Çka fitoi Kurti e Vuçiqi dhe çka humbi Kosova, sipas Agon Maliqit - Gazeta Express
string(64) "cka-fitoi-kurti-e-vuciqi-dhe-cka-humbi-kosova-sipas-agon-maliqit"

Çka fitoi Kurti e Vuçiqi dhe çka humbi Kosova, sipas Agon Maliqit

Lajme

Gazeta Express

19/03/2023 14:46

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi e ka cilësuar si “parimisht pozitive, por vështirë të garantueshme”, marrëveshjen e arritur të shtunën në Ohër ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, të gjitha palët, përfshirë ndërmjetësuesit, fituan diçka simbolike nga kjo. Nga kjo, rezultati sipas tij, është vazhdimi i procesit të dialogut me shpresë dhe jo garanci se gjithçka do të përmbyllet këtë vit, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

“Kurti e fitoi ndryshimin kozmetik (grimin) mbi Asociacionin, të cilin si përmbajtje ashtu kështu e kishte arrritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Vuçiq e fitoi mungesën e nënshkrimit si narracion të “mos dorëzimit historik” para popullit serb, për ta vazhduar shitjen e iluzioneve dhe mbajtur peng rajonin. Perëndimorët e dorëzuar përballë distancës së palëve e fituan lajmin se po bëjnë diçka”, shkroi Maliqi në një postim në Facebook.

“Ndërkohë Kosova dhe Serbia, pasi e humbën një dhjetëvjeçar duke u sillur nëpër rrethin e manipulimeve të politikanëve mbi tema patriotike, e fituan edhe një marrëveshje parimisht pozitive, por vështirë të garantueshme – të varur dhe ndërlidhur me procesin e integrimeve europiane të Serbisë, i cili po ecën me shpejtësinë e breshkës. Me fjalë të tjera, e fituam vazhdimin e procesit me shpresën (por jo edhe garancinë) se gjithçka përmbyllet sivjet”, shtoi ai.

Mbetet të shihet nëse Kosova do të fitojë ndonjë njohje nga kjo, thotë Maliqi, i cili nuk ka dyshim se “Kosova e ka humbur kot një dhjetëvjeçar nën ethet e popullizmit për t’u rikthyer aty ku ishte”.

“Se sa ia vlejti e gjithë kjo megjithatë mbetet të shihet nga ajo nëse në ndërkohë Kosova gjatë kësaj kohe e përfiton ndonjë njohje nga vendet e NATO/BE, apo nëse na hapen rrugët për në NATO dhe Këshill të Evropës. Sidoqoftë, ajo që mbetet e sigurt është se Kosova e ka humbur kot një dhjetëvjeçar nën ethet e popullizmit për t’u rikthyer aty ku ishte, për t’iu lutur aleatëve për disa përfitime që i kishte në tavolinë si ofertë para shumë vitesh”, shkroi Maliqi.

“Mbi të gjitha, Kosova po e paguan koston e keqleximit të momentit të favorshëm gjeopolitik nga lufta në Ukrainë dhe shpenzimit të krediteve politike ndaj aleatëve me aventurat e pa krye dhe të pakoordinuara në veri. Shpresoj që ky të jetë edhe fundi i qeverisjes me logjikën populliste dhe foshnjore të komandant tastaturave”, shtoi ai.

Në fund, ai i kujtoi në një mënyrë epitetet që kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij dikur ia kishte vënë atyre që mbështesnin marrëveshjet e mëhershme.

“P.S. Nuk e di nëse ka ndonjë aneks në marrëveshje ku na kërkohet falje neve “tradhëtarëve” por do të ishte e udhës. Nuk keni nevojë me e nënshkru, edhe ne si BE-ja po e marrim si të mirëqenë”, shkroi Maliqi.