Çka ndodhi gjatë vizitës së Ramës në Kosovë - Gazeta Express

Lajme

Gazeta Express

30/06/2020 7:10

Çka ndodhi gjatë vizitës së Ramës në Kosovë

Lajme

Gazeta Express

30/06/2020 7:10

Unifikim të lidershipit për t’u ballafaquar me aktakuzën e paralajmëruar nga Gjykata Speciale, ka kërkuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në takimet e tij me udhëheqësit institucionalë dhe liderët politikë, në ditën e parë të vizitës në Kosovë.

Burime të afërta me këto takime i kanë thënë KOHËS se kryeministri shqiptar ka ardhur me misionin që t’i unifikojë të gjitha partitë, pas publikimit të aktakuzës së parë ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Gazeta merr vesh se Rama u ka thënë liderëve se aktakuza e vë në rrezik shtetin e Kosovës, raporton KOHA.

“Diskursi i tij më shumë ka qenë i orientuar rreth asaj se është koha të bëhemi bashkë kundër kësaj që po i ndodh Kosovës, dhe se aktakuza është e drejtuar kundër shtetit të Kosovës”, ka thënë një burim që ishte prezent në njërin prej takimeve të së hënës.

Pas asnjërit prej takimeve nuk ka pasur deklarime për media, por Rama pritet të mbajë një konferencë për media të martën, pasi t’i finalizojë takimet me të gjithë përfaqësuesit partiakë.

Zyrtarisht shumica e partive politike, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje në opozitë, e as liderët institucionalë nuk janë deklaruar për takimet e zhvilluara. Pasi i takoi shumicën prej liderëve, Rama e ka përfunduar ditën e parë të vizitës në një darkë me presidentin Thaçi.

Në nisje të vizitës, për të cilën nuk pati as njoftim zyrtar, Rama ka treguar për qëllimin e ardhjes në Prishtinë. “Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletërrufesë speciale, që do të hyjë si njollë turpi e shekullit XXI në historinë botërore të drejtësisë, e cila praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur veç në epokat e sundimeve ideologjike a para tyre!”, ka shkruar Rama në “Twitter”.