Çka do të ndodhë tash e tutje me dialogun e Kosovës dhe Serbisë (III) - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

01/07/2020 10:24

Çka do të ndodhë tash e tutje me dialogun e Kosovës dhe Serbisë (III)

OP/ED

Gazeta Express

01/07/2020 10:24

Vitet më të vështira për Kosovën

Duket që ky vit dhe ai tjetri që do të pasojë  (viti 2021, pra), do të jenë vitet më të rënda, më sprovuese dhe më të vështira për Kosovën, që nga çlirimin e këndej.

Shkruan: Blerim Shala

Filozofi i njohur gjerman Karl Jasper, në librin e tij ’Çështja e fajësisë’, i cili mbi të gjitha ishte reflektim për krimet e bëra gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Nazizmi, flet për katër nocione të fajësisë: Për fajësinë penale, për atë politike, për fajësinë morale dhe atë metafizike.

Kjo e fundit, fajësia metafizike na takon secilit prej neve si njeri, në rrethana shumë të veçanta, kur detyrohesh të zgjedhësh se çka do të bësh për të mbetur njeri, qoftë edhe duke humbur jetën, dhe duke e shfajësuar veten.

Korniza e Jaspersit, poqëse aplikohet në rastin e luftës në Kosovë, nga ky pikëshikimi i politikës serbe dhe qasjes së saj ndaj çfarë ka ndodhur në Kosovë, ka mbetur fare në fillim, në te tri llojet e fajësisë, asaj penale, politike dhe morale.

Asnjë pushtet në Serbi, që prej përfundimit të luftës në Kosovë e këndej, nuk ka pasë as atë minimumin e duhur të vullnetit për tu ballafaquar me të gjitha vuajtjet, tmerret dhe fatkeqësitë e shkaktuara në Kosovë.

Është e vërtetë që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, gjatë atij ‘dialogu të brendshëm’ në Serbi, të organizuar prej tij në vitet 2017, 2018, pati konstatuar që Kosova është shtet i pavarur, pa marrë parasysh se çka mendojnë për këtë fakt qytetarët e Serbisë.

Por ai bërjen e shtetit të Kosovës e lidhte kryekëput me fushatën e Aleancës Veri-Atlantike në pranverën e vitit 1999-të, me vullnetin e njohur politik të shteteve të mëdha të Perëndimit  (në radhë të parë të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë, siç pohon Vučić), dhe me gabimet e mëdha të pushtetit të atëhershëm të Serbisë, e jo me një të drejtë që gjithsesi i ka takuar shqiptarëve të Kosovës, që ata vet, kur dihet historia e gjatë e Kosovës si territor, të vendosin për fatin e tyre.

Për këtë shkak ai dhe pushteti i tij, nuk kanë treguar atë gatishmërinë e kërkuar në këto raste që të shfaqin fillimisht pendesën, e pastaj, edhe aktet e qarta të kërkimit të faljes për krimet e bëra në Kosovë.

Përkundrazi, me gjasë edhe me synim për ta forcuar sa më shumë pozicionin e vet negociator në finalen e pritur të bisedimeve me autoritetet e Kosovës për arritjen e Marrëveshjes legalisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës, Vučić ka kontribuar shumë, në shoqërinë dhe në mediat serbe, në fuqizimin e narracionit të viktimizimit të Serbisë dhe të serbëve në ato vitet e luftës në Kosovë, duke baraspeshuar kështu atë qëndrimin e tij të saktë dhe të qëndrueshëm për humbjen e Kosovës (një herë në luftë, e pastaj edhe në ICJ, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, në korrikun e vitit 2010-të), me një qasje shfajësuese për veten dhe elitën e sotme politike në Serbi, edhe pse këta të njëjtit kanë qenë pjesë e atij establishmenti të Serbisë në ato vitet e luftës, si bashkëpunëtorë të Slobodan Miloševićit.

Politika dhe shoqëria serbe, janë mësuar disi të jenë të varur shumë nga mitologjia për Kosovën, dhe nga një histori e kuptuar mbrapsht dhe gabimisht, dhe e riprodhuar mbrapsht dhe gabimisht, veçmas prej asaj periudhe kur në krye të saj vjen Slobodan Milošević, në gjysmën e dytë të viteve të tetëdhjeta  (të shekullit të kaluar).

Nuk ka kurrfarë dyshimi që nëse Serbia si shtet dëshiron të transformohet në një shtet modern, pro-evropian  (së paku), për tu bërë sa më parë që është e mundur shtet anëtar i BE-së, e ka të domosdoshme që ta bëjë Marrëveshjen Gjithperfshirëse me Kosovën, në thelbin e të së cilës do të jetë njohja reciproke në mes të këtyre dy shteteve.

Gjithashtu, nëse udheheqësia e tanishme e Serbisë njëmend synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, siç pohon vazhdimisht, e ka poaq të pashmangshme që të divorcohet një herë e mirë nga mitologjia për Kosovën dhe nga një histori e fabrikuar keq jo vetëm për Kosovën, e cila e mbanë këtë shtet dhe gjithë shoqërinë serbe në një varëshmëri nga ky Graviteti i rrezikshëm politik.

Ky Gravitet politik, e bën Serbinë një lloj të shtetit me orientime themelore bipolare, në atë trajtën e ditur, edhe me Perëndimin, edhe me Lindjen, që në instancë të fundit, vjen e kthehet në një situatë kur Serbia nuk është as me Perëndimin, dhe as me Lindjen, sepse as njëra dhe as tjera anë politike dhe gjeografike nuk i besojnë asaj se kah e ka orientimin e vet themelor politik dhe qytetërues.

Vučić e di mirë që herët a vonë duhet ta bëjë këtë përcaktim strategjik, dhe sa më shumë që vonohet në këtë aspekt do ta ketë më vështirë.

Një diplomat i lartë perëndimor që ka shërbyer për vite të tëra në Beograd, dhe atë, pak vite më parë, këtë raport të çrregulluar të shoqërisë serbe me Perëndimin dhe Lindjen e pati definuar madje me terminologji psikiatrike, duke pohuar që teksa zemra e kësaj shoqërie ka orientim pro-rus dhe pro-Lindor, mendja dhe interesi i saj anojnë kah Evropa dhe Perëndimi.

Për aq kohë sa Serbia nuk do ta sqarojë raportin e vet me Kosovën, në relacionet në mes të dy shteteve, pa i normalizuar këto marrëdhënie, për aq kohë ajo do ta ketë thuaja të pamundur që ta normalizojë atë raportin me vetëveten dhe me historinë e mirëfilltë të vet, gjë që do të ketë pasoja largëvajtëse për vetë këtë shtet dhe për këtë shoqëri.

Në rastin e Kosovës, u përmendën tashmë shkaqet pse Kosova tutje mbetet si politikë dhe si shoqëri në këtë ’orbitën’ e historisë, duke u sjellur vazhdimisht rreth saj, me shpejtësi gjithnjë e më të madhe.

U shkoqitën ato arsyet objektive pse ne, me apo pa vullnetin tonë, mbetëm në këto raportet të varëshmërisë së madhe nga historia, apo, pse nuk u arritëm të shkëputemi nga ajo, ose, ta trajtojmë ate si duhet.

U tha tashmë që sikur të kryhej si duhet  (dhe siç e kemi merituar, realisht), ky kallëzimi i madh historik me Serbinë, qysh në vitin 2007 në Vjenë  (apo, edhe në ato vitet e bisedimeve të Brukselit, pas vitit 2011), për ne si shoqëri do të ishte shumë më lehtë që ta gjejmë veten në rrjedhat bashkëkohore politike, ekonomike, qytetëruese, kulturore të Evropës dhe të Perëndimit.

S’do mend që po të ishte arritur Marrëveshja e madhe me Serbinë, Kosova tash e sa vite do ta kishte flamurin e saj në East River, në selinë e OKB-së në New York, do të ishte bërë shtet anëtar i të gjitha organizatave ndërkombëtare, do të ishte tani në fazën finale të zbatimit të MSA-së, që do të nënkuptonte edhe marrjen e statusit të shtetit kandidat për të hyrë në BE, teksa në raportet me Aleancën Veri-Atlanike, me gjasë, do të ishim shumë afër për të hyrë në Partneritetin për Paqe  (në PFP), që siç dihet është një lloj e ’paradhomës’ për inkuadrimin në Paktin NATO.

Ky do të ishte rrëfimi më i mirë i mundshëm për ne, nga kjo perspektiva e sotme, teksa nga ajo (perspektiva) e dimrit të viteve 2007/ 2008, ky (rrëfim) dukej real dhe i arritshëm, jo vetëm prej nesh, por prej shteteve mike perëndimore të Kosovës dhe lidershipit të tyre.

Kjo nuk ndodhi dhe ne kemi qenë si shtet dhe si shoqëri, në një lloj të ngecjeje të vazhdueshme së paku në tetë vitet e fundit, pa perspektivë të qartë evro-atlantike, pa kurfarë garancë për të hyrë në OKB, me këto përpjekjet e përhershme që të përmbyllet kjo storia me Serbinë, pa të cilën ne nuk kemi mundur të ecim para.

Më në fund, ai pak disponim dhe vullnet politik që ka ekzistuar ndër ne, në këtë politikën dhe shoqërinë kosovare, dhe që është mbajtur më së shumti falë inercionit dhe atyre rezervave në shterrje e sipër të optimizmit të kosovarëve  (të cilat u mbushën me të madhe falë zhvillimeve historike në vitet 1999, 2000), duket që përjetoi një rënie të madhe me refuzimin e pajustifikueshëm të BE-së për t’i pajisur qytetarët e Kosovës me të drejtën për të udhëtuar pa viza në Zonën e Schengenit, edhe përkundër përmbushjes së të gjitha Kritereve të caktuara nga Komisioni Evropian, qysh në muajin mars të vitit 2018-të.

Sidoqoftë, ekziston edhe një prirje e jona, autentike, që është pra një lloj i ’prodhimit vendor’, i marrjes apo preokupimit me historinë, apo me atë shpjegimin dhe interpretimin e historisë i cili na ka ardhë më së shumti përmes folklorit më parë, apo, edhe nëpërmjet të versionit zyrtar të saj të prodhuar nga Shqipëria komuniste, teksa pas luftës, pati një mobilizim politik, dhe publicistik këndejpari, për t’i hapur udhë sqarimeve dhe vlerësimeve joreale për gjithë këtë kapitullin e fundit historik, i cili na bënte fitimtarë për herë të parë në gjithë historinë tonë si Kosovë  (që prej vitit 1912 e këndej).

Nuk arritëm pra si vend dhe si shoqëri, dhe këtu kemi edhe vet përgjegjësi, (tej atyre kufizimeve dhe pengesave të shumta objektive, për të cilat u shkruajt këtu), që ta krijojmë një raport të duhur, të pjekur, racional, me historinë tonë të re, të cilën për herë të parë ishim në gjendje ta shkruajmë vet  (e të mos na shkruajnë të tjerët), sepse ajo njëmend ishte dyzim i një fitoreje të pashembullt historike ndër ne, e një pjekurie të pashoqe politike në gati një shekull të përpjekjeve tona për liri, dhe e një lufte sakrifikuese që dyzoi dinjitetin dhe lavdinë.

Është për tu habitur dhe për tu çuditur pse nuk kemi arritur ta ndërtojmë një naracion të këtillë historik ndër ne, kur Lëvizja paqësore dhe ajo ushtarake për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, u bashkuan në vitin 1999, në Konferencën e Rambouilletit, dhe për më shumë, pritën së bashku, si fitimtar, qershorin e vitit 1999, kur poashtu së bashku, krijuan atë partneritetin historik dhe politik me SHBA-në dhe me Perëndimin në përgjithësi, për ndërtimin e demokracisë në Kosovë në vitet e çlirimit dhe për krijimin e rrethanave politike dhe institucionale për bërjen e shtetit të Kosovës.

Sidoqoftë, në këtë aspekt, mund të thuhet me një ndjenjë të dëshpërimit të thellë, që nuk na presin ditë të mira në këtë relacionin tonë si politikë dhe si shoqëri me historinë, atë të kuptuar dhe të interpretuar në mënyrën e papërputshme me realitetin dhe me historinë e njëmendtë, poqëse mirret parasyshë fillimi i veprimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Secili prej nesh që e ka përjetuar luftën në Kosovë, e di shumë mirë se çka ka ndodhur këndejpari, në atë kontekstin kryesor historik dhe politik, të përgjegjësisë për luftë, për krimet dhe për tragjeditë që kanë ndodhur në Kosovë.

Gjykimet që pritet të ndodhin në Hagë, objektivisht, do të mund edhe ta mjegullojnë goxha shumë këtë tabllo të qartë të atyre viteve, dhe të krijojnë rrethana kur ky aktualiteti edhe ashtu i ndërlikuar politik në Kosovë, do të ndikohet edhe më shumë nga ri-kthimi i një historie të kaluar në sallat e gjyqit në Dhomat e Specializuara në Hagë, kur politika kosovare do të ngarkohet edhe me një barrë shtesë në këtë rrugëtimin e saj i cili edhe ashtu është i paqartë dhe thuaja i pacak viteve të fundit.

U tha edhe më parë, duket që ky vit dhe ai tjetri që do të pasojë  (viti 2021, pra), do të jenë vitet më të rënda, më sprovuese dhe më të vështira për Kosovën, që nga çlirimin e këndej. 

Këtë do ta marrim vesh të gjithë. Herët apo vonë.

Dhe do ta kuptojmë së bashku se si do t’i përballojmë këta muaj dhe vite shumë të vështira.