Çka ndodh në trup nëse pini alkool çdo ditë për një muaj - Gazeta Express

Çka ndodh në trup nëse pini alkool çdo ditë për një muaj

Shneta

Gazeta Express

22/06/2020 7:29

Alkooli, kur konsumohet në sasi të moderuar, është i kënaqshëm. Megjithatë, gjatë festave të fundvitit, shumë njerëz kanë tendenca ta teprojnë me alkool dhe të pinë gjatë shumicës së ditëve, pa qenë të vetëdijshëm për efektet e dëmshme që kjo mund t’i ketë në trupin e njeriut.

Por, çfarë efektesh saktësisht shkaktohen në trup nëse pini alkool çdo ditë për një muaj?

1: Shëndeti i zemrës

Konsumimi i tepërt i alkoolit mund të shkaktojë shtypje të lartë të gjakut. Shtypja e lartë e gjakut pastaj e rritë rrezikun e sëmundjeve vdekjeprurëse, siç është sulmi në zemër apo në tru.

Veç kësaj, konsumimi i tepërt i alkoolit mund të shkaktojë edhe rrahje të çrregullt të zemrës dhe, në disa raste, edhe vdekje të papritur.

2: Shtim të peshës

Alkooli ka shumë kalori dhe përmbajtje të lartë të sheqerit.

Kësisoj, nëse pini çdo ditë për një muaj, padyshim se këtë do ta vëreni edhe në barkun tuaj.

3: Shëndeti seksual

Dehja i rritë shanset të bëni seks të pasigurt. Kjo pastaj shpie në infeksione të sëmundjeve që transmetohen seksualisht apo edhe në shtatzëni të pa planifikuar.

4: Veshkat

Alkooli është diuretik, i cili i nxitë veshkat të prodhojnë më shumë urinë.

Kjo vetvetiu, por në veçanti edhe nëse shoqërohet me vjellje, mund të shpie në dehidratim dhe nivele të rrezikshme të ulëta të sodiumit, kaliumit dhe mineraleve tjera.

5: Pankreasi

Vetëm një sesion i vetëm me konsumim të tepërt të alkoolit mund të shpie në nivel shumë të ulët të sheqerit në gjak.

6: Mungesë të vitaminës B

Absorbimi i vitaminës B12 nga mishi, produktet e bulmetit dhe vezët mund të ndikohet në veçanti nga alkooli dhe shenjat e mungesës së kësaj mungese përfshijnë lodhje, probleme me frymëmarrje, dhimbje koke, zverdhje të lëkurës, etj.