Manchester City janë duke përgatitur një lëvizje befasuese për një portier anglez që tashmë ka qenë pjesë e klubit: James Trafford. Lajmi u dha nga vetë Fabrizio Romano, i cili e cilësoi këtë si një “bombë merkatoje” të së premtes në mbrëmje.
City ka qenë jashtëzakonisht aktiv në merkato, duke firmosur me emra si Tijjani Reijnders, Rayan Cherki, Rayan Ait-Nouri, Marcus Bettinelli dhe Sverre Nypan, në përpjekje për t’u rikthyer fuqishëm pas një sezoni zhgënjyes pa trofe.
Por merkatoja nuk ka përfunduar ende për ta. Sipas Romanos, City po konsideron rikthimin e James Trafford, i cili pati një sezon fantastik me Burnley, duke mbajtur 29 herë portën të paprekur në 45 ndeshje dhe duke kontribuar në rikthimin e klubit në Premier League. Për formën e tij të mirë, ai u thirr në kombëtaren angleze në mars, por ende nuk ka debutuar me “Tre Luanët”.
City ka qenë në kontakt me Burnley për një transferim të mundshëm, por gjithçka varet nga e ardhmja e Ederson ose Stefan Ortega. Trafford do të rikthehej vetëm nëse ndonjëri nga dy portierët aktualë largohet gjatë kësaj vere.
Ederson, i cili ka qenë numri një i City që nga viti 2017, është objektiv i Galatasaray, që sipas L’Équipe, kanë bërë një ofertë qesharake prej vetëm 3 milionë eurosh për brazilianin që ka kontratë deri më 2026.
Ortega, kontrata e të cilit skadon në vitin 2025, për momentin mbetet pjesë e planeve të Guardiolës, i cili deklaroi në qershor se: “të dy portierët tanë do të vazhdojnë”.
Pavarësisht kësaj, e ardhmja e Ederson ka qenë subjekt spekulimesh, veçanërisht pas ofertave nga Arabia Saudite verën e kaluar dhe së fundmi nga Turqia. Megjithatë, vetë lojtari deklaroi qartë muajin e kaluar për ESPN:
“Koka ime është këtu. Qëndron me City. Dua të rikthehem në Premier League dhe të provoj të fitoj sërish Ligën e Kampionëve. E ardhmja ime është këtu.”
Ai gjithashtu theksoi se shumica e lajmeve që qarkullojnë për të janë “99% fake news”.
Trafford, i cili u bashkua me City që në moshën 12-vjeçare, nuk debutoi kurrë për ekipin e parë, por u huazua te Accrington Stanley dhe Bolton përpara se të transferohej përfundimisht te Burnley për 19 milionë paund.
Nëse një prej portierëve aktualë largohet, rikthimi i Trafford te City është një skenar gjithnjë e më i mundshëm.