit ad hoc për regjistrimin e bashkësive të reja fetare. Komisioni në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditësh, pas themelimit, obligohet që të marrë vendimin për regjistrim të bashkësisë fetare dhe ta njoftojë përfaqësuesin e autorizuar i cili ka aplikuar” – thuhet në projektligj.

Pjesë e komisionit janë 7 anëtarë: tre deputetë të Kuvendit, 1 profesor nga Universiteti Publik, me ekspertizë në fushën e shkencave sociale, 1 përfaqësues i autorizuar nga bashkësia fetare që caktohet me rotacion nga çdo bashkësi fetare, 1 përfaqësues i Qeverisë i përzgjedhur nga Kryeministri dhe Udhëheqësi i Zyrës.

Për regjistrimin e bashkësisë fetare, nuk do të ketë nevojë të paguhet ndonjë taksë.

Refuzimi dhe çregjistrimi i një bashkësie fetare

Por jo gjithmonë kërkesa për krijimin e një bashkësie fetare mund të aprovohet. Projektligji ka paraparë edhe rastet kur një kërkesë e tillë mund të refuzohet.

Një kërkesë për regjistrim të një bashkësie fetare sipas ligji mund të refuzohet për 3 arsye; Mos-përmbushja e kushteve, në rastet kur qëllimi dhe aktivitetet e bashkësisë fetare janë në kundërshtim me, sigurinë, shëndetin dhe rendin publik ose të drejtat e personave të tjerë si dhe me ligjet në fuqi.

E edhe në rastet kur ekziston rreziku që emri i bashkësisë do të ngatërrohet me emrin e një bashkësie tjetër të njohur sipas ligjit në fuqi, kërkesa mund të refuzohet.

Në rast se një bashkësie i refuzohet regjistrimi, ligji e parasheh si instancë për ankesë Gjykatën Kompetente.

Projektligji i ri pritet të rregulloj edhe çështjen e çregjistrimit me kërkesën e themeluesit të bashkësisë fetare si dhe çregjistrimi me vendim të Komisionit.

Sipas ligjit, themeluesit e bashkësisë fetare mund të propozojnë çregjistrimin e bashkësisë fetare, duke parashtruar te Zyra kërkesën për çregjistrimin e bashkësisë fetare, duke prezantuar disa dokumente të nevojshme.

“Dëshmi nga Gjykata që nuk ka proces të hapur ndaj tyre. Dëshmi nga Administrata Tatimore që nuk ka obligime tatimore. Arsyen me shkrim për çregjistrim dhe dëshmi se kush i trashëgon pronat dhe pasurinë tjetër të luajtshme. Raportin e pasqyrave financiare të audituara nga themelimi e deri në momentin e kërkesës për çregjistrim” – thuhet në projektligj.

Ndërsa tek çregjistrimi me vendim të Komisionit procedura është pakëz më ndryshe.

Sipas këtij projektligji zyra mund t’i propozojë Komisionit marrjen e vendimit për çregjistrimin e një bashkësie fetare pasi ka konstatuar se, në pajtim me procedurën e zhvilluar në pajtim me ligjin përkatës për procedurën e përgjithshme administrative, bashkësia fetare më nuk i plotëson kushtet e parapara me këtë ligj.

Vendimi këtij komisionit për çregjistrim është përfundimtar në procedurë administrative.

Kundër vendimit të Komisionit për çregjistrimin, bashkësia fetare ka të drejtë të ngritë padi për konfliktin administrativ në gjykatën kompetente.

Në rast të shuarjes së bashkësisë fetare, ligji ka paraparë që pasuria i transferohet Qeverisë së Kosovës.

Projektligji për plotësim ndryshimin e Ligjit për Liritë Fetare në Kosovë, u miratua nga kabineti qeveritar.

Sipas projektligjit të miratuar dje, në Kosovë ekzistojnë shtatë (7) bashkësi fetare të cilat përbëjnë edhe trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit. Këto bashkësi janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Besimit Hebrej, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës.

Ligji për Liritë Fetare në Kosovë, është ai i viti 2007 i kohës së UNMIK.

Edhe raportin ndërkombëtar për Liritë Fetare të vitit 2020 të Departamentit Amerikan të Shtetit, ishte theksuar nevoja për Ligj të ndryshuar për lirinë fetare. Sipas raportit, mungesa e statusit ligjor për bashkësitë fetare është një hendek i madh në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut në Kosovë. /Kallxo