Çka do të ndodhë tash e tutje me dialogun e Kosovës dhe Serbisë (II) - Gazeta Express
string(66) "cka-do-te-ndodhe-tash-e-tutje-me-dialogun-e-kosoves-dhe-serbise-ii"

Çka do të ndodhë tash e tutje me dialogun e Kosovës dhe Serbisë (II)

Gazeta Express

30/06/2020 10:24

Domosdoshmëria e unitetit politik

Dialogu me Serbinë, siç është kuptuar ditëve të kaluara, nuk është tema e vetme që obligon skenën politike të vendit ta ndryshojë qasjen në preokupimin me sfidat kryesore politike dhe të sigurisë të Kosovës.

Lexo Edhe:

Shkruan: Blerim Shala

Pas krijimit të Qeverisë së re të Kosovës, me 3 qershor, skena politike kosovare është e ndarë në dysh, pa kurrfarë gjasash për një bashkëpunim, teksa Qeveria e tanishme, me Kryeministrin Hoti, ka një deficit të votave të deputetëve shqiptarë, apo, prej njëqind prej këtyre deputetëve, jo më shumë se 43 janë shprehur në favor të saj, teksa 57 të tjerë, janë haptazi kundërshtar të kësaj Qeverie.

Edhe pa këtë goditjen e rëndë të së mërkurës së kaluar nga Deklarata e Prokurorisë së Specializuar, çfarë ka qenë e qartë më parë ishte që edhe nëse do të ri-fillojë dialogu me Beogradin, nga pala kosovare, me një koordinim dhe bashkë-përfaqësim nga ana a Presidentit dhe Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe Avdullah Hotit, rrjedha e tij e mëtejme, veçmas nëse do të shfaqeshin oguret e një Marrëveshjeje eventuale në mes të dy palëve, nuk do të ishte e mundur, pa një zgjerim substancial organizativ, përfaqësues dhe vendimmarrës të palës kosovare.

Kjo do të nënkuptonte që PDK e Kadri Veselit, me 24 deputetët e vet në Kuvendin e Kosovës, si partia e tretë më e madhe në vend, të përfshihej në dialogun e Prishtinës dhe Beogradit, sepse askush nuk beson që Lëvizja ‘Vetëvendosje’ e ish-Kryeministrit Albin Kurtit, kur dihet historiku i saj, do të ketë gatishmëri për të marrë ndonjë rol në këtë proces.

Në këtë mënyrë pra, me përfshirjen e PDK-së të Kadri Veselit në këtë proces, disi do të fuqizohej Delegacioni i Kosovës në këto bisedime, dhe pastaj, do të mund të llogaritej që Marrëveshja eventuale në mes të dy përfaqësive në këtë dialog, do të mund edhe të Ratifikohej në Kuvendin e Kosovës, me përkrahjen e së paku 80 deputetëve në këtë Kuvend.

Duket që është shumë e vështirë që dialogu në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe të Beogradit mund të vazhdojë së shpejti, apo, sipas Planeve të më parme të Washingtonit, Berlinit, Parisit dhe Brukselit, pa bërë një rishqyrtim të shpejtë politik dhe organizativ në politikën kosovare, duke filluar që nga ditët vijuese, i cili do të sillte një kualitet të ri politik në mënyrën se si do ta zhvillonte Prishtina zyrtare këtë dialog.

Folur me atë terminologjinë e shpejtësisë të vozitjes, nëse deri më tash, politika kosovare ka lëvizur me një shpejtësi prej ta zëmë 50 kilometra në orë, tash e tutje, do të duhej të ndodhte një trefishim apo katërfishim i kësaj shpejtësie, nëse synohet që të mbërrihet dinamika e kërkuar në gjetjen e përgjigjeve për të gjitha temat relevante, duke nisur këtu me modalitetet e vazhdimit të dialogut.

Në të kundërtën, nëse nuk zihet kjo shpejtësi e mendimit dhe e veprimit politik, do të mund të ndodhë edhe një lloj pezullimi i ri i bisedimeve të Kosovës dhe Serbisë, çfarë ishte në fuqi në atë kapitullin e njohur, nga nëntori i vitit 2018-të, e deri më sot.

Dialogu me Serbinë, siç është kuptuar ditëve të kaluara, nuk është tema e vetme që obligon skenën politike të vendit ta ndryshojë qasjen në preokupimin me sfidat kryesore politike dhe të sigurisë të Kosovës.

Tani, edhe sprova e ballafaqimit me rezultatet e punës së Prokurorisë së Specializuar dhe të vetë Dhomave të Specializuara në Hagë, të cila do të na zbardhen në tërësi në muajt e ardhshëm dhe më së voni, në vitin e ardhshëm  (2021), pashmangshmërisht imponon një ri-shqyrtim të politikës kosovare, mbase, edhe kur bëhet fjalë për bashkëpunimin në mes të liderëve institucional dhe politik të vendit, duke mos përjashtuar këtu edhe mundësinë e ri-kompozimit të Qeverisë së Kosovës.

Natyrisht, gjithmonë atypari është edhe ajo mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve të reja të parakohshme  (të tretave që nga qershori i vitit 2017-të), të cilat, siç e dimë tani të gjithë përmendësh, sepse jemi bërë dofarë ekspertash kushtetues, ka edhe ato ’siguresat automatike’, të cilat detyrojnë skenën politike të vendit për të ecur në atë drejtim, teksa zgjedhjet gjithmonë mund të organizohen nëse ka vullnet politik të shumicës së partive shqiptare në vend.

Megjithatë, në rrethanat e tanishme politike dhe të sigurisë në vend, me një mori të panjohurash që bartin në vete kërcënime serioze në ardhje e sipër, dhe me një të njohur  (Covid-19), që ka poashtu në vete potencial të bollshëm për të pamundësuar një fushatë normale parazgjedhore, dhe votimin e rregullt, duket që opsioni i zgjedhjeve të reja nuk duket as racional, dhe as i mundshëm.

Nuk duhet harruar këtu faktin që ne ende nuk e dimë saktësisht se sa fort do të dëmtohemi nga pasojat e Pandemisë, në aspektin ekonomik dhe social, apo që do të duhet një mobilizim i paparë për vite të tëra, politik dhe qeveritar për sigurimin e një Pakoje financiare vendore dhe ndërkombëtare, për t’i dalë disi mbanë dhe për të ruajtur një farë stabiliteti edhe ashtë të brishtë social në Kosovë. Poqëse do të hymë së shpejti në një cikël të ri zgjedhor, së paku për gjashtë muaj, gjithçka do të paralizohej në këtë politikën kosovare dhe do të ishte e pamundur që të artikulohet qoftë edhe një përgjigje modeste ndaj kërkesave të shumta për përkrahje financiare të të gjithë atyre që kanë pësuar keq muajve të fundit në Kosovë.

Në anën tjetër, ashtu edhe siç edhe ka mundur të supozohet, Dhomat e Specializuara në Hagë, të cilat përndryshe janë një gjykatë e Kosovës, në muajt dhe vitet e ardhshme, dashtë e pa dashtë do të na kthejnë të gjithë neve, apo, krejt shoqërinë kosovare në historinë tragjike të viteve të luftës, 1998, 1999, 21 vjet të plota pas përfundimit të saj.

Nuk besojmë që ka politikan dhe qytetar të Kosovës, por edhe politikan dhe diplomat perëndimor që ka qenë në një mënyrë apo tjetrën i lidhur me Kosovën, që në qershorin e madh të vitit 1999-të, kur paqja mbërriti në Kosovë, ka mundur të supozojë që dy dekada të plota më pas, në Kosovë do të ketë prani aq të fuqishme të historisë, saqë ajo do të jetë jo vetëm ndikuese, por mbase edhe vendimmarrëse në zhvillimet politike në Kosovë.

Janë një mori arsyesh pse është kështu, apo, pse ne, si Kosovë, nuk po arrijmë t’ia lëmë historinë Historisë  (rrjedhës së saj shkencës së Historisë), ta kemi një distancë të zakonshme me te në këto raste, ta ndajmë politikën prej saj, ta bëjmë Kosovën si shoqëri dhe si shtet të jetë shumë më tepër e orientuar kah ardhmënia, e jo kah historia.

Burimi kryesor i kësaj pranie aq të dukshme, aq evidente të historisë në të tashmen politike dhe shoqërore të vendit duket që është ai rrëfimi i pakryer i Kosovës me Serbinë, i cili është i gjatë 108 vjet të plota.

Mund të llogarisim me saktësi të madhe që sikur Procesi i Vjenës të përfundonte, ashtu si ishte synuar jo vetëm prej Presidentit Ahtisaari por edhe prej Grupit të Kontaktit  (me Federatën e Rusisë së pjesë të saj), me një Marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë për pranimin e realitetit të shtetit të Kosovës, dhe me një Traktat të paqes dhe të fqinjësisë së mirë  (siç ishte propozuar nga Ekipi i Unitetit të Kosovës, në vjeshtën e vitit 2007), në vitet vijuese, gjërat do të zhvilloheshin në drejtimin e duhur në mes të dy shteteve, të dy popujve, të dy shoqërive.

Do të ishim dëshmitarë, në atë rast, të një afrimi dhe bashkëpunimi të natyrshëm në mes të këtyre dy shteteve, dhe me siguri, në vijim të pranimit të shtetit të Kosovës nga Serbia, do të shfaqej, në forma të ndryshme, edhe gatishmëria e politikës dhe të shoqërisë serbe, për tu marrë me krimet dhe tragjeditë e shkaktuara në Kosovë nga ana e pushtetit dhe shtetit të Serbisë në kohën e luftës.

Në mungesë të një Marrëveshjeje të këtillë në atë ndërmarrjen ndërkombëtare të Vjenës, por edhe në këtë kapitullin e Brukselit  (prej vitit 2011 e këndej), jo vetëm marrëdhëniet politike në mes të dy shteteve dhe dy popujve, por edhe të gjitha të tjerat, të cilat mund të kualifikohen si raporte qytetëruese, nuk janë zhvilluar fare, por tutje janë të ngarkuara me këtë trashëgiminë tragjike nga e kaluara.

Jo vetëm në rastin e relacioneve në mes të Kosovës dhe Serbisë, por edhe në të gjitha rastet e ngjashme kudo në Botë, kur bëhet fjala për konteste të mëdha historike dhe politike, pa e gjetur atë emrin e një Marrëveshjeje paqeje, pa i mbyllur të gjitha çështjet e hapura politike nga e kaluara e vrazhdë që ka pasur edhe fytyrën e luftës dhe të krimeve, nuk mund të ndodhë asnjë normalizim tjetër i marrëdhënieve në mes të atyre dy vendeve.

Teksa kjo Marrëveshje si e tillë, jo vetëm që i shërben qëllimit madhor të normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy armiqve të deridjeshëm, por po ashtu, dhe këtë po e kuptojmë gjithnjë e më shumë ne në Kosovë  (me gjasë, edhe në Serbi, së paku në qarqet intelektuale të cilat pak a shumë janë të vetëdijshme se çfarë ka ngjarë krejt në Kosovë në ato vitet e luftës, por edhe në atë periudhën e okupimit të rëndë), ajo Marrëveshje duket se është kusht pa të cilin nuk bën për normalizimin e raporteve tona të brendshme me këtë historinë e re të Kosovës.

Kjo përballje e brendshme e jona me historinë tonë të re, është dashtë të lehtësohet (shumë madje), me adresimin, nga ana e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare të krimeve të bëra nga forcat serbe në Kosovë.

Është e vërtetë që në ICTY  (në Tribunalin ndërkombëtarë për krime lufte në territoret e ish-RSFJ-së, të krijuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së), janë zhvilluar disa gjykime shumë të rëndësishme në shqyrtimin e këtyre krimeve, duke nisur këtu me vetë krye-autorin e tyre  (i cili nga mediat perëndimore u pati portretizuar qysh në fillimin e viteve të nëntëdhjeta si ‘Kasapi i Ballkanit’), Slobodan Miloševićin, Presidentin e Serbisë dhe të RFJ-së  (në vitet e luftës në Kosovë). Madje, dihet që Aktakuza e ndaj tij u pati ngritur nga Prokuroria e këtij Tribunali ende pa marrë fund lufta në Kosovë, në fund të muajit maj të vitit 1999.

Megjithatë, ICTY duket që nuk arriti ta përmbushë sa dhe si duhet drejtësinë për Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kroacinë, dhe për më shumë, nuk u shfrytëzua  (për këtë ky Tribunal nuk bartë kurrfarë përgjegjësie), nga politika dhe nga shoqëria serbe që përmes këtyre proceseve gjyqësore dhe Akt-gjykimeve finale, të distancohen qartë nga të gjitha këto krime dhe tragjedi të kryera në vitet e nëntëdhjeta, edhe në Kosovë, dhe të gjejë mënyrë për të kërkuar falje për të gjitha këto krime dhe më në fund, ta shtrijë dorën e pajtimit me popujt dhe me shtetet e tjera.

Nesër: Duket që ky vit dhe ai tjetri që do të pasojë  (viti 2021, pra), do të jenë vitet më të rënda, më sprovuese dhe më të vështira për Kosovën, që nga çlirimin e këndej.